Klubi Rotary Ferizaj ndau edhe 27 bursa të reja studentore  

Nga radhët e donatorëve mbi një e treta janë nga mërgata, ndërsa konkurruan 346 studentë, mbetet të shpresohet se do të këtë gatishmëri edhe nga donatorë të tjerë, aq më parë që vjet pati 43 bursa.- Në emër të donatorëve falënderoj anëtarët e Klubit Rotary Ferizaj, disa nga të cilët janë edhe vet donatorë, për menaxhim të jashtëzakonshëm tash e mbi 7 vjet me radhë, si dhe të gjithë ata që dikur ishin bursëmarrës dhe që tash janë në rolin e bursëdhënësve

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Mbrëmë në lokalet e Fakultetit të Shkencave Aplikative në Ferizaj, u organizua një ceremoni rasti nga ana e Klubit Rotary Ferizaj, për dorëzimin e kontratave studenteve dhe studentëve që përfituan bursën në saje të plotësimit të kritereve, që ndërlidhen me gjendjen ekonomike dhe suksesin në studime. Paraprakisht profesor doktor Hazir Gashi i njoftoi studentët me rrugëtimin dhe veprimtarinë e Klubit Rotary Ferizaj, projektet që realizon ndër vite në disa sfera, sidomos në fushën humanitare dhe kulturo- arsimore. Më pastaj ekonomisti Afrim Konjufca, që menaxhon prej mbi tri dekadash me shum ë profesionalizëm e përkushtim fondet e bursave solidare, foli për kriteret e ndarjes së bursave, të cilat nga ky vit shkollor nga 50 do të jenë 70 euro në muaj, por që krahas kësaj duhet shtuar edhe përgjegjësia e vet studentëve për një sukses sa më të madh në studime.

Në një fjalë përshëndetëse që pata para studentëve, ku ishte edhe një numër i mirë i rotarianëve ferizajas, shpreha falënderimin për punën e mirë, plotësisht vullnetare që bënë Klubi Rotary Ferizaj dhe se deri sa bëhet një punë me kaq përkushtim e transparencë, nuk kemi pse të ngurojmë edhe ne donatorët që të kontribuojmë në këtë fond për aq sa na lejojnë mundësitë. Aq më parë që edhe disa nga ne, në saje të një burse dikur kemi arrit të shkollohemi. Ndaj edhe secila gjeneratë ka obligim të ndihmojë gjeneratën tjetër që është edhe ardhmëria jonë.

Me këtë rast mësuam se kërkesat në këtë vit shkollor ishin jashtëzakonisht të mëdha pasi siç potencuan anëtarët e komisionit pati 346 kërkesa dhe se Klubit Rotary Ferizaj në këtë vit akademik, pati mundësi në saje të gatishmërisë së donatorëve t`u ndajë bursa vetëm 27 studentëve të komunave Ferizaj dhe Shtime, që tu dalë në ndihmë në përputhje me rangimin që patën sipas pikave që mbështeten në gjendjen ekonomike e sukses.

Në kumtesën e klubit thuhet se: “Sot e kishim nënshkrimin e kontratave dhe të shpresojmë se mundi i donatorëve nga Klubi Rotary Ferizaj, bashkatdhetarëve nga diaspora dhe afaristëve të Ferizajt e Shtimes do të shpërblehet me rezultate në mësim dhe në krijimin e një elite të rinjsh me të cilët do të krenohemi në të ardhmen. Donatorëve shumë falënderime, ndërsa studentëve përfitues shumë suksese!”.

Do theksuar se mjetet janë donacion i donatorëve privat nga Ferizaj e mërgata, por edhe nga vet anëtarët e këtij klubi që menaxhon me shumë angazhim e përkujdesje këtë fond, me shpresën se numri i bursëmarrësve, por edhe bursëdhënësve po rritet nga viti në vit. Do përmend se krahas donatorëve vendas, një e treta e donatorëve janë nga mërgata, e që kjo ka ndodhë edhe në këtë vit akademik.

Dhe krejt në fund gjithsesi do përmend se duke i parë këta studentë sheh ardhmërinë e një brezi të shkëlqyeshëm përplot elan e vullnet për dije, gjë që kjo do të kurorëzohet me sukses, aq më parë kur sheh se këta djemë e vajza që edhe në kushte tejet të kufizuara ekonomike, ua kanë mësy katedrave universitare. Me të përfunduar të ceremonisë së nënshkrimit të kontratave të shoqëruar nga profesorët e këtushëm vizituam kabinetet dhe laboratorët e këtij universiteti, meqë rast mbetëm të fascinuar me pajisjet moderne që janë aty në shërbim të studentëve.