Dr. Ornela Radovicka: Kur vargu mërgimtar gërshetohet me mikpritjen e kolosit arbëresh, At Antonio Bellusci

(Apo: Frsascineto\Frasnita arbëreshe Kryeqyteti i Poezisë së Diasporës për një ditë )

Në datën 6 Maji me rastin e përvjetorit të lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Krijuesve në Diasporë vendosën që aktivitetin e tyre vjetor ta zhvillonin në Frascineto\ Frasnitë \ Kalabri, një ngulim arbëresh, dhe e titulluan “Pranverë Arbëreshe”.

Miqësia e tyre me At Belluscin, për hir të kontributit të tij të madh në Diasporën shqiptare,  sensibiliozoi edhe  LKSH në mërgatë  të zgjedh Frasnitën, kështu këta bijë shqiptar të Diasporës, nderuan me ardhjen e tyre  jo vetëm këtë  kolos të Arbërisë, por nderuan vëllezërit e tyre në Frasnitë, Në Kalabri e në të gjithë Italinë e kudo që janë  Frasnita arbëreshe në datën 6 Maji ditëlindjen e Skënderbeut  bëhet për një ditë Kryeqyteti i Poezisë së Diasporës.

Teksti: Ornela Radovicka & foto: Rexhep Rifati

 Pjesëmarrësit e Diasporës

Në këtë  ngjarje merrnin pjesë : Kryetari i Lidhjes së krijuaesve në Diasporë Z.Musa Jopulli përfaqësues nga Franca, Poeti i drejtpërdrejtë  Mentor Thaqi\ Thaçi,  nga Gjermania,  Koordinatori i shkollave shqipe në Svicër z. Vaxhid Seidiu, z.Heset Ahmeti e Peter Shtoka nga Sllovenia, si edhe krijues të tjerë në diasporë, por edhe mbështetës të botës arbëreshe si  Vëllai  i arbëreshëve, Z. Rexhep Rifati, autori i librit “Fotosintezë e shpirtit tim”, dhe  miku i ngushtë e arbëreshëve hulumtuesi dhe studiuesi profesor  Hazir Mehmeti.

Merrnin pjesë nga qeveria vendore Kryetari i komunës së Frascineto\ Frasnitës Z Angelo Catappano, Presidenti i  Federatës Arbëreshe z. Damiano Guagliardi, Drejtori i Bibliotekës internacionale Tomaso Bellusci, Drejtori dhe themeluesi i revistës “Jeta Arbëreshe” prof. Agostino Giordano,  Prof. dhe studiuesit e botës arbëreshe, profesor. Gennaro De Cicco e Professor Perri.

I ftuar special ishte edhe Miku i arbëreshëve dhe familjes së At Belluscit Z. Vehbi Miftari, Kreu i Misionit të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë në Romë, dhe natyrisht me pjesmarrjen edhe të At Belluscit.

Pritja u bë në Bibliotekën internacionale Antonio Bellusci

Grupi i diasporës ardhur nga Franca, Gjermani, Austri, Zvicër, Slloveni, Kosovë, Mal të zi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri  u nisën nga Sheshi Skënderbe në drejtim të Bibliotekës A. Bellusci.

Pra se të hynin në bibliotekë, grupi i  krijuesve në mërgatë kishin përgatitur një “skeç të ritit të malsisë” të atyre ceremonive kur miqtë e mirë  shkonin për të takuar miqtë e tyre të  mirë.  Këtë rol do ta luante  Z. Menntor Thaqi, shpirt patriotizmit,  i cili me shprehjet  e tij, do të improvizonte këtë skenën. “O i zoti i shtëpisë a po don Miq. O At Bellusci a po don Miq!

At Bellusci, del në ballkon ku  janë  varur flamuri   shqiptar, dardan,  italian, përgjigjet me ngrohtësi e entuziazëm: “Mirë se të vini O Vëllezër. Ju kam pritur me shekuj e  dhe ju pres gjithmonë me shpirt me më zëmër, e vatër,  ashtu si pret Arbëri”.

