Prend BUZHALA: TREGIMET E MESAZHEVE TË MËDHA TË DRAMËS SË MËRGIMIT

(Vilson Spaçi: “Prona ime”, tregime, Lena, Prishtinë, 2025)

Janë katër trajta procedimore artistike sipas të cilave thuren tregimet e vëllimit «Prona ime».  Kështu, tregimet «Saga e një udhëtimi» (Triptik), «Në ditën tjetër. Të fundit ! (Prill 2022)» dhe «Korona, Viti 2020, Muaji II, ora 20:00», thuren në formën e datave si strukturë narrative; tregimet e rrëfyera në formë nekrologësh («Korona, Viti 2020, Muaji II, ora 20:00», «Lamtumirë tezake (Vajza e tezës vdiq në Pandemi viti 2021)», «Mikut të shtëpisë (Vjehrri i motrës, vdiq nga Pandemia, 2021)», «Lamtumirë Nëna Tone (Nëna e gruas. Vdiq nga Pandemia, viti 2021)» dhe «Leb Wohl, Monitregimet»; janë disa  tregime të tjera  që thuren në trajtën e letrës, siç janë tregimet «Letër drejtuar Gazetares (2006), «Kërkesë drejtuar idhullit të babait AK» dhe  «Letra e pajtimit!», dhe, në fund, ka edhe një tekst narartiv, tregimi është një rrëfim poetik («Prona ime», sipas të cilit e mban titullin libri).

Me tregimet e rrëfyera në formë datash, duket sikur autori është marrë më seriozisht për t’i përplotësuar kriteret artistike të prozës së tillë.

Ky tip rrëfimi, i ndërtuar në formë datash, është një procedim që dhuron një ndjesi të fortë kohe dhe hapësire, duke e bërë lexuesin të përjetojë momentet si një pjesë të pazgjidhshme të një procesi më të madh.

  1. Struktura rrëfyese: mërgimi, simbolika e valixhes dhe pritjes

Përdorimi i datave thekson rëndësinë e çasteve të caktuara në një histori a ngjarje dhe krijon intensitet dramatik për lexuesin, pasi çdo datë përfaqëson një kthesë, një ngjarje të re, apo një ndodhi që ndikon tek zhvillimi i personazheve dhe ngjarjeve. Data, në këtë rast, bëhet një element kronologjik; funksionon si mjet për të ndërtuar një lidhje emocionale dhe psikologjike me lexuesin.

