E mërkurë, 5 maj 1999: Po ti ndodhte Parisit si Kukësit do të apokalipsonte!

Me autorin e librit , shkrimtarin Petrit Palushi para Shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina në Kukës.)

Nëpërmjet Fatri Bajraktarit (përkthyesi i një grupi gazetarësh francezë), u takova me Marie Laure Colson, gazetare e Liberation-it të Parisit.

Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palushi, Kukës

Ajo kërkonte të dinte më tepër për gjëra që kanë të bëjnë me kulturën, zakonet, ndryshimet që kish sjellë në këtë qytet ardhja e të shpërngulurve, etj. Por n’atë mëngjes të dy s’kishim kohë: Unë duhet të nisesha për në Krumë, kurse ajo për në Morin.

Në mbrëmje, takohem përsëri me të.

Më thotë se para saj ishte një gazetare tjetër për Liberation-in. Ndërsa, ajo vetë do qëndronte në Kukës edhe si afër një javë dhe do zëvendësohej nga një gazetare tjetër. Thotë se nuk dihet me saktësi sa kohë do zgjasë kjo gjë, por të paktën dihet fundi i Millosheviçit dhe i gardës që drejton qeverinë e tij.

I them gazetares se bota reagoi shumë vonë ndaj Millosheviçit, madje bashkësia ndërkombëtare sikur e ka përkëdhelur atë. Ajo thotë: “E di, e di”. I them asaj se shpesh shihet si me habi që të ndodhë një pastrim etnik i llahtarshëm në fundin e shekullit të njëzetë. Vitet nuk maten me pe. Millosheviçi ka dhjetë vjet që vepron kësisoj dhe atëherë ishim dhjetë vjet para fundit të shekullit. Por, edhe disa vjet më parë, si në Bosnje, për shembull. Që atëherë bota duhej të vepronte ndaj tij. Bota i mbylli sytë dhe veshët, ai mbeti përsëri në pushtet dhe po të qëndrojë në pushtet përsëri, ai do krijojë një rast tjetër për t’u kënaqur, siç kënaqen egërsinat me gjakun e njerëzve.

E pyeta gazetaren:

  • Ç’do të ndodhte me Parisin nëse popullsia do

t’i dhjetëfishohej menjëherë?

  • Apokalips, – foli menjëherë
  • Ja, këtu s’po ndodh asgjë, – ia ktheva unë. – Ose, po ndodh diçka fort e Banorët e Kukësit po shkruajnë historinë e bukur e të pangjashme të humanizmit në fundin e shekullit XX.

I përmend asaj një proverb amerikan: “Hope is a good breakfast and a bad super”. Ajo fillon me qeshë. Më pas shtoj se këtu përdoret shprehja: “Njeriun shpresa e mban gjallë”. Apo: “Sa të jetë shpresa është njeriu”. Ata njerëz, pra, që erdhën në Kukës, instikti për jetën i ka shty të lënë vatrat e tyre dhe do kthehen përsëri, ndryshe s’do kish kuptim reagimi i bashkësisë ndërkombëtare. Ata që erdhën besojnë se do kthehen. Ata rrojnë me shpresa. Ata s’mund t’i qetësojë asgjë në botë, përveç kthimit në vatrat e tyre, por në vatrat e tyre pa pushtues. Ajo që ka rënë mbi krye të shqiptarëve të Kosovës, ajo dramë e tyre është njikohësisht edhe drama jonë. Ne jemi një komb dhe fatkeqësia është e përbashkët. Prandaj edhe fatkeqësinë do ta kalojmë bashkarisht. Ne kemi një gjuhë, një kulturë, të njëjtat zakone. Por, fatkeqësisht kemi ende një mur ndarës, një kufi absurd. Por edhe këtu, Muri i Berlinit do bjerë së shpejti. Prizreni me Kukësin janë shumë afër, por tani për tani është e pamundshme të shkojë njeriu atje. Më parë mund të shkosh në Afrikë se në Prizren. Por rasti e solli që ky mur do bjerë.

Gazetarja thotë se po bëjnë ç’është e mundshme të përcjellin realisht ato gjëra që mund të kapin këtu dhe thotë se e traumatizon vazhdimisht pamja e trishtuar e të shpërngulurve dhe shton se për një javë rresht në Morin pa dy fëmijë të vegjël, nga shtatë a tetë vjeç, që gjithmonë qëndronin në të njëjtin vend. Asaj i bëri përshtypje kjo gjë. I takoi fëmijët, i pyeti dhe ata kishin thënë se ishin nga Prizreni dhe atë ditë që po vinte një kolonë e gjatë njerëzish me traktorë, ata të dy qenë duke luajtur dhe një polic serb i mori dhe i vendosi në një traktor. S’kishin pasur mundësi të largoheshin. Tani ndodheshin në Morin (i kish marrë një familje) dhe dilnin çdo ditë n’atë vend se mos vinin prindët e tyre.

I them gazetares se fati i këtyre njerëzve është tragjik, por kam përshtypjen se tani, sapo të përfundojë lufta ata do kthehen në vatrat e tyre, por prap duhet të kapërcejnë atë çka ndodhë atje: Katunde dhe qytete të shkatërruara. Do gjejnë edhe shumë varre masive dhe kjo është traumatizuese për çdokënd, sidomos kur njeriu ka të afërmit e vet atje, njerëzit e familjes.

I përmend asaj një thënie të para do ditëve të  një shokut tim, Shkëlqim Dullës se Hitleri pat bërë krime, si krimet e Hitlerit, por atij nuk i janë  regjistruar siç po i regjistrohen Millosheviçit. Atëherë, kur të shfaqet çdo gjë, bota do shohë si ka vepruar kundër shqiptarëve të Kosovës.

Gazetarja e pohon këtë gjë dhe shton se bota jo pak gjëra ka marrë vesh deri tani.

 ( Me autorin e librit , shkrimtarin Petrit Palushi para Shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina në Kukës.)