Ishin momente shumë e emocionuese sepse shumë prej tyre e kishin patur ëndërr ta takonin At Belluscin, por edhe ta shikonin  për herë të parë Arbërinë. Në sytë  e tyre vezullonin lotët. Të gjithë kanë ndjesi kur prek për herë të parë Arbërinë. Ajo të depërton në gen, në shpirt.  Para derës  së shtëpisë së At Beluscit mbizotëronte vetëm kuq e zi dhe plisat e bardhë e në ballkon valoni katër flamujt: shqiptar, italian, flamuri i shtetit të Kosovës dhe flamuri dardan.

Motra Rina Bellusci, qëndron te port, nuk flet, duket e heshtur, por nuk vonon dhe nga shpirti i saj dalin si një llavë tingujsh arbërorë. Ata tinguj kanë formën e lotit që dalin nga shpirti. Dëgjohen frazat:

Skënderbeu zbret nga qielli

Mos humbisni gjuhën tonë,,

e  mos bjerrni ritin tonë

…. Japmi dorën oj vëllezër”

Zërit të saj i bashkohet  Arbëreshja  Antonietta Rimoli, si dhe Michele Greco.

Arbëreshët dinë të emozionojnë me shpirtin e tyre Arbër prej 600 vjetësh të gjallë akoma në këto troje.  

Të gjithë bashkë ashtu si petalet e një margarite pranverore hyjmë si rreze dielli, duke mbajtur atë alkimi futemi në bibliotekë.

Aktiviteti  letrar u zhvillua në Biblotekën A Bellusci. Merrni pjesë rreth 60 pjesëmarrës.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti (e nën shkruara) Ornela Radovicka, ku midis të tjerave u shpreh:

I nderuar z. Kryetar i Bashkisë z. Angelo Catapano,

I nderuar z. Vehbi Miftari kreu i Missionit të Kosovës pranë Qelisë së Shenjte,

I nderuar Presidenti i Federatës së FAA z. Damiano Gualiardi

Të  nderuar Prefosor dhe themelues i gazetës Jeta Arbëreshe z. Agostino Giordano, Profesor Francesco Perri, e Profesor Gennaro De Ceicco, Profesoresha Maria  Antonietta Rimoli,  mësuesja  Lucia de Martino si dhe themeluesja e teatrit arbëresh në Frasnitë.

Pastaj ajo iu drejtua miqve:

Mirë se na erdhët: Zoti Musa Jopulli, kryetar shkrimtarëve dhe i krijuesve  në Diasporë,  Zoti Mentor Thaqi, si edhe ju  miq të mëdhenjë  të arbëreshëve Z. Rexhep Rifati, Profesori i pa lodhur dhe hulumtuesi Hazir Mehmeti, Koordinatori i  dhjetëra e dhjetëra shkollave në Zvicër Zoti Vaxhid Seidiu,  si dhe ju krijues, poetë, e mësuese  të diasporës, dashamires  arbëresh, shqiptarë  të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Të dashur Krijues në mërgatë, ardhja juaj në këto toka të Arbërit, është  jo vetëm një shembull  për tu admiruar, por është ajo alfa që shërben si themel , për tu ngritur ato baza, që shërbejnë për të  krijuar ura  midis vëllezërve të të njëjtit gjak, që fati i tyre  nuk ishte shumë bujar, por  shpirti i tyre ruajti  atë farë e Skënderbeut,  që pavarësisht se ku jeton, ajo sython  duke mbajtur mallin për mëmëdheun, dashurinë për kombin, besën e vëllazërimit.

Të dashur miq!

Mirë se na erdhët në këtë vatër të ngrohtë të At Antonio Bellushi, ku priti në gjirin e saj si intelektualin ashtu edhe bujkun me të njëjtën dashuri e respekt.

Tek kjo shtëpi flitej gjithmon arbërisht, nëse dikush prej fëmijëve fliste italisht, tata dhe mëma të ndëshkonte, as bukën nuk i jepnin. Ishin  dinjitoze mëmat arbëreshe, dhe gjuha ishte ligji i edukimit! Pikërisht tek kjo shtëpi të At Bellusci  ku frymonte arbërisht u hapën pika e parë e shkollës në diasporë me fëmijët shqiptarë e emigrantë shqiptarë  dhe arbëresh të cilët donin të mësonin gjuhën. Në vitin 2001 u fut edhe libri Alfabetizzazioni, me të cilën filluam të punonim “më seriozisht”, sepse mbaheshim vetëm me një tekst Abetare që kisha  sjellë nga  Shqipëria.