Proza e parë “Saga e një udhëtimi (triptik)”, ka datat e shënimit të ndodhisë: «26 prill 1993», “28 Prill 1993” dhe “2 maj 1993”. Tregimi lexohet si një sagë udhëtimi, si triptik dramatik mbi fatin e mërgimtarit që e lë familjen dhe atdheun. Në qendër të tregimit është dhimbja e ndarjes nga atdheu – si vend gjeografik dhe si bërthamë identitare. Autori e përshkruan largimin si një «plagë e përbashkët», e lidhur fatin e tij me fatin e shumë shqiptarëve, që, për shkak të represionit dhe mungesës së lirisë, ishin të detyruar të kërkonin jetë më të mirë jashtë trojeve të veta. Kosova ishte e pushtuar dhe shqiptarët ishin të margjinalizuar, të privuar nga të drejtat më themelore. Rruga drejt Shkupit dhe pastaj drejt Evropës Perëndimore, përmes Qafë-Thanës, është metaforë narrative për pengesat burokratike dhe kufijtë e panatyrshëm që e ndalojnë lirinë dhe ëndrrën e shqiptarëve. Autori ndërthur historinë personale me atë të familjes së tij, përkatësisht të gjyshit që kishte emigruar nga Mirdita në Dukagjin. Ëndrra për të shkuar në Shqipëri nuk është vetëm dëshirë personale, por një vazhdim i rrugës së nisur shumë më parë – një përpjekje për ta bashkuar të kaluarën me të tashmen dhe për ta prekur vendin që ruhet në kujtesën kolektive si «shteti amë». Është malli për rrënjët dhe për identitetin e munguar. Në vazhdim të rrëfimit shtjellohet një përshkrim domethënës, rrëqethës dhe jashtëzakonisht i ndjerë i përvojës së mërgimit, duke kaluar nga etapat e shpresës, zhgënjimit, vendosmërisë dhe, në fund, arritjes së një destinacioni fizik – por jo të qetësisë shpirtërore. Udhëtimi fizik përmes Maqedonisë, Bullgarisë, Rumanisë, Çekisë e deri në Gjermani nuk është vetëm një rrugëtim gjeografik – është rruga e shpirtit, e njeriut që kërkon të mbijetojë mes sistemeve të padrejta, rreziqeve dhe mashtrimeve. Është një kalvar modern, ku secila ndalesë është një sprovë e re, secili kufi një portë shprese ose zhgënjimi. Edhe pse kufiri gjerman më në fund u hap dhe fjalët «Bitte fahren Sie weiter» tingëllojnë si një liri e shumëpritur, emocioni që mbizotëron nuk është gëzimi – por një ndjesi e thellë boshllëku. Simbolika e personazhit, mërgimtarit si “argjendar i brumit” për qytetarët e Zarës, është sa ironike aq edhe e fuqishme – ai, pasardhës i ilirëve të lashtë, është rikthyer në një tokë, ku dikur mbretëronte populli i tij, por tani është vetëm një punëtor i përulur. Është drama e përplasjeve mes historisë madhështore dhe realitetit që të lëndon e të ther si plagë, siç është emigracioni modern. Valixhja pranë derës dhe përqafimet me lot janë gjetje simbolike narrative mbi ndarjen që përjetohet më shumë nga ana e brendshme shpirtërore se sa si ndarje fizike.

Kjo prozë është dëshmi thellësisht emocionale dhe historike e një udhëtimi personal aq edhe kolektive të shqiptarëve të Kosovës në fund të shekullit XX.

Rrëfimi na shfaqet si në një sinopsis filmi: shfaqet skena e përdorimit të dokumentit të vëllait për të shmangur autoritetet serbe, incidenti në Ferizaj me patrullën serbe dhe fati që i shpëton dokumentin e fshehur; përpjekja për të hyrë në Shqipëri – dështimi, udhëtimi me autobus përmes Shkupit drejt Qafë-Thanës; refuzimi në kufirin shqiptar për shkak të embargo-s dhe mungesës së dokumenteve të vlefshme; rruga drejt Gjermanisë përmes Çekisë; udhëtimi i gjatë me ndalesa të dhimbshme nëpër kufij; ryshfetet në Rumani dhe tentativat për të kaluar në Hungari; mashtrimet nga kontrabandistët në Çeki; arritja në Gjermani (2 Maj 1993); ndihma nga i afërmi (Baca V), kalimi pa kontroll në kufirin gjerman; rrugëtimi drejt Bremës, i shoqëruar me ndjenjën e zbrazëtisë dhe përfytyrimet për të kaluarën; ëndrra dhe kthimi simbolik në vitet ’80… udhëtimi përmes Jugosllavisë, përshkrimi i atmosferës në stacionet e autobusëve, zbritja në Zarë dhe ndjesitë e jetës së re si “argjendar i brumit”. Fjetja në stol me valixhen nën kokë dhe aroma e pitës së bërë nga nëna.

Narratori është vetë personazhi kryesor, pra rrëfimi bëhet në vetën e parë. Ky rrëfyes është subjektiv, sepse përshkruan ndjesitë e veta dhe i jep ngjarjeve ngjyrim emocional. Roli i tij është autobiografik dhe reflektues – ai tregon historinë e tij, por në të njëjtën kohë përfaqëson edhe historinë e shumë shqiptarëve të mërguar. Nëpër rrëfime shfaqet valixhja si simbol i mërgimit, i lëvizjes së pavullnetshme, por edhe i shpresës për një të ardhme më të mirë. Valixhja, është shtëpia e improvizuar, arkivi i emocioneve, mbartësja e aromës së shtëpisë. Shfaqen autobusi dhe kufiri, gjithë dramat e tranzicionit, pritjes dhe frustrimit ndaj sistemeve shtypëse.

