Më 22-23 tetor, me iniciativën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë do të zhvillohen punimet e Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizim i parë i këtij lloji në historinë e Kosovës.
Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, si dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në këtë edicion pritet të grumbullohen mbi 400 pjesëmarrës, nga vende të ndryshme të botës, ku fokusi i saj do të jetë trajtimi i çështjeve që ndërlidhen me paqe , gratë, dhe sigurinë.
Në këtë Forum, do të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.
Ky Forum synon të diskutojë jo vetëm sfidat në përballje me paqen dhe sigurinë globale, por edhe trajtimin dhe zgjidhjet eventuale.
Ndryshe, WPS është Forum i organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili paraqet një nga zotimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për Samitin për Demokraci.



















