Hasan Dylgjeri që hapi 120 shkolla dhe që asnjëra nuk e gëzon emrin e tij! (6)

Gjatë vizitave në Elbasan, takova të birin e Hasanit, Cen Dylgjerin, që prej vitesh viziton në Kosovën për të takuar ish-nxënës e shokë të babait të tij, por që shpreh brengosje se pse asnjë shkollë në Kosovë nuk e mban emrin e babait të tij, që hapjen e shkollave e shpagoi me një burgim gjashtëvjeçar! –  Mësuesi Hasan, krahas shkollave themeloi edhe shoqëri kulturore, si dhe teatrin e qytetit në Ferizaj më 1942, ndaj ky qytet së paku e shpërbleu me një emër rruge. 

Nga Rexhep Rifati

Normalja e Elbasanit dhe mësuesit që dolën nga ajo shërbyen si një urë e fortë lidhëse midis Shqipërisë e Kosovës, pasi që pikërisht këta pishtarë për herë të parë në historinë e Kosovës i dhanë krah shkollave në gjuhën amtare. Madje, tash kur kanë kaluar 7-8 dekada nga ardhja e mësueseve të parë në Kosovë dhe kur më nuk janë në jetë ata mësues, disa nga bijat dhe bijtë e tyre me ëndje e vizitojnë Kosovën për të mësuar për punën dhe veprimtarinë e prindërve të tyre.

Ndër ta shquhet sidomos Cen Dylgjeri i i biri i Hasan Dylgjerit që ka qenë disa herë në Kosovë, por edhe ka mirëprite përherë shkuarjen e kosovarëve në Elbasan. Një takim të tillë me te e pati edhe gjenerata ime e normalistëve ferizajas, kur më 19 Qershor 2019,  në Elbasan na priti e na shoqëroi Cena përgjatë qëndrimit në këtë qytet.

Ishte kënaqësi e veçantë për ne ish- normalistët, tash të gjithë mbi 70 vjeçarë në pension,  që me atë rast takuam edhe shokun e Cenës, skulptorin e  mirënjohur elbasanas, Bujar Kapllani, me të cilët i bëmë edhe disa vizita të rëndësishëm qytetit të Elbasanit, përfshi ish-objektin e Normales, Muzeun Etnografik, si dhe disa objekte kulture e kulti. E bashkë me shoqen time të shkollës Hanumashe Ilazi- Sopa, ishim edhe në shtëpinë e mësuesit Hasan Dylgjerit dhe pamë se edhe rruga e tij si edhe një rrugë e qytetit tim Ferizajt, mbante emrin “Hasan Dylgjeri”.

Mehmet Gjevori kujton kontributin e Hasan Dylgjerit

Edhe njëri ndër veteranët më të shquar të arsimit kosovar, po ashtu me prejardhje nga Shqipëria, Mehmet Gjevori, në gazetën “Metropol” (17 maj 2012) nga emrat e atyre që i kontribuuan shkollës shqipe në Kosovë, po citoj: “ Nga ata që më kujtohen janë Hasan Dylgjeri nga Elbasani, ishinstruktor arsimi në Gjilan  e që populli në rrethin e Gjilanit e thirri “Hasan Mësuesi”,

Ndërsa në një shkrim të tij kushtuar qytetit të Ferizajt në Ferizaj Press: profesor Ragip Kçyku  nënvizon se : “Në Ferizaj u themelua Teatri Kombëtar tani në Prishtinë. Kush nuk e di, po i përkujtoj Hasan Dylgjeri nga Elbasani, e themeloi shoqërinë e parë kulturore-artistike si dhe teatrin e qytetit më 1942”.

I biri i Hasanit, Cel Dylgjeri tek kosovarët sikur gjen në pjesë të babait

Do theksuar se si i biri i Hasan Dylgjerit, Cen Dylgjeri aq shumë është i lidhur me shqiptarët e Kosovës, sikur të dojë të gjej një pjesë të babait të tij tek ata, ndaj edhe sapo merr vesh që ka ardhur dikush në Elbasan apo edhe në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë shkon që ta takojë e të pi ndonjë kafe me ta sa për t`u çmallë e këmbyer ca  biseda vëllazërore. Edhe gjatë korrikut të sivjetmë, derisa isha për pushime në Sarandë ai erdhi që të më takoj bashkë me familjen e tij të ngushtë, madje çka ishte edhe më me rendësi më solli edhe disa foto të hershme të babait të tij, Hasan Dylgjeri me nxënës dhe arsimtarë, gjatë shërbimit në Kosovë, ca prej tyre janë edhe për herë të parë edhe në këtë prezantim kushtuar këtij mësuesi të devotshëm e atdhetar, që përkushtimin e tij për kosovar e pagoi shtrenjtë kazamateve jugosllave.

Edhe kësaj radhe krahas disa fotove të hershme të mësuesit Hasan në Kosovë, po jap edhe ca foto nga takimet me të birin dhe familjen e tij, e që sihariq për mua ishte që takova edhe nipin dhe mbesën e mësuesit Hasan, një përtëritje e shkëlqyeshme nga brezi në brez e familjes Dylgjeri që ka një zanafillë të shkëlqyeshme në arsimin  shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë.

Nesër: Mësuesja Vezire Gjiraku Mezini, që si flakadan erdhi në Prishtinë! (6)