Është prozë e copëzave të kujtesës, si një testament për dhimbjen, shpresën dhe përkatësinë. Ëndrra kthehet për ta mbajtur gjallë kujtesën dhe identitetin. Shfaqet nata si metaforë dhe stacioni si portë e ekzistencës.

Edhe tregimet “Në ditën tjetër. Të fundit! (Prill 2022)” dhe “Lumi Themse” trajtojnë mërgimin dhe raportet familjare. Këto tregime shndërrohen në saga të thella dhe të pasura, ku zhvillimet e personazheve dhe ngjarjeve janë të lidhura ngushtë me udhëtimin dhe ndikimin e tij mbi jetën e personazheve. Në shumë tregime, udhëtimi trajtohet si proces metaforik që dëfton ndryshimin dhe vetëzbulimin e personazhit. Kështu, rrëfimi i parë ndërthur elementin historik me atë social-politik e nacional dhe trajton ndarjen nga atdheu, por e trajton edhe trashëgiminë familjare.

Tregimi “Në ditën tjetër. Të fundit! (Prill 2022)” trajtohet tematika e mërgimit. Nëpërmes reminishencash, evokohen fëmijëria dhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore. Evokohet figura e prindit, si personazh kryesor, i rritur në kushte të vështira, ku varfëria dhe mjerimi ishin pjesë e përditshmërisë. Ngjarjet përfshijnë kthimin e tij pas shumë vitesh mërgimi. Pas largimit të tij, fëmijët e tij kujtojnë babanë dhe mungesën e tij. Ata ndiejnë një boshllëk, pasi babai nuk është aty për t’i mbështetur, veçanërisht në momentet që kanë më shumë nevojë për prindërit. Në fund të tekstit, autori reflekton mbi mungesën e prindit, që tashmë është larguar nga jeta dhe mbi ndikimin që ka pasur mërgimi në jetën e tij dhe të familjes. Personazhe tjerë janë Nënë Gjysta dhe Baba Ndre, si figura edukative të rëndësishme. Mundi i nënës dhe edukata e babait janë tregues të rëndësishëm të vlerave që i janë përcjellë këtij njeriu, duke formuar karakterin e tij të ndershëm dhe të përgjegjshëm.

Edhe tregimi “Lumi Themse” trajton dashurinë prindërore si forcë që tejkalon gjithçka. Në qendër të tregimit është një prind që sfidon çdo distancë, çdo frikë, çdo pasiguri, vetëm që të jetë pranë djalit të tij në momentin më të errët. Kjo është një dashuri që nuk matet me kohë, me kilometra, as me fjalë – është instinktive, është shpirtërore. Mesazhi është kuptimplotë: dashuria e një prindi për fëmijën është forca më e madhe që ekziston. Ajo nuk njeh kufij, nuk dorëzohet, nuk ndalet. Personazhi përjeton ndjenjën e humbjes dhe vetmisë, jo vetëm si një njeri që fluturon për në Londër, por si një prind që nuk di si ta ndihmojë fëmijën e tij në një vend të panjohur. Takimi me Joschin, artistin zvicerano-hungarez, është një kthesë në rrëfim. Ai përfaqëson mirësinë e papritur, atë ndihmë që vjen kur e ke më shumë nevojë. Edhe në çastet më të errëta, ekzistojnë njerëz që ndriçojnë si yje të befasishëm. Bota nuk është vetëm dhimbje – është edhe mbështetje e papritur. Mërgimi është fëmija i një mrekullie, një jetë që u zgjodh me vetëdije dhe dashuri të pamasë. Rrëfimi nuk mbaron me një zgjidhje konkrete-realiste, por me ndjesinë se gjërat po ecin drejt një drite. Edhe pse i goditur, Mërgimi është gjallë. Babai është pranë tij. Dhe mbi të gjitha – historia e tyre është një dëshmi e jetës, mbijetesës dhe dashurisë së përjetshme.

