Këtu ka një problem!

Kush e njeh shqipen, nuk mund të qëndrojë indiferent faqe asaj çfarë po ngjet në Shqipëri. Dhe atje Kryeministri i ka fituar zgjedhjet parlamentare. Madje me rritje votash. Pas tetë vjetëve në pushtet. Ndërkohë që në politikë njihet si një aksiomë fakti që qeverisja të harxhon. Pushteti të harxhon edhe të jesh i sukseshëm. Jo më nëse qeverisjen e përshkojnë skandale njëri më i rëndë se tjetri. Katalogu i të cilëve fillon me futjen e kriminelëve në parlament, kanabizimin e vendit dhe nuk mbaron me shembjen e Teatrit dhe patronazhimin ilegal partiak. Mjafton fakti që ai dështoi në mënyrë spektakolare në tetë vjet të hapë negociatat me Unionin Evropian. Ngeli mbrapa vendeve të rajonit, dërkohë që pushtetin e mori në avantazh kundrejt tyre. Këtu ka një problem!

Kryeministri ishte pazakonshëm modest kur u shpreh se ai është dy hapa para kundërshtarëve të tij politikë. Në fakt, ai është 20 hapa para tyre. Ai është kujdesur që të ofrojë në orbitën e tij aktorë të jetës publike nga vendorët te ndërkombëtarët. Për më tepër, atij i ka shkuar përdore t’i rekrutojë njerëzit e afërm të kundërshtarit të tij politik. Funksionarë, ish ministra dhe deputetë të tij. Madje dhe figura nga estrada që identifikoheshin me opozitën mërguan te Kryeministri. Bashkëpunëtorë të ngushtë të saj koloviten në prehërin e Kryeministrit. Medie që tradicionalisht i kanë mbajtur anën opozitës e ndërruan pllakën dhe portretin e Kryeministrit e kanë varur në qafë. Gazetarë që për Kryeministrin kanë nxjerrë gjëra që nuk thuhen, tani janë bërë mish e thua me të. (Kjo flet jo vetëm për moralin e njërit, por edhe për atë të tjetrit!) Biznesmenë që i ka promovuar kundërshtari nuk mungojnë në asnjë arkëhapje të Qeverisë, në asjnjë orgji të qeveritarëve. Ca të huaj duken si të ishin shokë shkolle të Kryeministrit, nganjëherë madje si asistentë të tij. Këtu ka një problem!

Është një sekret publik që kjo fitore e Kryeministrit nuk është kaq e kulluar sa ç’shitet. Atë e errësojnë evidencat për blerjen e votës, përdorimin e administratës në fushatë, përdorimin e fondeve publike për qëllime mobilizimi politik, punësimet në administratën shtetërore, përdorimi i të dhënave konfidenciale të qytetarëve në dobi të partisë, përdorimi i bandave, numri i jashtëzakonshëm i fletëve të pavlefshme të votimit, vendosja e karantinës për emigrantët nga Greqia ditën e votimit, heqja arbitrare e së drejtës së koalicioneve në Kodin Zgjedhor, përdorimi i policisë, përdorimi i drejtësisë dhe të tjera, dhe të tjera. Interludi i avazit të manipulimit të zgjedhjeve të Dibrës më 2016 dhe atyre në Shijak e Durrës e në të gjithë vendin më 2017. Denoncimi i të cilave është fjetur nga drejtësia e re. Gjetjet e mësipërme mbase do të reflektohen në raportin përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët e kanë fjalën e fundit në këtë dava. Ato mbase do të provohen edhe në instancat e ankimimit dhe në finale edhe ta lëvizin rezultatin. Por, njohjes së tij i parapriu, para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror, Ambasada e Shetetve të Bashkuara të Amerikës dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Këta i njohën zgjedhjet menjëherë dhe e uruan Kryeministrin! Kjo interpretohet ashtu sikur mund të ndodhë ç’të dojë, Amerika e do Kryeministrin. Sepse, sipas ithtarëve të tij, ai është proamerikani. Këtu ka një problem!

Kur e shqyrton vokacionin e klasës politike qeverisëse nuk i shmangesh sfondit ideologjik komunist në të cilin është socializuar ajo. Kjo klasë del më e identifikuar me të kaluarën komuniste se të gjitha qeveritë socialiste deri më tani. Vetë Kryeministri vjen nga nëna e nga baba prej nomenklaturës së regjimit të kaluar. Pastaj ish ministri i Jashtëm, të cilin e sikterisi një ditë, pastaj burri i ish gruas së tij, pastaj Tërmeti… Për të përmendur vetëm ndonjë nga të cilët e mbajnë edhe mbiemrin e të parëve komunistë, e që ishin edhe komunistët e parë. Madje në këtë klasë janë gjetur edhe pinjollët e të ekskomunikuarve të sistemit. Më mirë thënë, e të pushkatuarve të tij, si puna e ministres së legalizimeve elektorale. (Ministri i fundit i Brendshëm i sistemit të vjetër tani është kryetar i Kuvendit.) Cili ishte raporti i këtyre njerëzve me Amerikën dhe vlerat e lirisë, një shmebull? Më 1988 Byroja Politike u mblodh në një mesditë e i dha karar: Një poet e çoi në litar! Një ndër nënshkruesit e vendimit për varjen e Havzi Nelës ishte i ati i Kryeministrit. Për të cilin ai sot thotë se ka qenë në anën e duhur të historisë. Këtu ka një problem!

