Historiku i Patishka Rekë-s

Patishka Reka është një fshat shqiptar në malësin e Shkupit, konkretisht në komunën Sopishte. Është një fshat i vjetër në këtë rajon, është tërësisht i banuar me shqiptarë. Fshat me një pozitë të bukur gjeografike, e ajër të pastër, i rrethuar nga katër anët me male dhe kodrina të prehta, të pasura me bimë gjetherënëse të llojllojshme, konkretisht i rrethuar nga vargmalet Karagjica.

Karakteristikë këtu ishte toka pjellore, sidomos kokorra e mollës dhe arra ishin të hasur kudo brenda fshatit.

Fenomeni i shpërnguljes

Ky fshat në fillimet e tij ka numëruar mbi 700 banorë, kurse tani fenomeni i shpërnguljes e ka bërë që ky fshat të ngelet me 150-200 banor. Shumica e meshkujve të këtij fshati jetojnë dhe veprojnë në kurbet për mirëmbajtjen e familjeve të tyre, kurse grat dhe fëmijët në vendlindje.

Banorët në këtë fshat janë të komuniteteve të ndryshme, ortodoks dhe katolik, por shumica musliman, ku dhe në mes të fshatit gjendet xhamia, në të cilën muslimanët kryejnë obligimet e tyre fetare.

Imami i xhamisë është njëkohësisht edhe myezini i xhamisë, i cili zgjidhet nga fshatarët me mandat 1 vjeçar, madje shpesh ka raste kur zgjidhet nga jashtë fshati sepse të vendit ikin jashtë (shpërngulen).

Martesat po në këtë fshat janë të përziera, shumica janë nga të ardhur e të martuar nga Ana Morava, disa nga Turqia e Shqipëria.

Banorëve të këtij vendi që nga prishja e Jugosllavisë ende iu kane mbetur prapashtesat –SKI ose –OVSKI (Jusuf-ski apo Jusuf-ovski) që për shkaqe politike ishin detyruar ti ndrronin krejtësisht, ose ua kanë vendosur prapashtesën .

Një restorant i bukur

Ekipi i Prointegrës (portalit shqiptar në Zvicërr) pas vizitës dhe hulumtimit  historik në këtë fshat, ndaluan edhe në Restorantin luksoz të  këtij vendi “Parajsa e Patishkës – Villa Reka”, të cilët u pritën në mënyrën më të ngrohtë shqiptare.

Ky restorant me një shërbim dhe kuzhinë tejet të mrekullushme ishte nën udhëheqjen e pronarit shqiptar Suat Suati (Abdiu) nga Maqedonia, i cili jeton në Batincë (vend afër fshatit të Patishkës). Realisht ky restorant është nën udhëheqjen e 6 vëllezërve, por Suati është ai që më tepër merret me këtë punë (menaxhim të restorantit) pasi që e kanë biznes të dytë familjarë, pra janë të shpërndarë në punë.

Kamerieret e këtij restoranti janë nga vendi dhe rrethina e Shkupit, madje disa të tjerë janë edhe nga Kosova, sic është kuzhinieri Besimi dhe 10 punëtorë nga qyteti i Pejës. Stafi shërbyes (kamarier dhe kuzhinier) në këtë restorant janë të trajnuar në mënyrën e duhur.

Restoranti gjendet në hyrje të fshatit, është një lokal i rrethuar me gjelbërim, dhe me ajër tejet të pastër.

Ky lokal frekuentohet çdo ditë dhe në çdo stinë, por më shumë vikendeve, njerëzit me familjet e tyre kalojnë pasdite të këndshme. Mbrapa objektit të lokalit gjenden edhe shtëpizat e vogla për pushim, që jepen me qira. Këto shtëpiza shfrytëzohen më shumë gjatë stinës së dimrit, sepse njerëzit gjejnë qetësi dhe relaksim të kalojnë fundjavën me miq apo familje pranë maleve të stërmbushura me borë, tërësisht marrin pamje përrallore.

Shtëpizat e vogla kanë kushte elementare brenda dhe kanë siguri maksimale.

Gjatë dimrit haset pak në problem vizita e këtij restoranti madje edhe tërësisht fshatit, për shkak  të mospastrimit të rrugëve të bllokuara me borë të dendur mbi gjysmë metri.

Transporti problem për nxënsit e fshatit

Fshatarët shprehen të revoltuar dhe të shqetësuar, sepse asnjëherë nuk iu bë as edhe një vizitë nga kryetari i kësaj komune (Sopishtë), madje as edhe nga ndonjë funksionarë tjetër. Ata thonë se edhe rruga për në shkollë iu bëhet më e gjatë se sa është, nuk ka asnjë mjet transportues që i bartë nxënësit për në shkollë, por në këmbë duhet të marrin rrugën për të kryer shkollimin fillorë. Po ashtu shërbimet urgjence mjekësorë kanë pasur gjithnjë problem, pra kërkesa e banorëve ishte një ambulantë të vogël brenda fshatit.

Në periudhën e ish-Jugosllavisë kishte mjet transportuese 3 herë në ditë për në qytet, kurse tani vetëm një herë.

Nata gjatë dimrit në këtë fshat shpesh bëhet edhe e rrezikuar, ngase janë paraqitur kafshë të egra poshtë brenda fshatit, andaj secila shtëpi gati se mbanë një apo dy qenë Sharri për vetëmbrojtje.

Ky fshat ndryshe quhej edhe si fshat i braktisur e i harruar, ngase numri i banorëve ishte në rënie çdo ditë e më shumë, shtëpitë ishin të stileve të ndryshme (disa të betonuara, disa me baltë e qerpiqë), megjithatë ishin shumica të boshatisura.

Fshati nuk numëronte asnjë shitore të vetme.

Ajo që ishte karakteristikë e saj ishte se rruga e fshatit i kishte ndarë varrezat në të dy anët, ku edhe varrezat ishin të ndarë në pëllëmbë toke të fiseve (ps. fisi X kishte pjesën e caktuar ku i varroste anëtarët e vet, dhe fisi tjetër anëtarët e vet) e kështu me rradh.

Madje kësaj dukurie i paraprinte edhe një legjendë popullore e fshatit, që nuk duhet frekuentohet natën vonë rruga e fshatit që ndante varrezat në të dy anët, sepse në kohërat e më hershme aty qenkan gjuajtur dy palë krushqi, dhe nga ajo kohë ai vend ka mbetur si “vendi i nëmur”.

Varrezat (gurët e varreve) ishin të moçme, të stilit ilir, e disa të stili turko-arab. Kjo nënkuptonte se gjeneza e këtij fshati ishte e vjetër dhe që nga fillimet e tij ishte i ndërtuar dhe i banuar me shqiptarë.

Pas një dite të bukur, të ngjeshur e të pasur me histori dhe legjenda, ekipi i pro-integrës u largua i kënaqur dhe i respektuar nga banorët e vendit, të cilët i uruan mirëseardhje dhe vizita më të shpeshta.

E falënderojmë përzemërsisht banorin e këtij vendi, Xhevxhet Sulejmani (Sulejmanovski), 64 vjeç nga ky fshat, për të dhënat  dhe historikun e këtij vendi.

29 Tetor (e shtune), 2022. Patishka Reka, Shkup.