Konsullata e Kosovës në Cyrih me kushte optimale për persona me nevoja të veçanta

Mbrëmë në selinë e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, ishte një moment i rrallë festiv: u realizua një projekt me peshë për personat me nevoja të veçanta , u bë përurimi i një ashensori që u mundëson këtyre personave ngjitjen edhe në katin e dytë të kësaj përfaqësie tonë në shtetin helvetik.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Me këtë rast Shefi i Misionit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha potencoi se që nga ardhja e tij në krye të këtij misioni ishte i preokupuar me këtë synim se si “të krijoj kushte të barabarta dhe dinjitoze për çdo qytetar, pa asnjë përjashtim”.

Dhe kjo u dëshmua në mënyrën më konkrete kur personat me nevoja të veçanta mbrëmë përjetuan bashke me prindërit e tyre një gëzim të rrallë, kur me karrocat e tyre pa ndonjë vështirësi përmes këtij ashensori arritën në katin e dytë, ku edhe ishte organizua një përurim sa simbolik, aq edhe human e praktik.

Që në fillim të gjithë të pranishëm  shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha iu drejtua me një fjalë përshëndetëse , me një falënderim të veçantë edhe për familjen donatore, që kontribuoj në zgjidhjen e këtij zotimi që me ardhjen e tij kishte marr për sipër konsulli. Ja edhe fjala e tij në këtë takim mbresëlënës:

“Të dashur miq, sot, më 10 Dhjetor 2024, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, kemi shkruar një faqe të re në përkushtimin tonë për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Një ëndërr dhe e drejtë njerëzore është kthyer në realitet: inaugurimi i ashensorit për personat me nevoja të veçanta në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih.

Ky projekt nuk është thjesht një strukturë fizike – është një simbol i fuqishëm i respektit dhe i angazhimit tonë për të garantuar dinjitet dhe qasje të barabartë për çdo individ.Kjo arritje është fryt i bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët. Mirënjohje të thellë për z. Ekrem Hasani, CEO i Spitex Melina’s Medical Care, për mbështetjen dhe humanizmin e tij të pakompromis në realizimin e këtij projekti deri ne detaje.

Falënderime të veçanta për Deputetin e Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, z. Islam Alija, dhe aktivisten e shquar për të drejtat e njeriut, znj. Valdete Hoti, të cilët me praninë e tyre na nderuan dhe e bënë këtë ditë edhe më të veçantë. Ky projekt përfaqëson angazhimin tonë se askush nuk do të mbetet pas. Sot, kujtojmë se të drejtat e njeriut nuk janë thjesht fjalë, por obligime që duhet t’i zbatojmë çdo ditë.

Faleminderit të gjithëve që kontribuuat dhe ishit pjesë e këtij momenti. Së bashku, po ndërtojmë një të ardhme më të ndritur dhe më të barabartë!”

Dhe ky projekt për fat të mirë u realizua pikërisht mbrëmë,  falë aktit human e solidar të afaristit, Ekrem Hasani, CEO i Spitex Melina’s Medical Care. Ndaj edhe akti i përurimit u përshkua edhe emocione edhe nga ana e vet pjesëmarrësve, siç ishin figurat e deputeti të Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, z. Islam Alija, si dhe aktivisteve dhe humanisteve të shquara për të Drejtat e Njeriut: zonjat Valdete Hoti dhe mikesha zvicerane Analissa Schneler, të cilat kenë realizuar që në ditët e para të pasluftës disa projekte bamirësie në mbështetje  të dhjetëra invalidëve të ish-luftëtarëve të UÇK-së për shërim dhe rehabilitim në  Zvicër.