Varfëria nuk është krim

E drejta për mbështetje në situatë emergjente është një e drejtë themelore. Kjo është e garantuar edhe në kushtetutë dhe është në dispozicion të të gjithë njerëzve në Zvicër. Mirëpo, faktikisht migrantet e migrantët nuk mund të shfrytëzojnë këtë të drejtë. Pasi kështu ata për shkak të ndihmës sociale mund të humbasin lejen e qëndrimit ose qëndrimit të përhershëm dhe të dëbohen nga Zvicra. Aleanca dëshiron të luftojë këtë diskriminim ndaj migrantëve.

(Huazuar nga gazeta e sindikatës Unia në gjuhën shqipe, Horizonte Nr. 1, 2021, autore Marilia Mendes, adaptuar nga Osman Osmani) 

Kundër ashpërsimit të ligjeve të migracionit

Në fillim të krizës së Koronës, në mediat zvicerane mund të shiheshin pamje tronditëse. Në qytetet e pasura si Gjeneva dhe Cyrihu, njerëzit prisnin në radhë të gjata për shpërndarjen e paketave të ushqimit. Shpesh fjala është për migrante e migrantë me qëndrim të rregullt në Zvicër që për shkak të krizës së Koronës ishin në nevojë. Pse ata nuk u regjistruan në zyrën e mirëqenies sociale për ndihmë të ndihmës sociale? Për shkak se kishin frikë të rrezikonin të drejtën e tyre të qëndrimit në Zvicër. Shumë migrante e migrantë humbën (dhe vazhdojnë të humbin) vendet e tyre të punës për shkak të krizës së Koronës. Ata nuk duan të rrezikojnë që të dëbohen nga Zvicra.

Instrumentalizimi i ndihmës sociale

Kjo është e mundur sepse migrantet e migrantët mund të dënohen për ushtrimin e një të drejte. E drejta për ndihmë në nevojë është një e drejtë themelore. Por njerëzit pa pasaportë zvicerane që marrin ndihmë sociale mund të humbasin lejen e qëndrimit ose atë të qëndrimit të përhershëm dhe madje edhe të dëbohen nga Zvicra. Që kur Ligji për të Huaj dhe Integrim (AIG) hyri në fuqi në janar 2019, kjo mund t’u ndodhë të gjithë migranteve e migrantëve, pavarësisht sa gjatë ata jetojnë në Zvicër. Edhe nëse ata janë lindur apo rritur këtu. Në këtë mënyrë, ligji për migracionin instrumentalizon situatën e njerëzve në nevojë dhe marrjen e ndihmës sociale si një mekanizëm për kontrollimin e migracionit.

Kundër politikës represive të migracionit përmes shërbimeve sociale

Ashpërsimi i ligjit për të huaj është padrejtësi dhe duhet të korrigjohet. Për këtë qëllim, Partia Socialdemokrate (PS), sindikata Unia, SBAA dhe SAH Cyrih kanë krijuar një aleancë mbipartiake, pjesë e së cilës qysh nga fillimi është bërë edhe Shoqata prointerga.ch. Sepse të varfëritë nuk duhet që për varfërinë e tyre të diskriminohen dhe të ndëshkohen dyfishë. Samira Marti, deputete nacionale e PS, në emër të të gjithë anëtarëve të aleancës, theksoi: “Unë dua një shtet të mirëqenies që njerëzit i çliron e jo t’i tronditi. Momentalisht po ndodh e kundërta. Të huajt janë veçanërisht të ekspozuar kësaj tronditjeje, sepse rrezikohet e drejta e tyre e qëndrimit. Ky trajtim i pabarabartë, që ndjekin shërbimeve sociale përmes politikave represive të migracionit, më shqetëson jashtëzakonisht”.

Synimet e Aleancës

Aleanca synon që ashpërsimin e ligjit për migracionin ta adresojë në debatin publik dhe përmes hapave konkretë të ndërmarren kundërmasa. Njerëzit e prekur potencialisht duhet gjithashtu të thonë fjalën e tyre. Hilmi Gashi, Drejtues i Departamentit të Migracionit në Unia, mendon se “është çështje e vetëvendosjes të ngrihesh për të drejtat njerëzore dhe të luftosh padrejtësinë. Prandaj shpresojmë për një pjesëmarrje të madhe të shoqatave të migracionit ». Ashtu si Samira Marti, edhe Aleanca nuk dëshiron “të bëjë politikë me maninë e avokimit për të prekurit, por më tepër bashkë me ta të luftojë për të përmirësuar situatën e tyre”. Për të rritur presionin mbi institucionet, organizatat e shoqërisë civile duhet të qëndrojnë të bashkuara dhe të ngrenë zërin e tyre. Aleanca “Varfëria nuk është një krim” siguron një kornizë të mirë për këtë.

Shoqatat e organizatat e migrantëve mund të regjistrohen këtu: https://sp-ps.typeform.com/to/kuzX1GRS., ose mund të shkruajnë një E-mail në pol@unia.ch.

Dhe ne të gjithë, me ose pa një pasaportë zvicerane, mund të nënshkruajmë peticionin e Aleancës për parlamentarët dhe të mbështesim aktivitete të tjera: https://poverty-is-not-a-crime.ch/de/