Kohëve të fundit, dolën nga shtypi dy librat e radhës të autorit Lirim Begzati të titulluara «Zvicra dhe ligjet e saj: shembuj konkretë dhe këshilla praktike» (botimi II) dhe «I Huaj në vend të huaj, dhe në vendin tim…!?».
Mësojmë se autori Lirim Begzati, përmes një përshkrimi të rregullave kryesore të fushave të ndryshme të drejtësisë, dhe me prezantimin e mbi 300 shembujve konkretë dhe praktikë, se përmbajtja e librit «Zvicra dhe ligjet e saj» synon të ofrojë përgjigje, informata dhe orientim adekuat mbi të drejtat tona themelore në shtetin zviceran. Në këtë botim mund të hasen një sërë shpjegimesh dhe përgjigjesh mbi çështjet juridike që e prekin jetën e përditshme në Zvicër, siç janë e drejta e punës dhe e qëndrimit, rregullat dhe të drejtat mbi banimin, bizneset, shtetësinë, sigurimet shoqërore dhe private, pensionimin, patundshmëritë, përmbarimin, tatimet, të drejtën familjare dhe martesore, të drejtat e njeriut dhe shumë çështje të tjera aktuale.
Ndërsa në librin tjetër «I Huaj në vend të huaj, dhe në vendin tim…!?», proceset e migrimit të popullatës sonë, statusi i familjeve dhe fëmijëve tanë jashtë dhe brenda vendit të origjinës, mbrojtja dhe kultivimi i gjuhës amtare dhe traditave tona, zhvillimi i imazhit dhe statusi i diasporës sonë në shoqëritë e huaja dhe në vendin e origjinës, integrimi dhe frika (e arsyeshme) nga asimilimi, roli i diasporës në vendin e origjinës, aspektet mbi “krizën” identitare, dukuria e “migrimeve të dyfishta”, eksodi aktual masiv, janë disa nga temat kryesore të shpalosura në këtë punim.
I specializuar në të drejtën zvicerane dhe me kualifikim postuniversitar, bartës i titullit të noterit, i diplomuar në Kosovë, Zvicër dhe Francë, autori i këtyre librave, Lirim Begzati, posedon një përvojë të gjatë profesionale në administratën shtetërore zvicerane, si në fushën juridike ashtu edhe në atë të migracionit, kurse aktualisht është udhëheqës i zyrës së tij për shërbime juridike në Neuchâtel (Zvicër).