  1. Tregimi epistolar si trajtë e komunikimit artistik

Tashmë kemi disa tregime të shkruara në formë letrash. Një nga mënyrat më tërheqëse për të shkruar është në formën e letrave, ku personazhi i drejtohet një tjetri, duke shpërfaqur përjetime dhe mendime që nuk mund të shprehen ndryshe. Kjo formë letrare ka fuqinë të krijojë një atmosferë intime dhe ta thellojë kuptimin e karaktereve dhe ngjarjeve. Letra është formë komunikimi që nuk kufizohet vetëm te informacioni. Ajo zbulon botën e brendshme të një personazhi, dëshirat dhe pasiguri të thella.

Kështu, ky raport prind-fëmijë që e hasëm në tregimet e mësipërme, trajtohet edhe te tregimi “Letra e Pajtimit”. Letra fillon me një fjalë të fuqishme «S’kemi me u pa ma bashkë,» që thekson ndarjen e thellë dhe të pashpirt midis babait dhe djalit. Ky është një moment i qartë i ndërprerjes së komunikimit, ku pas shumë grindjeve dhe mosmarrëveshjeve, është bërë e pamundur të kthehen pas. Ndërsa, në të njëjtën kohë, personazhi-narrator shpreh pendesë për dështimin e tij në ndërtimin e një lidhjeje më të thellë dhe më të kujdesshme me babanë. Tregimi parqet një marrëdhënie të tensionuar mes babait dhe djalit, që ka pasur pasojat e saj në marrëdhënien emocionale dhe komunikimin e tyre. Pas shumë viteve grindjesh dhe fjalësh të thëna, ata kanë arritur në një pikë ku janë të paaftë të komunikojnë më përmes fjalëve, duke përdorur vetëm veprime të heshtura dhe sinjale të trupit (p.sh., «ne folëm me dorë si memec«). Në pjesën e fundit të letrës, personazhi rrëfyes shprehet për një «kujtim të mallit» për një pajtim të mundshëm, duke thënë: «I ndjek pas, këto gjurmë dhe gjej veten i rehatuar si në ëndërr të këndshme që s’filloi kurrë.» D.m.th. shpreh një marrëdhënie të braktisur që është përjetuar si ëndërr e paplotësuar. Është një reflektim mbi pasojat e konflikteve të pashlyeshme dhe kërkimin e një paqeje që ndodh vetëm në nivelin e kujtimeve dhe pasigurisë emocionale. Ai është një apel për pajtim, por gjithashtu një shprehje e dhimbjes që mbetet e pandreqshme nga ndarjet që kanë ndodhur.

Te tregimi epistolar “Kërkesë drejtuar idhullit të babait AK” shpaloset simbolika e ëndrrës dhe ëndërrimit: kërkesa që prindi i tij si qytetar i thjeshtë, të takohet me një lideri politik. Kërkesa vjen si thirrje njerëzore për dinjitet, për ndërveprim emocional, për ta realizuar një ëndërr që tejkalon përkatësitë politike. Në thelb, kjo ëndërr është dëshira e një babai, që pas shumë sakrificash jetësore, kërkon të përmbyllë jetën me një shenjë kuptimplotë: takimin me njeriun që ka përfaqësuar shpresën e tij për një Kosovë më të mirë. Dëshirat më të thella të njeriut janë shumë të thjeshta – një shtrëngim duarsh, një fjalë e mirë, një ndjesi që nuk është harruar. Autori e ndërton letrën mbi kujtime – ato të babait të tij. Edhe pse fizikisht i lodhur, ai ruante shpresën politike dhe njerëzore, si një testament i gjallë i idealizmit të brezit të sakrificës.

