Duke shikuar programin e edicionit të sivjetmë, të nëntin me radhë të Etno Festit 2019 në fshatin Kukaj, ku për 6 net me radhë do të zhvillohen hiq më pak se 64 ngjarje arti, me pjesëmarrje nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe vende të tjera, na del se thuaja ky katund ia kalon brenda më pak se një jave, kryeqytet me prezantime kulturore nga të gjitha fushat e artit
Teksti dhe fotot Rexhep Rifati
Sonte ishte nata e katërt e Etno Festit 2019, ku po mbretëron një atmosferë sa festive aq edhe miqësore e përshkuar me aq shumë evenimente arti sa të fitohet përshtypja se një katund jo vetëm me masivitet por edhe cilësi të prezantimeve të shumë veprave të artit thuaja se le prapa kryeqytetin.
Po të kihet parasysh se këtu për 6 net me radhë do të zhvillohen hiq më pak se 64 ngjarje arti, me artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e shtete të tjera, na del se ky katund po bëhet një oazë kulture, turizmi por edhe vendtakim i këndshëm për shumë mërgimtarë që gjenden në pushime në këtë sezon verore, kur çdo kund përcëllon vapa, ndërsa këtu në lartësi prej rreth një mijë metrash gjen një fllad që freskon jo vetëm trupin por shpirtin.
Këtu përzgjodha disa nga fotot që shkrepa me 22 Gusht 2019, gjatë natës së tretë, ku ky manifestim nuk u përshkua vetëm me shumë artist e vepra arti, por edhe me një miqësi të paparë që sjell shumë ngrohtësi, por edhe njohje të reja mes artistëve nga vendi i rajonit por edhe pjesëmarrësve të tjerë që nga anë të ndryshme ia mësyjnë Kukajve, që i përngjan një të katundi të rrallë etnografik, si me artefakte të shumta nga pasuria materiale ashtu edhe nga tradita jonë e pasur shpirtërore, që po humbë mjaft shumë në botën e globalizmit që gllabëron çdo gjë nëse nuk ruhet e kultivohet nga brezat që pasojnë.
Edhe në dy-ri ditët e ardhshme dashamirët e artit e natyrës, do të kenë mundësi të shijojnë edhe shumë vepra arti në Kukaj, ku edhe rruga deri atje përshkohet me një natyrë tejet tërheqëse e ku nuk po mungojnë edhe delegacione të shteteve që nuk e njohin Kosovën, por ku nuk mund të hasësh kompetentë nga ministrit gjegjëse të kulturës, arsimit apo të ministrisë së diasporës, sikur udhëheqësit institucional janë të prirur vetëm për metropole të mëdha, ndonëse shumica siç duhet janë me prejardhje katundi!
Në mesin shumë ekspozitave është edhe një ekspozitë e imja me 40 foto të realizuara të kullave të vjetra shqiptare në trojet tona etnike.
Sonte, në natën e katërtë në program ishin këto pika artistike:
ONA E DEBATIT
– Shtëpia dhe teatri…
– Shtëpia si teatër dhe teatri si shtëpi
– Shtëpia në dramaturgjinë e Strinbergut.
– Zoti i shtëpisë, zonja e shtëpisë
– Shtëpia dhe mysafiri
– Bekim Lumi “Shekspiri dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (promovim I librit)
– Shfaqja “Këmisha e Gjakut” e Bekim Lumit (Video Projeksion)
ZONA ETNOGRAFIKE E HASIT
Koncert, valle dhe rite nga Xhonaj, Zymi dhe Romaja
Performancë kontemporane me stolisjen e nuses së Hasit nga Njomza Luci
- Shekspir “Mbreti Lir”
(Zhanre dhe sisteme) në regji të Skender Podvoricës