Gazetari Rexhep Rifati nderohet me Dekoratë Presidenciale

Nga Shqipe Bytyqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar gazetarin dhe kronikanin e diasporës shqiptare Rexhep Rifati me Dekoratë Presidenciale të Republikës së Kosovës, për kontributin e tij jetësor në gazetari, për dokumentimin e diasporës shqiptare, për veprimtarinë me komunitetet arbëreshe dhe për shërbimin e gjatë kulturor e kombëtar.

Veprimtaria në Kosovë

Rexhep Rifati është një rrugëtim. Një urë mes njerëzve dhe kohëve. Një zë që nuk u lodh kurrë. Ai e nisi gazetarinë në Kosovë, ku deri në vitet e rënda të ’90-ës punoi me përkushtim në të përditshmen “Rilindja” dhe në media të tjera. Në kohën e regjimit serb u përball me persekutim, arrestim dhe tortura për shkak të fjalës së lirë dhe angazhimit të tij kulturor.
 
Në vitet e hershme ishte gjithashtu themelues dhe kryetar i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”. I detyruar të largohej nga vendi, ai u shpërngul në Zvicër, por nuk e ndërpreu kurrë misionin e tij.

Veprimtaria në mërgatë

Në Zvicër, Rexhep Rifati vazhdoi punën me të njëjtin përkushtim, duke u bërë një nga figurat më të qëndrueshme të komunitetit shqiptaro-zviceran. Si gazetar, reporter, dokumentarist dhe kronikan, ai ka ndërtuar ndër vite një arkiv të çmuar të jetës kulturore të diasporës shqiptare. Përmes qindra reportazheve, intervistave dhe projekteve kulturore ai ka dokumentuar historinë dhe veprimtarinë e shqiptarëve në Zvicër dhe në Evropë. Ai ka qenë i pranishëm në shumë aktivitete kombëtare, duke ruajtur kujtesën kolektive të komunitetit shqiptar në mërgim.

Veprimtaria me komunitetet arbëreshe

Për dekada, Rexhep Rifati ka ndërtuar ura të qëndrueshme mes shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe në Kalabri dhe Sicili. Ai ka udhëhequr vizita studimore me studentë, shkrimtarë dhe gazetarë në vendbanimet arbëreshe, ka realizuar dhjetëra reportazhe për jetën dhe traditat e tyre dhe ka kontribuar në nisma kulturore e arsimore, përfshirë hapjen e një shkolle arbëreshe në Kalabri. Në vitin 2022 botoi librin “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, në shqip dhe italisht. Për kontributin e tij në afrimin kulturor mes shqiptarëve dhe arbëreshëve, ai është nderuar nga At Antonio Bellusci me titullin “Apostull i kohëve moderne” si dhe nga Kryetari Rosario Petta, qytetar nderi i Komunës Hora e Arbëreshëve.

Botime

  • Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje (2013)
  • Shtegtimet e një gazetari (2018), botuar në shqip, anglisht dhe gjermanisht
  • Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit (2019), kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit Ilaz Ilazi

Mirënjohje të tjera

Mirënjohje nga Ambasada e Shqipërisë, Ambasada e Kosovës dhe Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Zvicër për kontributin në mërgatë përmes shkrimeve. Medaljoni “Dielli Dardan” nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Pesha morale e një jete mision

Në moshën 83-vjeçare, pas më shumë se gjashtë dekadash pune, Rexhep Rifati mbetet kronikan i kujtesës kombëtare, mbrojtës i identitetit kulturor dhe një figurë e respektuar e mërgatës shqiptare. Ky vlerësim presidencial është edhe një shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë të vënë në shërbim të fjalës, kulturës dhe kombit. Siç shprehet vetë Baci Rexhe, siç e thërret mërgata shqiptare:
 “Këtë vlerësim, krahas familjes, ua dedikoj gjithë lexuesve e dashamirëve të mi, sidomos Shoqatës ‘Hora e Skënderbeut’, Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe Qendrës Albanologjike për Studime Arbëreshe, themeluar nga At Antonio Bellusci”, të gjithë arbëreshëve dhe mërgimtarëve si inicues dhe mbështetës të kësaj dekorate.
 
Urojmë që Baci Rexhe të ketë edhe shumë vite shëndet, dritë dhe frymëzim, që të vazhdojë të shkruajë, të dëshmojë dhe të na kujtojë se fjala e ndershme është një shërbim ndaj kombit. Punët dhe rrugëtimet e tij tashmë janë pjesë e kujtesës sonë kolektive.