Mirë se na erdhët në këtë  tempull 400 vjeçar, ku riradhiten më tepër se  8000 mijë ekzemplarë, revista, libra, e dokument  të hershme që nga shekulli 16.

Në këtë tempull keni fatin të shpërndani vargjet tuaja në jehonat e këtyre mureve ku u kënduan këngë arbërore, e dëgjohej zhurma dhe ritmi i  atyre argalive  që thurnin në rrugicat e gjitonisë.

Të dashur Miq!

Mirë se na erdhët në këtë Bibliotekë, që At Bellusci me shumë mundime e ka krijuar dhe mbajtur të gjallë. Në brendësi të këtyre rafteve do gjeni “Rilindjen” e Kosovës, Revistën “Dielli”  të “Vatrës” në Amerikë, gazetën “Drita” të  Shqipërisë, Revistën  “Arvanoi”, “Dialogoi”, “Besa” organe shtypi të arvanitasve. Do të gjeni me dhjetëra tekste, punim e mbrojtje diplome, revista filologjike.

Ajo që është e rëndësishmja në këtë qendër është organi i “Lidhja”, një revistë në tre gjuhë,  themelues i së cilës është  At Belluscit. Kjo revistë shpërndahej në të gjitha kontinentet falas me përpjekje të tij.

Puna e At Belluscit 40 vjeçare në Greqi nuk u kurorëzua vetëm nëpërmjet  veprave  mbi  Helladën, por ato shkojnë më tej, ai sentiment  mblidhet një korrespondencë mbi 2000 letra me botën arbërore të At Belluscit me ta .

Vëlla Marugo- do ti  drejtohej  një ditë At Bellusci, themeluesit të gazetës Dialogoi-

Nuk do ishte mirë që të fillonit të shkruanit me alfabetin shqip për tu dalluar  nga grekrit ?

Nuk vonoi shumë dhe Maruga filloi të shkruante me alfabetin shqip në revistën e tij .

Një ditë At  Bellusci do t-iu drejtohej  shoqatës arvanitase  Marko Boçari: Vëllezër, nuk iu duket që Revista juaj nga Besa, bëhet Mbesa –

Kështu u hodhën urat që zgjatën  mbi 15 vjet mes popullit arvanitas e arbëreshët e Italisë, falë punës së At Bellusci..

Nuk  rreshtet at Antonio. Nuk limitohet, vetëm në botën e studimeve dhe hulumtimeve, ku ai regjistroj, kodifikoj, këngë, rrëfime, rite,  nëpër fshatra. Nuk  u kufizua as  si autor i 20 veprave  të tij, por At Bellusci ka shpirt Arbëri, dhe preku, lotët e atyre vëllezërve kosovar, e qahu mes tyre për gjenocidin që iu bëhej vëllezërve të tij..

Të dashur Miq. Sot, jemi në Frasnitë. Si shumica e ngulimeve  arbëreshe, edhe Frasnita është një qytezë e vogël.

Bien në sy rrugicat e ngushta, atavizma arkitekture të stilit  të gjitonisë të  cilat të përfshijnë emotivisht. Shumë pak njerëz shikon. Kështu janë mëngjeset e këtyre qytezave, jo të zhurmshme dhe në mbrëmje, në këtë qytezë nën gamën mbretërore të hënës ngjyrë blu zhytur në argjend do të ndjesh siluetat e saj ku ende eshtrat shekullore mes valëve magmatike lëvizin fosforishente në shtëpitë shekullore prej guri, në udhët, sokaqet, në kisha, në këngë, në kostume, e  ku thyen rrezet ndër fasadat shekullore.

Ç’do gjë këtu duket e qetë dhe pezull.

Them “pezull”, sepse këtu asgjë nuk është definitive e asimiluar; gjurmët e identitetit akoma frymojnë; Gjuha arbërore  edhe pse disi po shpërbëhet por ka akoma është dikush që e flet.  Po ashtu edhe kostumi arbëresh gjithë ar thuret dhe vishet në festa e riti bizantin i ruajtur në zemrat e tyre.