Në historinë e re të vendit, kur Kryeplaku i opozitës së sotme në vitet ’90-të negocionte integrimin në NATO me sekretarin e ndjerë gjerman Manfred Werner, lideri historik i partisë së Kryeministrit deklaronte se organizata ka një duzinë anëtarësh, kurse bota ka 190 shtete. Pra nuk kemi ndonjë zor të integrohemi aty. Kurse ministres së Jashtme në detyrë ia kujtojnë vazhdimisht si e asocionte NATO-n me natën. Vetë Kryeministri ka një llogari të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkaku i marifetit të tij për të siguruar atë fotografinë me presidentin Obama për fushatën në Shqipëri. Për më tepër, Qeveria e tij është kapur hapur në vjedhje të dhjetëra miliona eurove në projektin e Unazës së Re në Tiranë, ku e kanë përfshirë keqas me falsifikimin e nënshkrimit edhe Sekretarin e Shtetit të Delawarit. (Dhe dy protagonistët kryesorë të këtij skandali Kryeministri së fundmi i çoi si udhëheqës të fushatës zgjedhore në qytetin e tij të kandidimit, Vlorë.) Kryeministri ka manifestuar një fiksimin pas mikut të carit të ri rus, Spitalndërtuesit të Bosforit, jo vetëm duke i përndjekur me të njëjtin pasion kundërshtaret e tij dhe duke votuar pas avazit të tij në forume ndërkombëtare. (Nuk di një vend tjetër përveç Shqipërisë t’u kishte ngritur një epitaf homazhi të rënëve të grushtshtetit të 2016-tës kundër këtij.) Kurse investitorët për bregdetin shqiptar, në kundërshtim me përcaktimet e Stabilizim Asociimit, i gjen në botën arabe. Këtu ka një Problem!

Gjithçka është ashiqare, por kjo nuk e pengon Ambasadën Amerikane ta favorizojë ashiqare Kryeministrin. Ajo ia shtroi atij udhën për ta kapur drejtësinë e re. Guri i parë kilometrik i kësaj ishte mbase përkrahja e zgjedhjes antikushtetuese të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, e cila për aq sa qëndroi në detyrë i shthuri dosjet kundër njerëzve të qeverisë. Ato për korrupsionin dhe ato për manipulimin e zgjedhjeve në 2016-tën dhe 2017-tën. Ajo i përkrahi marifetet e magjistarit të emrimeve në drejtësinë e re, i cili u gjet hapur në shkelje gjatë procesit të konstituimit të Gjykatës Kushtetuese. Kapërcimet e tij i konstatoi autoriteti më i gjithëpranuar ndërkombëtarisht për drejtësi, Komisioni i Venecias. Ata s’i pengoi kjo që njeriun e diskualifikuar ta laureonin si kampion të luftës kundër korrupsionit. Ata e njohën parlamentin e shëmtuar me deputetë të blerë nga Kryeministri pas djegjes së mandateve nga opozita dhe i njohën zgjedhjet moniste lokale, për çka dukej i turpëruar edhe vetë Kryeministri. Ajo heshti dhe me këtë e miratoi shembjen e Teatrit Kombëtar. Opinioni është me të drejtë i paqartë. Presidenti i vendit ka ngritur pothuajse teori konspiracioni. Gjithsesi, raportet e Departamentit të Shtetit e kanë nxirë vazhdimisht punën e Qeverisë në çështje të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, korrupsionit, pastrimit të parave dhe çfarë jo tjetër. Këtu ka një problem!

Një fantazmë po sillet nëpër Ballkan. Projekti shumë i dyshimtë për ndryshimin e kufijve, para së gjithash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas një hovi të dështuar, ky plan po riciklohet në një mënyrë akoma më misterioze, në trajtën e një dokumenti pa autor. Aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe shqiptarë, si Carl Bild e Sonja Biserko dhe Edita Tahiri e Ramush Haradinaj e të tjerë, janë shprehur se këtë plan, përkrah Aleksandrit të Serbisië, e ka promovuar edhe Kryeministri i Shqipërisë. (Duke e rekrutuar këtu edhe ish Presidentin e Kosovës.) Një vëllazëri lindi vetëtimthi mes këtyre të dyve që në takim të parë në Beograd, sa Kryeministri herën e dytë e citoi Ivo Andriqin. Dhe më pas e hodhi në gjyq një kryeministër të Kosovës. Kryeministri është një figurë e prerë për shpërfillje rregullash. Të shkruara e të pashkruara. Ai, e ka thënë vetë, sfidën e ka me historinë. Qenia e tij shtyhet nga dëshira e papërmbajtur për pushtet dhe protagonizëm. E gjithë performansa e tij i detyrohet kësaj medësie dhe këtij zelli. Planin për ndryshimin e kufijve s’e ka sharë kurrë. Përkundrazi. Në Parlamentin e Kosovës njëherë e dha sihariqin e një pesidenti mbarëkombëtar. E kush do të ishte presidenti i parë mbarëkombëtar? Kush pos atij që e bën historinë. Babai i kombit! (Ndonëse në histori hyhet edhe si Ataturk, edhe si Ali Baba…!) Fatos Lubonja pandehi në një moment: Arsyeja e përkrahjes së pakusht të Kryeministrit nga amerikanët mund të ishte se ata e kanë vetë ndërmend ndryshimin e kufijve, dhe për këtë iu duhet një aktor i përshtatshëm dhe mirënjohës në Shqipëri që nuk përton të ndërhyjë në Kosovë. Opinionit i kujtohet bekimi i të gjitha mbrapshtive të Kryeplakut të opozitës së sotme në të ’90-tat nga amerikanët, deri edhe burgosja e kryetarit të opozitës, vetëm ai t’i kishte në kujdes kosovarët të mos shkonin në kryengritje të armatosur. Nëse Kryeministri ruhet për këtë dakik, atëherë: Këtu ka një problem!