NJË PËRVJETOR NGA VITET KUR SHKËLQEU TEATRI “QËNDRESA” I FUSHË-KOSOVËS


Teatri amator “Qëndresa” i Fushë-Kosovës shkëlqeu në tri dekadat e fundshekullit të kaluar në skenën teatrore të Kosovës dhe rajonit, duke ecur nëpër në një rrugë të vështirë të afirmimit, por që ishte rrugë e mburrjes, e krenarisë dhe qëndresës, duke u bërë ballë forcave që nuk e deshën prosperitetin kulturor të shqiptarëve

Shkruan : Gani Bajrami, Prishtinë

Këtu e 40 vjet më parë Teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës ishte në kulmin e shkëlqimit të tij në skenën teatrore të Kosovës dhe çdo herë e më shumë me shfaqjet e tij po depërtonte edhe në hapësirën e ish-Jugosllavisë, veçmas në viset shqiptare. Ishin të shumta edhe pjesëmarrjet e këtij teatri në manifestimet e ndryshme kulturore, revista e festivale, prej nga kthehej me çmime e shpërblime të shumta, individuale dhe kolektive.
Pikërisht më 22 shkurt 1981 ky teatër ka marrë pjesë në një festival federativ që asokohe organizohej në qytetin e Mostarit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në këtë festival që kishte një traditë të gjatë të organizimit, Kosova po merrte pjesë për herë të parë. Në festivalin “Ditët e teatrove të rinisë – Mostari ’81”, që u organizua nga 21 deri më 28 shkurt 1981, Teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës mori pjesë me dramën e Loni Papës “Gurët e Kreshanës”.
Drama “Gurët e Kreshanës”, e shfaqur në skenën teatrore të Mostarit, u çmua si një realizim serioz nga publiku, ndërsa nga juria e festivalit u shpall realizimi më i mirë skenik. Nga dramaturgët, teatrologët, regjisorët dhe njohësit e teatrit, që ishin tubuar në “tryezën e rrumbullakët” të festivalit “Ditët e teatrove të rinisë – Mostari ’81”, shfaqja “Gurët e Kreshanës” mori notën e një realizimi profesionist që kalon suazat e amatorizmit. Vlerësime të ngjashme u dhanë edhe në publikimet e manifestimit dhe në mediat e shtypura dhe në ato elektronike.
Vlen të përmendet se Nexhmedin Shehu, që ishte njëri nga shtatë anëtarët e jurisë dhe unë, që isha anëtar i Këshillit organizues, që përbëhej prej 21 anëtarëve, u gjendem paksa në siklet për ta siguruar jurinë dhe Këshillin organizues se të gjithë pjesëmarrësit e shfaqjes të Teatrit të Fushë-Kosovës ishin amatorë, ngase përshtypja e 3-4 anëtarëve të jurisë ishte që 2-3 nga pjesëtarët e trupës teatrore ishin aktorë profesionistë. Sipas kritereve të festivalit po të ishte ashtu, atëherë shfaqja do të diskualifikohej.