I pasur me reflektime të tilla vjen edhe tregimi “Letër gazetares”. Ky tregim-letër drejtuar një gazetareje, është dëshmi personale e një emigranti shqiptar nga Kosova në Zvicër, por është edhe një dokument emocional dhe sociologjik që shpalos një realitet kolektiv të diasporës shqiptare. Tregimi është shkruar në trajtën e diskursit refleksiv. Tema qendrore e tregimit është ajo e ndikimit të realitetit të vendlindjes në procesin e integrimit të shqiptarëve të Kosovës në shoqërinë zvicerane. Ndërthuren një varg motivesh të tjera, si: vështirësitë e integrimit në Zvicër; roli i diasporës në çlirimin dhe rindërtimin e Kosovës; konflikti midis detyrimeve ndaj vendlindjes dhe ndërtimit të jetës personale; humbja e mundësive personale në emër të përkushtimit ndaj kombit; tensioni midis dy botëve: e kaluara shqiptare dhe e tashmja perëndimore etj. Shohim përpjekjet për t’i ruajtur lidhjet me atdheun dhe familjen, duke përdorur komunikimin përmes letrave, telefonatave, apo mesazheve. Tregimi është i ndërtuar si një rrëfim retrospektiv. Trajtohet përpjekja për jetë në Zvicër, e emigrimi përmes martesës, fillimi i jetës së vështirë në Zvicër me punë të rëndomta, mungesa e integrimit dhe edukimit, sepse gjithë energjia përqendrohet në mbijetesë dhe ndihma për familjen në Kosovë. Ndërlidhet tema e kontributit për Kosovën gjatë luftës (1998–1999), dëshira e personazhit për t’u bashkuar me UÇK-në, por refuzimi për shkak të përgjegjësive familjare. Jepet përjetimi i luftës përmes fëmijës që identifikohet me simbolet kombëtare. Narratori përjeton një konflikt të brendshëm, identitar dhe psikologjik: a duhet ta ndërtojë jetën në Zvicër, apo duhet t’i shërbejë përjetësisht Kosovës? Fëmija i tij, Mërgimi, është simbol i brezit të dytë në diasporë, që rritet fizikisht në Perëndim, por bart identitetin, hallet dhe mitet e të kaluarës. Uniforma e UÇK-së që i vishet në vend të një pizhame të zakonshme, simbolizon barrën e trashëguar të historisë. Tregimi përcjell mesazhin e madh të kohës: diaspora është pjesë e pandashme e Kosovës. Edhe pse në një shtet tjetër, mërgimtari jeton me mendje, zemër dhe xhep në vendlindje. Ata janë pjesë e realitetit kosovar.

Ky tregim është një manifest i heshtur i diasporës shqiptare, një lutje për ta kuptuar pozicionin e tyre mes dy realiteteve. Tregimi shqipton edhe qëndrimin kritik ndaj sjelljes së një pjese të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët shfaqin sjellje të pahijshme, lavdërojnë sjelljet e gabuara (p.sh. hajdutin si “trim”) apo që përfshihen në aktivitete të paligjshme, duke dëmtuar imazhin e komunitetit; kritikohen përse nuk tregojnë mirënjohje ndaj Zvicrës – vendit që u ka hapur dyert. Merret në thumb konsumizmi i shfrenuar në emër të atdheut, apo përdorimi i parave për “këngë në klube burrash”, për këngëtarë pa vlerë, ose për qëllime jo të ndershme. Letra është një thirrje për edukim dhe përfaqësim të denjë, përmes arsimimit, pjesëmarrjes në institucione, dhe angazhimit shoqëror, që shqiptarët mund të ndërtojnë një emër të mirë si komunitet dhe të ndihmojnë më mirë edhe Kosovën.

 

  1. Tregimet e rrëfyera në formë nekrologësh

 

Tregimet që trajtojnë pandeminë, veçanërisht ato të fundit, përfshijnë një mori dimensionesh narrative që i paraqesin përvojat njerëzore dhe ndikimet e ndryshme që ka pasur pandemia mbi njerëzit dhe shoqërinë. Pandemia ka krijuar ndjesi të thellë vetmie dhe izolimi për shumë individë. Tregimet përqendrohen në përjetimet e personazheve të izoluar nga të tjerët, në shtëpi, duke kaluar orë të gjata të vetmuar. ndeshjes së personazheve dhe shoqërisë me pasojat e këtyre humbjeve.

