Hora e Arbëreshëve ruan me dashuri gjuhën, traditën dhe simbolet kombëtare

Gjatë vizitës në këtë qytezë arbëreshe me mbi 6.500 banorë, mësuam se Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali. Gjatë pranimit, tek kryetari i Bashkisë z. Vitos Skalia, me disa nëpunës komunikuam mjaft mirë shqip, ndërsa që nxënësit arbëresh mësojnë shqipen dy orë në javë në kuadër të mësimit të rregullte të gjuhës italiane.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati (Raport special për prointegra.ch)

 

Sa për njoftim, Hora e Arbëreshëvet (ItalishtPiana degli Albanesi) është një qytezë arbëresh me mëse 6.500 banorë në Krahinën e Palermos, të rajonit të Sicilisë në Itali dhe njëherësh njihet si kryeqytet i arbëreshëve. Pra, është një nga bashkësitë më të madha e komuniteteve historike shqiptare të Italisë, apo edhe qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë.

Nga ajo që pamë e përjetuam gjatë vizitës së djeshme pamë se Hora e Arbëreshëve, ka ruajtur shumë elemente etnike, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

E veçanta tjetër është se Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali. Gjatë pranimit që patëm tek kryetari i Bashkisë z. Vitos Skalia, me disa nga nëpunësit komunikuam mjaft mirë shqip, ndërsa që nxënësit , kryesisht arbëresh, mësojnë shqipen dy orë në javë në kuadër të mësimit të rregullte.
Flamuri kombëtar shqiptar pos që valëvitë në objekte private e publike ai është edhe në vet ndërtesën e bashkisë, Ndërsa që në një shesh ndodhen edhe busti i Skënderbeut dhe Nënës Terezë.

Mikpritjen e rrallë, arbëreshët e këtij lokaliteti e dëshmuan edhe gjatë ditës së djeshëm kur për qindra të ardhur nga trojet shqiptare e mërgata në kuadër të lojës së Shqipërisë me Itali,  kishin përgatit ushqime të shumta. Ndërkohë ishte caktuar edhe një ambient për të kaluar një pasdite sa më të këndshme me këngë e valle, që kaloi në një atmosferë sa të hareshme aq edhe vëllazërore. 

Në fund edhe një fakt tjetër: Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan. Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëvet është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio. Këtë e pash dhe përjetova nga afër, ndërsa ditëve në vazhdim do tu njoftoj edhe për hollësi të tjera.

Së bashku në këtë shoqërim kam vëllezërit Jakup dhe Islam Reka dhe Agim Pepajn.