SHFAQJA “GURËT E KRESHANËS” LA PËRSHTYPJE TË THELLA TE SPEKTATORËT NË MOSTAR

Në një paralajmërim për mbajtjen e festivalit “Ditët e teatrove të rinisë” në Mostar me titull “Kosovën e përfaqësojnë amatorët nga Fushë-Kosova”, gazeta “Rilindja” e 22 shkurtit 1981 sjell edhe këtë vlerësim: Një varg inskenimesh, që i realizoi trupa e këtij teatri, janë mirëpritur nga shikuesit dhe për to vlerësime të mira ka dhënë edhe kritika. Prej realizimeve të shumta sidomos është veçuar inskenimi i fundit – drama “Gurët e Kreshanës” e Loni Papës, e cila është reprizuar më se 20 herë e ka marrë pjesë në disa manifestime të ndryshme, në të cilat shfaqja e amatorëve të Fushë-Kosovës u shqua si një ndër realizimet më të mira. Në saje të gjithë këtyre sukseseve, që i arritën amatorët e Fushë-Kosovës me shfaqjen “Gurët e Kreshanës”, me plot meritë u caktuan që edhe ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin e të rinjve të Jugosllavisë në Mostar.
Reporteri i gazetës sarajevase “Osllobogjenje”, më 24 shkurt 1981, ndër të tjera, për shfaqjen “Gurët e Kreshanës” thotë: Edhe pse e shfaqur në gjuhën shqipe, shfaqja në saje të përvojës së aktorëve, të cilët pas vetes domosdo do të kenë pasur numër të madh shfaqjesh dhe përvojë të begatshme aktoreske në teatrin amator, la përshtypje të thella te spektatorët e shumtë. Autori i këtij shkrimi në vazhdim për lexuesit e “Osllobogjenjes” shpjegon në mënyrë të denjë përmbajtjen e shfaqjes “Gurët e Kreshanës”.
Në gazetën “Rilindja” të 3 marsit 1981, në një post scriptum të manifestimit “Ditët e teatrove të rinisë” në Mostar, në nëntitull theksohet: Shfaqja “Gurët e Kreshanës” në interpretim të amatorëve të Fushë-Kosovës zgjoi mjaft interesim te publiku dhe njohësit e teatrit. Më tutje në shkrim, pasi vihet në dukje se në skenën e Mostarit u gjendën realizimet më të mira të teatrove të të rinjve shkruan: Për shfaqjen e amatorëve të Fushë-Kosovës “Gurët e Kreshanës” pati vlerësime të larta nga publiku, teatrologët dhe njohësit e teatrit që u dhanë në “tryezën e rrumbullakët” dhe në publikime të ndryshme, e të cilat dëshmojnë për një realizim mjaft serioz…. Ata me lojën cilësore homogjene e kolektive dhe me atmosferën dominuese arritën t’i “futin” spektatorët në ngjarjet dhe situatat që i ofronte shfaqja.
Mundësitë e mëdha shprehëse dhe përvoja e begatshme e interpretuesve dhe e tërë ansamblit kosovar, që vepronte me përvojë e harmoni të plotë dhe lojë të suksesshme, mposhtën barrierën gjuhësore dhe bënë që publiku, i cili kishte mbushur përplot sallën, t’u duartrokasë atyre disa herë edhe në skenë të hapët.
Në një shkrim në revistën “Zëri i rinisë” të 7 marsit 1981 bëhet fjalë për manifestimin federativ “Ditët e teatrove të rinisë” në Mostar me titull “Kthesa për shtigje të reja” e nëntitull: Krijimtarinë teatrore të rinisë së Kosovës në këtë revistë e prezantuan në mënyrë të denjë amatorët e Fushë-Kosovës me dramën e Loni Papës “Gurët e Kreshanës”. Në tekst theksohet: Këtë shfaqje publiku e përcolli me duartrokitje të gjata, madje disa herë edhe në skenë të hapur, që rrallë ndodhi me ansamblet e tjera. Edhe në “tryezën e rrumbullakët” u dhanë vlerësime të larta nga teatrologë e njohës të tjerë të teatrit. Këto vlerësime ata i mbështetën në lojën cilësore homogjene e kolektive, në mizanskenin e ushtruar si duhet, efektet tejet sugjestive audio-vizuele, gërshetimin e konflikteve në skenë, motivimin e tyre, zgjidhjen fatlume skenografike dhe interpretimin e natyrshëm e kreativ të amatorëve entuziastë.
Para pjesëmarrjes në Festivalin e Mostarit, drama “Gurët e Kreshanës”, premiera e së cilës ishte shfaqur një vit më herët, sukses të mirë kishte arritur në “Solemnitetet Fshatare të Kosovës ’80”, duke marrë disa shpërblime. Shpërblimi i parë për regji u takoi Masar Kadiut e Gani Bajramit, shpërblimi për rol të mashkullit Kadri Tërnavës (Bestari), për rol të femrës Nafie Kelmendit (Erma) dhe për rol episodik Shpresa Bugujevcit (Gitta).

GJALLËRIMI ME IMAZHIN E SHKËLQIMIT TË DIKURSHËM

Teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës sot ndihet i gjallë vetëm me imazhin që kishte arritur në tri dekadat e fundshekullit të kaluar dhe deri diku në dekadën e parë të shekullit që po e jetojmë. Të dhënat nga historiku i këtij teatri tregojnë se ai shkëlqeu në tri dekadat e fundshekullit të kaluar në skenën teatrore të Kosovës dhe rajonit, duke ecur nëpër në një rrugë të vështirë të afirmimit. Mirëpo, kjo rrugë, aspak e lehtë, ishte rrugë e mburrjes, e krenarisë dhe qëndresës, duke u bërë ballë forcave që nuk e deshën prosperitetin kulturor të shqiptarëve.
Bazuar në të dhënat nga historiku i këtij teatri del se amatorët teatrorë të Fushë-Kosovës para publikut të vet dhe atij të disa qendrave komunale të Kosovës e të viseve të tjera etnike shqiptare në rajon, kanë dhënë mbi 300 shfaqje të 65 realizimeve skenike, nëpër të cilat kanë defiluar afër 400 amatorë të moshave e të profesioneve të ndryshme.
Për një kohë të gjatë ky teatër ishte i vetmi institucion nëpërmjet të të cilit shqiptarët e Fushë-Kosovës shprehën identitetin e vet kulturor e kombëtar dhe dëshmuan praninë e vet në këtë mjedis, që njihej si qendër ku ishte përqendruar veprimtaria antishqiptare e shovinizmit dhe hegjemonizmit serb. Pra, në këtë teatër shqiptarët gjenin mundësinë e manifestimit dhe të realizimit të qenies së tyre kombëtare duke shpaluar artistikisht të djeshmen e të sotmen, por edhe duke zgjeruar horizontin e vizionit për ardhmëninë.
Shikuar nga kjo distancë kohore, duket se anëtarët e këtij teatri me mençuri patën zgjedhur armën e fjalës artistike që ishte armë e fortë për të zgjeruar e ngritur vetëdijen kombëtare, si dhe për të forcuar karakterin kombëtar dhe krenarinë e shqiptarëve në Fushë-Kosovë