Afaristi i dalluar shqiptar në Zvicër, Zijah Shabani, që shquhet me një biznes të suksesshëm si në fushën e ndërtimeve dhe ushqimeve, të premten me 26 mars, hapi solemnisht përfaqësinë në Dietikon të kantonit të Cyrihut, në rrugën Riedstrasse 3.
Teksti Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi
Me këtë rast u organizua një apero rasti ku morën pjesë familjarë dhe afaristë shqiptarë e zviceranë, me të cilët firma ndërtimore Noor Baubedarf GmbH e Zija Shabanit zhvillon një bashkëpunim të suksesshëm afarist. Në mesin e mysafirëve ishin edhe zonja Shukrije Ramadani, konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih dhe deputeti kantonal, Daniel Wäfler, me të cilin Zijahi ka një bashkëpunim shumë të mirë në fushën plasmanit të djathit “Lindi”, me shije tradicionale kosovare.
Me këtë rast, gjatë inaugurimit solemn të përfaqësisë së re me një hapësirë prej rreth 120 metrash katror, të pranishmit i përshëndetën drejtuesi i firme Zija Shabani dhe administratori Harald H. Kaiser, të cilët në pika të shkurtra i njoftuan miqtë e ftuar për punën që zhvillon firma “Noor”, që tashmë ka bërë emër në tregun zviceran të këtij regjioni.
Nga biseda e shkurtër që zhvilluam për portalin tonë prointegra.ch, Zijah Shabani na njoftoi se firma që drejton ai prej disa vitesh zhvillon një veprimtari relativisht të gjerë në fushën e ndërtimeve, duke filluar prej projektimeve (pasi firmë ka edhe grupin e arkitektëve me të cilët bashkëpunon) dhe deri te finalizimi i ndërtimeve. Por “Noor” Baubedarf GmbH , gjithashtu merret edhe me renovimin e objekteve, si dhe ndërtimin e dyerve dhe dritareve të një cilësie tejet të lartë.
Firma pos 6 punëtorëve, që kryesisht bëjnë punë administrative ka edhe disa punëtorë prodhimi, varësisht prej kontraktimit dhe realizimit të punimeve. Firma “Noor” deri më tash ka kryer disa objekte me të cilat shfrytëzuesit e tyre kanë mbetur më se të kënaqur.
Aperoja u përmbyllë me disa ekzekutime të një kitaristi të ri.