U mbajt Kuvendi i “Shkollës Shqipe” – LAPSh “Naim Frashëri” për kantonin e St. Gallen
Në një atmosferë pune dhe bashkëpunimi të ngrohtë më, 09 nëntor 2025 në qytetin Buchs, u mbajt Kuvendi i Bashkimit të “Shkollës Shqipe” – LAPSh “Naim Frashëri” për kantonin e St. Gallenit. Në këtë kuvend morën pjesë mësues nga të gjitha pikat shkollore të kantonit, si dhe përfaqësues apo kryetarë të Këshillave Prindërorë të shkollave shqipe në këtë kanton. Ky Kuvend u cilësua si një kuvend bashkimi ndërmjet mësuesve dhe prindërve shqiptarë, në shërbim të gjuhës, arsimit dhe kulturës sonë kombëtare.
Në një atmosferë pune dhe bashkëpunimi të ngrohtë më, 9 nëntor 2025 në qytetin Buchs, u mbajt Kuvendi i “Shkollës Shqipe” – LAPSh “Naim Frashëri” për kantonin e St. Gallenit. Në këtë kuvend morën pjesë mësues si dhe përfaqësues e kryetarë të Këshillave Prindërorë të shkollave shqipe.
Ky bashkërendim i punëve dhe veprimtarive tona arsimore u vlerësua si një kuvend bashkimi ndërmjet mësuesve dhe prindërve shqiptarë, në shërbim të gjuhës, arsimit dhe kulturës sonë kombëtare.
Në takim morën pjesë bashkëkryetari i LAPSh “Naim Frashëri” për Zvicrën, prof. dr. Vaxhid Sejdiu, anëtarë të Kryesisë Kantonale, mësues dhe shumë prindër të përkushtuar që kanë në qendër të vëmendjes ruajtjen dhe identitetin kombëtar.
Përkushtim dhe zgjerim i rrjetit të shkollave shqipe
Në fjalën e tij, z. Sejdiu theksoi suksesin për pikat e reja shkollore që janë hapur kohëve të fundit në: Rebstein, Wittenbach, Gossau, Widnau, Heerbrugg, Abtwil, Grabs, Oberriet, Rorschach, Rappersewil-Jona e të tjera.
Aktualisht, Kantoni i St. Gallenit numëron 13 mësues e mësuese dhe mbi 240 nxënës në 20 pika shkollore aktive, duke e bërë atë një nga kantonet më të suksesshme në rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër.
Dr. Sejdiu theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet mësuesve dhe prindërve shqiptarë në mërgatë. Ai falënderoi të gjithë veprimtarët që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar për gjuhën dhe kulturën tonë, shpesh përmes një pune plotësisht vullnetare.
Zgjedhjet e reja dhe raportet e punës
Gjatë Kuvendit, arkëtari i LAPSh për kantonin St. Gallen z. Adnan Fazliu prezantoi raportin financiar dhe z. Mehmetali Sherifi raportin e punës, të cilët u miratuan njëzëri nga të pranishmit.
Pas miratimit, Kuvendi kaloi në zgjedhjet e reja të kryesisë kantonale, ku në një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi u zgjodhën:
Kryetar: z. Rexhep Rexhepi
Nënkryetar: z. Bleron Ademi
Sekretare: znj. Valbona Alili
Në ditët në vijim pritet të mblidhen mësuesit në takimin e Këshillit të Arsimtarëve, ku do të trajtohen tema pedagogjike dhe do të planifikohen mënyra konkrete për rritjen e numrit të nxënësve në bashkëpunim me prindërit shqiptarë të këtij kantoni.
Takimi u nbajt në rrethana të mirëqena që përshkohet nga respekti, uniteti dhe dëshira e përbashkët për ta çuar përpara misionin fisnik të “Shkollës Shqipe” – LAPSh. “Naim Frashëri” në Zvicër.
Dhe në fund kryetari i porsazgjedhur Z. Rexhep Rexhepi falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe besimin e dhënë në misionin e përbashkët për ruajtjen, përkushtimin dhe dashurinë ndaj gjuhës shqipe – gjuhës së zemrës sonë!
“Shkolla Shqipe” – L.A.P.Sh. “Naim Frashëri”
për Kantonin e St. Gallenit
Sektori për Informim i «Shkollës Shqipe» – Zvicër






















