Kompania “Munishi” pasurohet në Wil me një objekt kapital 6 shekullor

 

Në përurimin e objektit për nevoja të administratës e me disa  apartamente banimi, krahas miqve afaristë, mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Bernë,  Sami Ukelli, i cili edhe përgëzoi pronarët për ngritjen e kësaj kompanie në kushtet e një konkurrence të fortë , siç është kjo e tregut zviceran. –Kompania është rezultat e kryefamiljarit Nue Munishi, që migroi nga Kabashi i Vitisë në vitin 1973, meqë rast krahas punës me një uzinë të vogël marangozësh, i tëri u përqendrue edhe në frontin e ngritjes profesionale të tre djemve, të cilët me punën e tyre bënë që sot “Munishi AG” të njihet jo vetëm brenda kantonit të St.Galenit, por edhe më gjerë në shtetin helvetik

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Disa nga firmat në Zvicër me pronarë shqiptarë, tashmë me punën e tyre kanë bërë emër jo vetëm në mesin ku veprojnë për edhe në qarqet ekonomike zvicerane. E tillë është edhe firma «Munishi » me seli në Wil, e cila krahas objekteve të tjera, ditëve të fundit u pasurua edhe me një objekt kapital të ngritur 6 shekuj më parë. Në përurimin e objektit të rinovuar për nevoja të administratës së firmës në zhvillim, në mesin e miqve afaristë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Bernë,  Sami Ukelli i cili edhe përgëzoi pronarët e firmës “Munishi” për ngritjen dhe avancimin e firmës në kushtet e një konkurrence të fortë , siç është tregu zviceran.

Objekti i posa inauguruar, siç na deklaroi Nikollë Munishi, vëllai më i vogël (nga tre vëllezërit Munishi), i cili edhe do të menaxhojë objektin, ku janë ruajtur afresket 6 shekullore, në përputhje me ligjet e vendit. Mësuam se këtu krahas disa apartamenteve të banimi janë nxjerrë edhe disa lokale afariste shumë të veçanta, që e kanë ngrit disa herë vlerën e kapitalit të porsainvestuar.

Veprimtarinë dhe rritën e kësaj ish-minifirme të ngritur në një kompani me renome e kam përcjell për më tepër se dy dekada, aq më parë që ajo e filloi punën me një punëtori zdrukthëtarie, nga duart e vyeshme të kryefamiljarit me tre djemtë e tij.

Nga viti në vit “Munishi AG”, nga një punëtori e vogël u kthe në një firmë me renome, duke qenë e pranishme jo vetëm në tregun zviceran por edhe më gjerë. Prej 20 vjetëve në qytetin e Wilit me shumë sukses vepron kjo firmë  me pronar shqiptarë me prejardhje nga Kabashi i Vitisë.

Kryefamiljari Nue Munishi, që migroi me familje në vitin 1973, tash në pension, punën e filloi me një uzinë të vogël marangozësh, e ndërkohë firma u rrit dhe bëri emër jo vetëm në kantonin e St. Galenit, por edhe në Zvicër e më gjerë.
Ndonëse veprimtaria e «Munishit» ishte prodhimi i mobilieve dhe rregullimi i ambienteve të banimit, sot kjo firmë i ka zgjeruar kapacitetet dhe veprimtarinë, falë tre djemve të Nues: Gjergjit, Franklinit e Nikollës, që migruan këtu në moshë të re, por që iu përvishen shkollave profesionale e specializimeve, kryesisht në fushën e përpunimit të drurit.

Më parë në Bronschhofenstrasse 81 Wil SG, “Munishi” AG” ngriti dhe inauguroi një objekt për plasmanin e produkteve të “Munishit”, siç janë kuzhinat dhe mobilierit tjera. Kështu brenda dy dekadash firma e vogël  “Munishit”, u ngrit në një kompani të vërtetë, jo vetëm sa i përket rritjes së kapitalit për në rend të parë ngritjes profesionale të tre djemve të familjes. Do veçuar këtu djalin e dytë të kësaj familje Franklin Munishi, i cili pasi ka diplomuar ekonomikun në Cyrih, krahas suksesit të treguar në biznesin familjar u shqua edhe në politikë si deputet në Bashkinë e qytetit të Wilit.