Kuvendi Komunal i Gjakovës mbështetë unanimisht kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

Gjakovë, 28 dhjetor 2022

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Gjakovës, njëzëri u miratua deklarata përmes së cilës Kuvendi Komunal i Gjakovës, mbështetë kërkesën të cilën Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“ ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Në këtë deklaratë thuhet:

Kuvendi i Komunës së Gjakovës përkrahë dhe mbështetë idenë, respektivisht kërkesën e Qendrës „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“, që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë dhe kësisoj lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol Unik i përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë.

Kuvendi i Komunës së Gjakovës konsideron se katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar paraqesin qartë katër format e akteve gjenocidale që Serbia zbatoi në Kosovë: vrasjen, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.

Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“ falënderon Kryesuesen e Kuvendit Komunal Zonjën Arbënesha Kuqi, për ngritjen e kësaj iniciative si dhe të gjithë asamblistët e Komunës së Gjakovës për mbështetjen unanime.