Intervista me Sokol Olldashin, ish- ministër i punëve publike, transportit dhe telekomunikacionit

Më 29 shtator 2008 në Forumin Ekonomik Shqiptar, të mbajtur në Zvicër mori pjesë edhe Ministri i atëhershëm i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Me rastin e vdekjes tragjike të zotit Olldashi, në shenjë kujtimi për te po japim disa fragmente nga biseda me te , shoqëruar me foto nga ajo vizitë

 Rexhep Rifati

 Zoti ministër. Ju e patët sot këtu, një takim të Forumit Ekonomik Shqiptaro-Zviceran. Si u realizua kjo, kush e kishte iniciativën dhe si rrodhi takimi?

Në radhë të parë do ta vlerësoja si një takim shumë të mirë sepse është i pari i këtij lloji, në dijeninë time, që zhvillohet në mes të përfaqësuesve të biznesit zviceran dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare. Patëm mundësinë që edhe të japim një panoramë të situatës apo të mundësive që jep Shqipëria për biznesin privat, parë këtu edhe këndvështrimin e ri të vlerësimeve shumë pozitive që janë bërë nga Banka Botërore, që e kualifikoi Shqipërinë të dytën në botë për reforma dhe nga organizata “Transparence International” që e klasifikoi Shqipërinë në dhjetëshen e parë. Pra të gjitha këto janë elementë që i duhen serviur biznesit të huaj për t`i dhënë atij një panoramë të drejtë për mundësitë që paraqet Shqipëria. Pati interes nga kompanitë dhe biznesi zviceran dhe shpresoj që ky interes të jetë i vazhdueshëm. Përtej takimit, unë kam pasur kontakte me disa prej përfaqësuesve të biznesit, të cilët shohin me kërshëri zhvillimet e sotme në Shqipëri. Le të shpresojmë që kjo është një etapë e parë e një bashkëpunimi që do të vazhdojë.

 Parashikoni që të ketë së shpejti edhe një etapë të dytë apo ndonjë takim të ngjashëm?

Besoj se etapa më e mirë e dytë nuk do të ishte një takim si ky, por interesi konkret i biznesit zviceran për Shqipërinë. Praktikisht, në Shqipëri operojnë disa kompani zvicerane, qoftë në sektorin e ndërtimit të rrugëve ose të tjera, që po marrin pjesë në tenderimet publike ose koncesione. Me një fjalë, ka interes për Shqipërinë. Rezultati më i mirë i këtij takimi do të duket kur ne të vjelim interesin e tyre konkret për sektorë konkretë të investimeve. Shpresoj që do të ndodhë.

Keni pritur që të kishte këtu edhe afaristë shqiptarë që jetojnë këtu që do të interesoheshin për investime?

Kishte disa, jo shumë, por kishte. Sigurisht që shqiptarët, qoftë në Zvicër ose kudo qoftë, në radhë të parë janë shqiptarë dhe mund t`i presim kudo, jo vetëm këtu.

Ai ishte kjo vizita e parë e juaj në Zvicër?

Po, ishte vizita e parë në cilësinë e ministrit të transportit.

Ka gatishmëri të shqiptarëve të këtushëm (nga Shqipëria ose Kosova) të investojnë në Shqipëri?

Sigurisht, ka shumë syresh që janë të gatshëm të investojnë siç ka edhe të tillë që kanë hapur tashmë bizneset e tyre. Shqipëria është një vend që po lulëzon dhe po paraqet mundësi për cilindo. Çështja është se kush ka inteligjencën e duhur për të kapur momentin e duhur

Fusha e turizmit u përmend më pak apo vetëm në vija të përgjithshme?

U përmend edhe kjo fushë dhe u prezantuan mundësitë që ofrojmë ne për turizmin. Po ashtu, pati edhe interes konkret nga disa kompani zvicerane edhe për këtë fushë.