Viti 2024 është vit i rëndësishëm për pensionet e pleqërisë. Në mars votohet për dy nisma në lidhje me pensionin e pleqërisë – shtyllën e parë të sigurimeve shoqërore – AHV/AVS dhe në vjeshtë do të votohet edhe për pensionin profesional të arkave të pensionit – të shtyllës së dytë të sigurimeve sociale – BVG/LPP. Qytetarët zviceran me të drejtë vote kanë shansin, që më 3 mars të votojnë me PO për një pension të 13-të të pleqërisë dhe kështu të bëjnë diçka konkrete kundër shtrenjtimit, i cili sot kapërdin një pension të plotë mujor.
Një pension mujor shkon vetëm për të mbuluar shpenzimet e inflacionit
Sot, rritja e qirave, premive të sigurimeve shëndetësore dhe çmimet e energjisë e hanë pensionin e një muaji të tërë. Kështu që është koha e fundit që diçka të ndryshojë. Pensionistët meritojnë një pension të 13-mujor me qëllim që t’ia dalin mbanë në pleqëri dhe të mos rrëshqasin më thellë në varfëri.
Kjo është arsyeja pse ky votim është kaq i rëndësishëm. Pra, nëse votoni me PO më 3 mars 2024, do jepni një kontribut për njerëzit që kanë punuar e do të vazhdojnë të punojnë shumë, andaj edhe meritojnë një jetë me dinjitet.
Migracioni është i mirë për fondet pensionale
Migracioni ndikon në mënyrë të favorshme në fondet e sigurimit të pensioneve të pleqërisë AHV/AVS. Ky efekt i njohur deri tash është vërtetuar edhe njëherë nga një grup shkencëtarësh të Universiteteve zvicerane. Dhe ky trend do të vazhdoj edhe në dekadat e ardhshme. Sipas Entit Federal për Statistika, migrantët paguajnë më shumë në fondet e pensioneve (32 %), se sa që nxjerrim përfitime (18 %). Kjo për shumë arsye.
Zakonisht migrantet dhe migrantët janë mesatarisht të moshës së re dhe janë aktiv në tregun e punës. Faktor tjetër janë pensionet më të ulëta që marrin në krahasim me pensionistët vendas, për arsye të pagave të ulëta por edhe për faktin se migrantet dhe migrantët kanë më shumë boshllëk të kontributeve. Si pasojë e kësaj edhe pensionet janë të reduktuara. Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve vendos që moshën e pensionimit ta kaloj në vendin e prejardhjes. Me këtë rast ata pensionin e marrin në vendin e prejardhjes, por nuk kanë të drejtë në shërbime shtesë (Ergänzungsleistungen / prestations complémentaire). Dhe së fundi është edhe kohëzgjatja e përfitimeve nga pensionet. Hulumtimet e shumta tregojnë se jetëgjatësia e migranteve dhe migrantëve është mesatarisht pesë vjet më e ulët se sa e vendasve.
Ndërlidhja e pensioneve me të ardhurat e realizuara gjatë jetës aktive
Për shkak të arsyeve të shumta, sidomos atyre strukturore, migrantet dhe migrantët mesatarisht fitojnë më pak se kolegët e tyre zviceranë dhe për këtë arsye janë më pak në gjendje të kursejnë më pak kapital për kohën pas moshës së punës aktive. Migrantet e migrantët që punojnë në sektorët me pagë të ulët dhe sidomos gratë, nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë sa duhet e në disa raste edhe nuk kanë fare kontribute në shtyllën e dytë të sigurimeve shoqërore. Te gratë arsyet janë të ndryshme, por më së shumti ndikon paga e ulët e ndërlidhur me përqindjen e ulët të punësimit, për shkak të punës së kujdesit në shtëpi.
Të gjitha këto kategori të përmendura, të cilat pak ose aspak fare nuk kanë shtyllë të dytë, në pleqëri janë të varura të sigurojnë jetesën e tyre vetëm nga pensioni i AHV/AVS. Këto pensione janë të ulëta dhe për migrantet dhe migrantët, të cilët shpesh vonë kanë filluar të paguajnë në arkat e pensionit. Pensioni maksimal i shtyllës së parë është 2450 franga. Kurse pensioni minimal në Zvicër është 1225 Franga në muaj. Shumica e pensionistëve, për të përballuar kostot e jetesës, janë të varur nga përfitimet shtesë dhe mbështetja nga familjarët e tyre.
Jo nismës për pensione të liberalëve të rinj. Jo rritjes së moshës së pensionit
Më 3 mars votohet edhe për të ashtuquajturën “nismë për pensione“. Propozimi i liberalëve të rinj synon që moshën e daljes në pension ta lidhë me jetëgjatësinë. Ata fillimisht duan që dalja në pension të fillojë me 66 ose 67 vjeç dhe pastaj gjithmonë të rrisin më tej moshën e daljes në pension. Jetëgjatësia e migrantëve është mesatarisht 5 vjet më e ulët se ajo e njerëzve të lindur këtu. Nuk është korrekte të pritet nga njerëzit, të cilët çdo ditë bëjnë punë të rëndë fizike të punojnë derisa të vdesin. Kjo është e padrejtë e anti-sociale dhe rrezikon solidaritetin ndërmjet gjeneratave.
Rëndësia e komunitetit tonë
Komuniteti shqiptar në Zvicër është drejtpërsëdrejti i prekur nga këto tema. Në njërën anë nga pensionet e vogla dhe në anën tjetër edhe nga ngritja eventuale e moshës së pensionit.
Duke u nisur nga fakti, se komuniteti ynë ka shumë të natyralizuar, të cilët e kanë të drejtën e votës, nevojitet edhe përgjegjësia qytetare përkatëse. Me anë të votës këtu mund të bëhet diçka në të mirë të pensionistëve të tashëm dhe të ardhshëm, por edhe në përgjithësi në të mirë të rritjes së fuqisë blerëse të pensionistëve, të cilët jo rrallë arrijnë të mbijetojnë edhe falë mbështetjeve financiare nga familjarët e tyre, të cilët janë solidar edhe jashtë normave të cilat mbretërojnë në Zvicër. Ky solidaritet mes gjeneratave duhet të mbizotëroj edhe në votimet e ardhshme. Andaj, shfrytëzoni të drejtën e votës dhe dilni në votime.
Hilmi Gashi
Përgjegjës për grupet e interesit në sindikatën Unia




