Përdorimi i formës së nekrologut në tregimet letrare është një procedim i fuqishëm narrativ që e përdor këtë strukturë për të krijuar një rrëfim më të pasur, me një dimension reflektimi dhe introspekcioni. Tregimet e rrëfyera në formë nekrologësh kanë një potencial të madh për të paraqitur jetën e personazheve në mënyrë të veçantë. Një tregim i rrëfyer në formë nekrologu zakoni i distancuar nga ngjarjet që ndodhin, ofron një pamje retrospektive mbi jetën e personazhit të vdekur. Një nga aspektet më interesante të tregimeve që përdorin formën e nekrologut është krijimi i paradokseve që dalin nga mënyra se si e kaluara dhe vlerësimi për të është i kontrastuar. Në shumë raste, një personazh i vdekur shihet me një distancë që e bën atë të duken më të vlefshëm ose më të rëndësishëm se sa ai ka qenë gjatë jetës së tij. Ky element i përhershëm i «pas vdekjes» shton një përmasë të thellë emocionale dhe filozofike, duke theksuar se si njerëzit vlerësohen më shumë pas largimit të tyre.

Tregimet «Korona,» «Lamtumirë Tezake,» «Mikut të shtëpisë,» dhe «Leb wohl Moni (Lamtumirë Moni)» trajtojnë me shumë ndjeshmëri dhe dhimbje humbjen e të dashurve, si dhe mënyrën se si pandemia preku dhe ndryshoi jetët e njerëzve. Tregimi “Korona” përshkruan tragjikisht ndikimin e pandemisë të COVID-19, duke u fokusuar në vdekjen që pandemia ka shkaktuar dhe pasojat emocionale që ajo ka pasur mbi njerëzit dhe familjet. Pandemia është përshkruar si fenomen që ka ndryshuar tërësisht jetën dhe ka ndikuar në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Vdekja e të dashurve, e shoqëruar me mungesën e mundësisë për t’u përshëndetur, për të dhënë lamtumirën, është temë qendrore e që është trajtuar me ndjenjë dhimbjeje dhe mosbesimi, për faktin që shumë njerëz vdiqën pa mundur të ishin pranë të afërmve të tyre.

Në tregimin tjetër “Lamtumirë tezake”, bëhet fjalë për humbjen e një anëtari të afërm të familjes, për të cilën ajo është lamtumira e fundit. Tregimi trajton përballë një pandemie që e ka ndaluar familjen të ofrojë ndihmën dhe mbështetjen që do të ofronte në kushte normale. Vdekja e «Tezakës» ka një dimension të veçantë, sepse ndodhi në një periudhë kur shumë njerëz nuk mundën të jenë pranë të dashurve të tyre për t’ua ofruar lamtumirën. Tregimi «Mikut të shtëpisë» përfshin një tjetër perspektivë të vdekjes së një mikut të ngushtë nga pandemia. Autori përshkruan marrëdhënien e ngushtë mes dy personazheve, si përjetohet pandemia në ndarjen e papritur dhe tragjike të tyre. Miku i shtëpisë, një person i afërt që ishte i pranishëm gjatë periudhave të vështira që mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e familjes, vdes për shkak të COVID-19. Përshkrimi i kësaj vdekjeje trajton ndjeshmërinë për marrëdhëniet miqësore, si dhe humbjen e mundësisë për ta ndihmuar dhe për të qenë pranë mikut në momentet e tij të fundit. Ajo që është veçanërisht e dhimbshme është fakti që ky mik, që ka ndarë shumë momente me ata që mbeten pas, nuk mund të përjetonte një fund të tillë pa e ditur se ata do ta humbnin aq shpejt dhe pa mundur të shprehnin dashurinë dhe mirënjohjen për të.

