Klubi i Motoristëve “Plisat” në Arbon- 2.500 franga për shtatoren e Skënderbeut në Hora të Arbëreshëve

 

Që nga momenti që Shoqata »Hora e Skënderbeut» nga Zvicra ka marrë përsipër detyrën me shumë përgjegjësi për ngritjen e monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu te Hora e Arbëreshëve në Sicili nga mërgimtarë, klube, shoqata e biznese, po shfaqet një solidaritet i madh vëllazëror për të kontribuar me mjete financiare për ngritjen e këtij monumenti në Hora të Arbëreshëve, që njihet edhe si Kryeqendra e identitetit Arbëror.

Nga Rexhep Rifati 

Kështu, pikërisht në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, gjatë festimit të kësaj date historike, Klubi i Motoristëve “Plisat” me seli në Arbonë, në saje të solidaritetit të anëtarëve të tij, por edhe të mërgimtarëve të tjerë të ardhur nga shtete tjera Evropiane dhe nga Amerika për të festuar së bashku, që të gjithë shprehen vullnet për të ndihmuar projektin e shtatores si dhuratën më të përzemërt për motrat dhe vëllezërit arbëresh.

Edhe vet atmosfera e mbrëmjes ishte shumë e hareshme dhe përzemërt, meqë rast atë e bënë edhe më tërheqëse Rapsodët e Gollakut në përbërje: Sefedin Berisha, Halim Gërbavci , Afrim Leka dhe Naim Hajdari, të ftuar nga “Plisat” e Arbonës.

Në këtë atmosferë, sa festive aq edhe gazmore, mjaftoi që aktori i grupit “Aktrimi”, Fikrim Morina, që pas disa pikash humori, të apelojë te të pranishmit për të kontribuar  për shtatoren e Skënderbeut për vëllezërit arbëresh dhe pa u mbush as dhjetë minuta të të grumbullohen 2.500 franga, e që në këtë vlerë hynë edhe dollarë amerikan e euro evropian.

Por mesa mësuam kjo nuk është hera e parë që Klubi “Plisat” tregon një solidaritet kaq të madh vëllazëror, sepse “PLISAT”, që udhëhiqet nga Presidenti, Agron Azemi, Vice Presidenti, Driton Kelmendi, organizatori, Fadil Murina, kapiteni Jeton Azemi, arkëtari, Florim Mehmeti dhe sekretari, Kushtrim Kryeziu, me një anëtarësi prej 73 motoristësh, kanë ndihmuar edhe projekte të tjera humanitare e kombëtare, ndonëse projekt të përhershëm kanë organizimet e udhëtimeve jo vetëm në vendet perëndimore, por edhe në trojet shqiptare, sidomos në ato vende që kanë peshë historike e kulturore. .

Sa për informim, Klubi “Plisat” daton që nga viti 2005, kur startoi vetëm me 18 motoristë shqiptarë, për të katërfishuar sot këtë numër.

Me këtë rast Shoqata “Hora e Skënderbeut” nga Zvicra, falënderon “Klubin Plisat”, me dëshirën që të jetë pjesëmarrës me anëtarët e tij edhe me rastin inaugurimit të shtatores së Kryetrimit tonë në Hora të Arbëreshëve me 30 Gusht 2024, kur edhe krahas këtij akti solemn festohet edhe dita e themelimit të Horës Arbëreshëve, e që figuron nga viti 1488 kur një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara u shpërngulën në këtë truall italian, për ti dhënë atij për rreth 550 vite frymë e kulturë shqiptare.