Mjafton të ndalosh tek ky gji, dhe kjo pjesëz toke e Arbërisë të pret krahapur.

Siç i pret sot bijët e diasporës.

Arbëria e arbëreshëve është një mëmë e lodhur, nuk ka shumë forca, janë 600 vjet, që tingujt e gjuhës së saj janë dobësuar, fjalët e saj janë të  lodhur,  dhe gjuha e saj e  dërrmuar e  shpesh herë dhe e abandonuar. Por, shpirti i poetit di të zgjedh, sepse pikëzën e Ujit e kthen në oqean, rrezen e Diellit  e thyen dhe e bën ylber shprese,  tika takun e kohës e kthen në refren, e dalëngadalë  thur  rreshta e nis e lundron si valët e një deti në këtë qytezë 600 vjeçare.

 Në këtë ditë të shënuar  nuk  mund të rrim pa përmendur shkrimtarë intelektualë  të Frasnitës; Costantino Arcuri,Vicenzo Dorsa, Bilota, Emanuele Giordano,  Michele Bellusci, Domenico Bellizzi, Papàs Lino Bellizzi, Domenico Bellusci, Solano, Beniamin Frascini, Domenico Magnelli, Luca Perrone, la poetessa Maria Miranda Marku.

Mendoni për një çast, që në këto zona kaq të thella, ku u strehuan arbëreshët  jetonte dhe vepronte shtypi  intelektual të një kalibri europian. Si Torello, krijuesi i  Gazetës “Omnic”,  Jura , krijuesi i urës pezull e para në Itali, gjatë në Mbretrisë së Dy Siciljeve, gazeta La Nazione, Fiamuri i Arbrit etje, dhe  këto foleza,  të shpirtit të  Arbërit  jo vetëm që ishte i gjallë,  por  ata u kthyen  në flamurtarë të ideve, intelektualë dhe patriotë që  udhëhoqën botën arrbërore.

Idenë e parë mbi kombin e hodhi Vicenzo Dorsa, dhe Samiu shkroi në bazë të këtij traktati Shqipëria, çka qenë e çdo të bëhet. Mikele Bellusci,i  tregoi vendin Peshkopit të Rossanos që ngatërronte Shqiptarët me grekrit duke i thëne se  zotëria juaj gabon duke i ngatërruar shqiptarët me grekët,  shqiptarët  ndryshojnë prej tyre  në gjenezë e në kulturë.

Frasnita, kjo qytezë që edhe sot mbart në gjirin e saj  mban figura të gjalla intelektuale  si Prof Giordano Agostino  poeti me pseudonimin “buzëdhelpri” e revista e tij që po i mbijeton çdo stuhie  Jeta Arbëreshe,  Lucia Martino me teatrin e saj,  por edhe, mësueset  Katerina Adducci, Antonieta Rimoli, Mikele Greco të cilët  sjellin atë afshin e ngrohtë të përjetshme të botës arbëreshe.

At Belluscit i dhemb zemra kur shikon që qytete shqiptare po shpoullohen, kur qytezat arbëreshe po shuhen, e dhe  gjuha  jonë e bukur po tkurret, kur shikon që riti  me liturgjinë arbërishte, thuhet  më tepër në italisht se në arbërisht.

Ju,vëllezër të diasporës, keni ardhur sot në këto troje  ku  shpirti juaj poetik, me siguri do të takojë  botën e të gjithë atyre arbëreshëve që shkruan në gjuhën e tyre, si  Jul Varibobën,  De Radën, Seremben, Santorin, Stratico,  e dhjetra e dhjetra të tjerë.

Shpirti i poetit duke mbartur atë  hirin e kujtimeve  di të futet në këto skute, ku sakrificat, mënçuria, patriotizmi, bukuria njerëzore kryqëzohen, e ju nisni  të ndërtoni  atë  pjesë mozaiku  antropik të çmuar të këtij populli ku rrugicat e gjitonisë ende pëshpërijnë shqip, pragje  shtëpie mbushur me myshkun e viteve  kanë lënë mbi to falangjet e duarve të mundimshme  shekullore, por muret me poret e tyre frymojnë ende   arbëriesht.