Edhe tregimi “Leb wohl Moni (Lamtumirë Moni)” i titulluar në gjermanisht, është një lamtumirë për një person të njohur ose të dashur, Monin. Lamtumira është reflektim mbi humbjen dhe dhimbjen që shoqëron largimin e një personi të dashur. Vdekja e Monit trajtohet nga perspektiva e asaj që pandemia ka sjellë për individët dhe shoqërinë, duke pasur parasysh rrethanat e ndarjes, që janë të papritura dhe të dhimbshme, për shkak të kufizimeve të mundshme të lëvizjes dhe grumbullimit, duke pamundësuar ceremonitë e lamtumirës dhe ngushëllimin tradicional.

Në të katër tregimet, vdekja e të dashurve nga pandemia është trajtuar si përvojë që thekson humbjen e mundësisë për ta dhënë lamtumirën e duhur. Vdekja që vjen pa paralajmërim dhe pa mundësi për të qenë fizikisht pranë të afërmve, i lë ata pas me ndjesinë e një boshllëku të pashlyeshëm. Lamtumirat e pritura nuk mund të realizoheshin, dhe kjo bëri që shumë njerëz të përjetojnë dhimbje të thella për humbjen e atyre që ishin të afërm, por që nuk mundën të ishin pranë për shkak të izolimit dhe karantinës. Pandemia ka sjellë gjithashtu një reflektim mbi jetën dhe vlerat.

Tregimet mbi pandeminë janë një reflektim i tragjedisë, dhimbjes dhe përpjekjeve për të mbijetuar në një periudhë të pasigurt dhe të pasigurt. Tregimet pasqyrojnë si kjo situatë ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit përjetojnë dhe përpunojnë humbjen, duke u detyruar të përballen me një realitet të ndryshuar ku intimiteti dhe mbështetja emocionale janë të pamundura.

  1. Një qasje poetike narrative

Diku kah mesi i librit qëndron një tekst proze poetike, pa titull, në bazë të të cilit referohet edhe titulli i librit.

Është një shqiptim simbolik i një beteje mes të mirës dhe të keqes, një rrëfim për njeriun që, përmes vuajtjes dhe plagëve, arrin të triumfojë mbi dhimbjen dhe padrejtësinë. Teksti ka një karakter të theksuar mistik dhe të metaforik, me përdorimin e figurave të ndryshme letrare dhe simboleve që theksojnë temën e luftës për mbijetesë, forcën e brendshme dhe faljen.

Në fillim, prona dhe dinjiteti janë të kërcënuara nga forca të papërgjegjshme që përpiqen ta shkatërrojnë atë që është tërësisht e ndershme dhe e fituar me mund. Është metaforë për të gjitha ato që janë të vyera dhe të merituara në jetë dhe që sfidohen nga ata që përpiqen të abuzojnë me ato. Vjen plagosja duke vënë dorë “mbi mbijetesën e dinjitetit» e që  sugjeron një luftë për ta ruajtur atë që është e vërtetë dhe e drejtë përkundrejt forcës së padrejtësisë dhe korrupsionit. Protagonisti lirik mbron me gjak atë që kishte fituar me mund., personazhi arrin ta ndezë «instinktin e trashëguar të vetëmbrojtjes», që është një metaforë për forcën e brendshme dhe qëndrueshmërinë që vjen nga edukimi dhe përvoja e kaluar. Ndërsa personazhi është «i qëlluar në gjoks» dhe përjeton dhimbjen fizike, «zemra e tij, e mbrojtur nga mirësia dhe dashuria për jetën», mbetet e patundur. Pas përballjes me dhimbjen, «engjëjt e rojës» ndihmojnë për ta mbështetur dhe e mbrojnë atë, duke krijuar një imazh të ndihmës së mbinatyrshme. Është figurë e shpresës dhe mbështetjes që vjen në momentet më të vështira. Një pjesë tejet domethënëse vjen në vazhdim: kur «autorin e dhimbjes së tij e fali në shtratin e shërimit». Ky akt i faljes është thelbësor për kuptimin e këtij teksti. Falja, që është një temë e fuqishme shpirtërore, vjen si një veprim që personazhi e bën për ta shmangur hakmarrjen dhe për ta mbyllur ciklin e dhimbjes me një akt të lartë moral.

