Kompetenca mbi Popullaritetin

Çfarë duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë për të kuptuar se Big Brother nuk promovon domosdoshmërisht vlerat e duhura që duhet të ndjekin.

Nga Jetmir Troshani

Në shoqërinë e sotme, ku media dhe vlerat sipërfaqësore kanë një ndikim të madh, është më e rëndësishme se kurrë që prindërit të ndërtojnë parime konstruktive tek fëmijët e tyre. Si prind, synoj të theksoj se kompetenca në vlerat njerëzorë është më e rëndësishme se të qenurit «cool». Besoj se ky qëndrim do të udhëzojë fëmijët tanë drejt një jete më të suksesshme dhe do i ndihmojë të largohen nga aspektet e nevojës për popullaritet të domosdoshëm që një pjesë e shoqërisë sot e kërkojnë disi me kërshëri.

Koncepti i të qenurit «cool», brishtazi sot ndërtohet në faktorë si pamja e jashtme, sjellja “moderne”, erë parfumi, veshja, ose statusi social, të cilat mund të jenë të shkurtra dhe nuk garantojnë lumturinë ose suksesin afatgjatë. Në vend të kësaj, duhet t’i mësojmë fëmijëve tanë të përqendrohen në zhvillimin e vlerave thelbësore siç janë talenti dhe aftësitë e tyre natyrale, pasi këto cilësi ofrojnë një bazë të qëndrueshme për formimin e karakterit të tyre.

Duhet ti mësojmë fëmijët tanë të vlerësojnë kompetencën më shumë se famën apo disa vlera sipërfaqësore sociale, duke i ndihmuar të përqendrohen në atë që vërtetë ka rëndësi në jetë. Ky fokus u mundëson atyre të shmangin konfuzionet që shpesh u promovua në emisionin Big Brother VIP Albania.

Ne duhet ti rikujtojmë fëmijëve tanë se trendet dhe preferencat mund të ndryshojnë shpejt. Merrni për shembull Krist Dragot, finalist në Big Brother VIP Albania, i cili u fokusua shumë në imazhin e tij i cili tha dhe bëri gjëra që qartësisht ishin të cekëta në substancë. Unë pyes, cilat janë aftësitë dhe talentet e tij? Ai mund të jetë një djalë i mirë, por për mendimin tim, ai është si një vazo atraktive përjashta, por e zbrazët përbrenda. Në kontrast me këtë shembull, aftësitë dhe talentet e fëmijëve tanë duhet të jenë të fokusuara në kompetencë dhe dije, të cilat do t’u siguronin vlera të përgjithmonshme.

Ne duhet t’i mësojmë fëmijët tanë se të qenurit kompetent në fushat përkatëse është shumë më e rëndësishme se të qënurit “cool”. Duke i inkurajuar të kanalizojnë aftësitë e tyre në plan të parë, po i ndihmojmë ata të ndërtojnë një bazë stabile për rritjen personale, suksesin dhe kontributin e tyre pozitiv në shoqëri. Ky fokus në kompetencë nuk do të kultivojë vetëm karakterin e tyre, por gjithashtu do t’i bëjë ata individë origjinalë me konfidencë në veten e tyre. Në fund, ata do ta kuptojnë, se të qenurit kompetent do t’i japë popullaritet dhe vetëm atëherë do i bëjë vërtet “cool”.