Ja se si e përshkruan Arbërinë sot një nga poetët më të dëgjuar bashkëkohor, Mario Bellizzi:

Hije me copa qielli

Gjendem në një vend i madh,

pjot simbola dhe njerez

me prejardhje gjeografike sa më të ndryshme

vend i ndërlikuar piçkulaç,

i mbitur në shenjtëri dhe peisazhe

zbrazëti, mura të gramisur

(jemi në Jug ndanjë katund jashtë historisë)

para meje shoh një kështjellë

e rrethuar me shpizë si kaliva vetmitarëve

ku jetojnë nanì emigrantet rumunë dhe afrikanë

aty këtu shtohen shfaqje marramendëse

një burim përralor me mbistica

më poshtë kupola bizantine ngjyrë kobalti

ruajnë në lindje, ujërat e kthjellëta

të detit të Magna Graecia-s

ku fanaren Perëndi pjeq

si thonej Euripidi: hije të pajisura me frymë

të bërë me copa qielli, një vegim i mbrazt

Hyjni të tjera nuhasin

aromën e lulevet të nerënxësë

… disa strushëlaren nga malet e Silës pas shtegtimin së kuptimevet

të lakimit, të ritmit dhe tonit

çë rrëzohet drejt heshtjes.

Një trazim i bukur, s’kemi çë t’i thëmi,

ruanj pëllèse dhe qisha,

shpi me ngjyra të larme,

nuanca të zbehta, të ëmbla e të gëzueshme,

të rreshtuar pa ndërprerje ndërsa lakohen,

ndërthuren përgjatë udhë, rrugica, mbështetëse, shkallë, …

me zgjidhje arkitektonike të pabesueshme.

Njerëzimi bëhet bashkësì kur ulet ndër sheshe

me nxilikata të stisura me gurë lumi

të vjedhura ndër gramina të çuditshëm.

Kamare ndër muret me shenjte gojë hapt

pëllumba mbi fijet e dritës

shqëndezit shumëngjyrëshe të ndejtur

ndër ballkunat

megjithatë këtu në Mesdhe,

argalesha pjakarushe

shtìellin boshtat me folje të reja

në kohën e ardhme

tek tiligadhi jashtë historisë,

në historinë më të lashtë,

më të vërtetë, të pafajshëm,

ajo e dheut.

 Ora letrare filloi në Bibliotekën e At Belluscit.

Promovimi nisi Peter Shtoka, një arbëresh i Istrias, Slloveni, me librin e tij Atlante Istriano, mbështetur nga Shoqata kulturore shqiptare “Iliria” Koper-Capodistria, kryesuar nga Presidenti i saj Heset Ahmeti.

U lexuan poezi nga arbëreshë dhe shqiptarë të diasporës, si dhe u dhuruan libra bibliotekës si edhe disa libra i lanë për bibliotekat e shkollës. Në mesin e tyre kishte edhe artistë si Milazim Ukëhaxhaj,  një artist realist, por me tematik historike siç ishin  pikturat e Kullave të djegura në Kosovë. Artisti ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Vjollca Ukëhaxhaj

Punimet letrare vazhduan të drejtuar nga zoti Musa Jopulli kryetar dhe Mentor Thaqi sekretar i saj. Poet e artistë nga e gjithë Diaspora, sollën shpirtin e tyre artistik në qytezën arbëreshe të Frasnitës. Për një ditë, Frasnita ishte kryeqyteti i poezisë në Diasporë.

Punimet e tyre artistike, mbartnin si pathosin, epikën, lirikën për atë mall që shpesh shpirti i emigrantit herë del si një puhizë dhe erë si tufan i egër por të mbushin  me ide dhe energji për dashurinë në shërbim të kombit,   edhe pse në dhè të huaj.

Buqete lulesh te Busti i Skënderbeut

U vendosën buqete me lule të Busti i Skënderbeut me rastin e ditëlindjes së tij, dhe u krye riti Himni i vëllazërisë.

Maria Antonieta Rimoli, Emanuele Rossanova, Lucia Martino, lexuan poezi nga autorët Arbëresh.  Për interpretimin e tyre, si  edhe për sforcimet që bëjnë për të mbajtur gjallë gjuhën  dhe kulturën në arbërisht iu shpërndan edhe fleta nderi: A. Rimolit, L.Martino, E. Rossanova e Profesor A. Giordano.