Meqë gjuha e përdorur e prozës poetike i ka edhe tiparet e poezisë, ky tekst krijon harmoni mes thjeshtësisë narrative dhe thellësisë figurative. Kësisoj, falja është edhe metaforë për shërimin shpirtëror dhe simbol i triumfit të dashurisë dhe mirëkuptimit mbi urrejtjen dhe hakmarrjen. Engjëjt janë simbol i ndihmës nga qenie të larta dhe të pafajshme, paraqesin mbështetje të jashtme që ndihmon personazhin të triumfojë mbi të keqen dhe dhimbjen. Në fund personazhi lirik «rifilloi festën e jetës mbi tokë» dhe «dhimbjet e trupit nuk e lëkundën besimin e tij», që është një reflektim për triumfin mbi vuajtjet. Pas gjithë dhimbjes dhe mundimeve, ai kthehet në një gjendje të gëzueshme dhe kremtuese, duke shijuar përsëri jetën.

  1. Poetika e tregimeve:

punktet rrëfyese dhe procedimet e trajtave narrative

Nga ana tjetër, në vëllimin me tregime «Prona ime» e autorit Vilson Spaqi, dy janë punktet kyesore tematike-narrative: mërgimi dhe pandemia. Përderisa tregimet e qerthullit të parë tematik (26 Prill 1993, Letër gazetares, Kërkesë drejtuar idhullit të babit tim AK, Lumi Themse), shtjellojnë aspekte të ndryshme të jetës së emigrantëve dhe ndikimit të mërgimit tek personazhet dhe familjet që largohen nga vendi i lindjes; tregimet tjera trajtojnë vdekjet tragjike të personazheve të dashur në kohën e pandemisë. Ndërkaq, dy rrëfime tjera e përplotësojnë këtë kuadër me reminishencat dhe përjetimet në kohë e nëpër kohë. Këto tregime, secili me tonin dhe stilin e vet, nxjerrin në pah kompleksitetin e përjetimeve të mërgimtarëve, vuajtjet, identitetin dhe lidhjen e tyre me atdheun dhe vendin ku kanë shpërngulur.

Vërtet që shumëllojshmëria e tillë e bën interesante veprën dhe leximin e prozave, për shkak se kjo larushi është një nga veçoritë më tërheqëse për nga pasuria e procedimeve dhe trajtave narrative që përdoren për të krijuar struktura të ndryshme të tregimit. Kjo larushi e trajtave dhe procedimeve të tilla letrare është një pasuri artistike që e shndërron rrëfimin në një formë më të pasur dhe më të thellë, e pasuron përvojën e lexuesit dhe e krijon një gamë më të gjerë kuptimesh dhe interpretimesh. Disa tregime tjera konceptohen nëpërmes rrëfimit retrospektiv: përdorimi i të kaluarës si një formë për t’i zhvilluar ngjarjet e tashme, të cilat krijojnë një tension dhe një ndjenjë të pasigurisë. Koha dhe hapësira janë të shkrira. Rrëfimi përfshin periudha të kaluara dhe të ardhshme, duke krijuar një lloj harmonizimi mes momenteve të ndryshme të jetës së personazhit.

Me anë të rrëfimit të brendshëm dhe subjektiv, autori i jep lexuesit mundësinë për t’i parë ngjarjet nga këndvështrimi i një personazhi, duke përdorur stilin e brendshëm për t’i shqyrtuar mendimet dhe përjetimet e tij. Përdorimi i formës poetike në tregime e pasuron ato nga ana artistike, ku përfshihen imazhe, metafora dhe ritme të ndryshme.

 

Prill 2025