Carl Spitteler
ZONJA DREKË
Bujkesha në arë i flet vogëlushit të saj:
“Kur Zonja Drekë vidhet arës me bereqet,
Vrik e mirë,
Si qelbës lehtë, si gjarpër rrëshqet,
Ruaju, bir!
Çunat në përparëse i mbështjell,
Plot e nga plot,
Dhe i shpie në një vend të thellë,
Që s’e gjen dot.
Një melhem e zien në kazan,
Lulëkuqe brenda i fut.
Kokën flokëkaçurrele të lanë
Gjer në shputë.
Atëherë je magjepsur, mor rroç fatkeq,
Pa mendo njëherë!
Zemër, mend, kujtime t’i heq,
Të gjitha përnjëherë.
S’e di shtëpinë as prindërit vetë,
Mor faqezi!
Dhe dukesh si një çupkë e lehtë.
Kjo s’bën assesi”.
I PËLQYERI
Unë jam Katrina
Nga Petervardina.
Në Veiskirh, ent vendor,
Të gjithë burrat i kam në dorë,
Maxharë e ciganë,
deri gjermanë.
Çfarë fsheh në mua,
Që s’begenisin tjetër grua?
Janaushek burri
Nuk më shqitet nga ushkuri.
Vetëm Kazimirin e shquar
E qas për të vallëzuar.
Venceli, Janozi, Racivili, pa mbarim,
Luajnë pas avazit tim.
Kudo që kokën nxjerr
Ka gosti e sherr.
Kush nuk shtrihet i prerë,
Bëhet verem e vrer.
Benedikt zotërinë
E shtruan në çmendinë.
I çifligarit pinjoll
U arratis në Anadoll.
Franc është varë,
Fridel është vrarë.
Vetëm Diter s’më sillet pranë,
Për të zemra më qan.
MARINARI I LUMTUR
Gjashtë marinarë guximtarë e të gëzuar
Brohoritnin në erë me grykë e me duar.
Zahire e mall liqeni ua rrëzoi.
Pesë marinarë ulërinë: “Oi, oi!”
Por ama i gjashti brohoriti: “Hopa!”
Shtëpi e katandi si i zhdukej kur e pa.
Dhe kur e pyetën pastaj të pesë,
Kush ishte arsyeja dhe shkaku i haresë:
“Qe dy herë”, qeshi ai, “m’ikin në shkulm
Këmishë dhe xhaketë dhe oborr dhe kulm!”
Përzgjodhi dhe përktheu: Kujtim Shabani
Redaktore: Vjollcë Berisha
Recensent: Prof. Dr. Dr. Naxhi Selimi
Përgatiti për shtyp: Skënder Hajdari
Shtypin e mbikqyri: Besnik Emini
Botues: b’identitas, Zürich – syth, Tetovë 2021
Gjendet në Tetovë dhe Shkup dhe Prishtinë.
Në Zvicër: ndiqni linkun https://biidentitas.ch/publikationen/