Për impegnimin mbi ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe,  u nderuan edhe  Z. Guagliardi Damiano, Francesco Perri, Gennaro De Cicco.

Midis dy vëllezërve të të njëjtit gjak u krijuan shumë emocione.

Pjesa e dytë, u zhvillua pranë bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Për nder të figurës së tij, dhe me rastin e ditëlindjes së tij  u vendosën buqeta me lule,  dhe u lexuan disa poezi me temë kushtuar arbërorëve dhe Gjergj  Kastriotit.

Nuk munguan aktivitetet të tjera, si  pjesëmarrja në Teatrin arbëresh drejtuar nga  mësuesja Lucia Martin, dhe shoqata “Vorea”, të cilën ajo drejton të cilët bëjnë një punë të madhe për ta mbajtur gjallë.

Qendra Albanologjike dhe Biblioteka Internacionale shpërndahu disa Certifikata ”Nderim Arbëresh” dhe “Mirënjohje arbëreshi\e” për pjesëmarrësit në këtë eveniment kaq të rëndësishëm të ardhur nga e gjithë Diaspora.

Ky – ishte një Kuvend- tha At Bellusci- Demonstruam edhe një herë që Arbëreshi nuk është vetëm Folk, Arbëreshi është edhe Gjuhë, Kulturë, është  Teatër, është poezi, është krijues me shpirtin arbëror. Ajo që ka rëndësi është se kjo ngjarje nuk u zhvillua vetëm në gjuhën shqipe standarde apo në gjuhën italiane, aty u fol arbërishtja jonë, arbërishtja e ruajtur  e Bilotës, e Emanuele Giordanos, e Bellizzit, e dhjetëra e dhjetëra krijuesve arbëreshë.

Ju vëllezër të diasporës  shqiptare  nga Zvicra, Gjermania, Austria, Sllovenia, Franca, Kosova, Shqipëri, Maqedoni e Veriut së bashku ne sot, lexuam, nxorëm nga shirti ynë tingujt tanë të bukur arbëror, shkëmbyem fjalët mes nesh që dilnin nga shpirti ynë, dhe krijuam një nga ngjarjet më të bukura që  kam përjetuar, sepse “na U foltjem arberisht me njeri tjatrin”. Gluhen e mëmës  mos harromi”. Treguam se  Arbëria jonë nuk është vetëm Vallja, e kostumi, është edhe gluha, e arbëria ka në gjirin e saj poet, artistë, studiues, me gluhë arbërore, me shpirt arbëror!

Arbëreshi nëng mund t vdes!

Gjaku i Arbërit rron!

Merrni pjesë Artelier si Artisti Sokol Ahmetaj Kabashi, me banim ne Paris, e shoqëruar nga e shoqja e tij Asbije Ahmetaj të cilët  i dhuruan At Antoni Belluscit, si shenjë nderimi një stemë krijuar apostafat. Për të duke vënë në qendër Dielli dhe duke e krahasuar At Bellusci: Dielli i Arbërisë, një iluminist i kohëve moderne për Arbërinë antike

Në fund u shtrua edhe një drekë, nga LSHKM në Diasporë, ku At Bellusci edhe pse në kushte jo të mira shëndetësore u mundua që të vinte e të qëndronte edhe për një farë kohe së bashku me të gjithë vëllezërit në Europë  me të njëjtin gjak.

LSHKM-ja ju urojmë arbërisht: E bëjshit grurë, mel e kukulë shumë.” (Grurë, misër, dhe boca mëndafshi, i cili ky i fundit kultivohej dhe përpunohej shumë në fshatrat arbëreshe)

Grupi i diasporës vazhdoi takimin e tyre në IPS të Ungrës ku kishim lënë një takim për të parë një shkollë ku ka nxënës arbëresh dhe për të krijuar ura dhe projekte për të ardhmen, duke ditur që në Kalabri nuk mësohet nëpër shkolla gjuha arbërore.  Këtu u takuam me Diregjentin e shkollës,  por për këtë takim, mbi projektet  do të flasim herën tjetër.

Përgatiti materialin

Ornela Radovicka, Qendra albanologjike  themeluar ng At Bellusci 1980