Dr. Ornela Radovicka: Duke udhëtuar në vëllimin poetik “Përflakja” e autores  Shqipe Bytyqi 

Autorja, një marathonomak e heshtur, e veshur me mantelin e zjarrtë  lundron  në krateret e tymosura, mes krimit dhe ndëshkimit,  e njomur nga lotët e përzierë në argilë, mbërthyer nga zinxhirët e krenarisë dhe ngushëllimit, ku zhgaba grryen zemrën prometeike.

Nis kështu qytetërimi i botës humane “mes flakëve”.

Nga Hesiodi te Eskili, nga Ovidi te Bokaçio, nga Volteri te Rusoi, nga Gëte te Sheli, nga Marksi te Niçe, nga Kamyja deri në ditët e sotme, Prometeu nuk pushon kurrë së ripërtërirë flakën e tij djegëse.

Edhe në poezinë e Shqipes “Perflakja”  krijon shtjella e amplidude të rebelimit dhe sfidës ndaj kufijve të vendosur nga fati dhe autoriteti, shkrumbëzohet në karbonin e trupave pa jetë e ndizet  ne revoltën e  shkëndijave të mendimit të  lirë.

Strofat e saj janë të zhytur në historinë arbërore ku si një karvan ndeshim emrat e tyre:Gjergji, Nëna Terza,Aleksandri i Madh, ndërsa në ujërat e Akeronit shohim Hamza-llinjë  të  gjunjëzuar në Albulenë. Vargjeve të saj mban shkëndiza të ndezur që si pikëza xixëllonje, krijojnë situleta si Noa, Kali i Trojës, Bajlozi i zi, Zanat,Olipmi,Uliksi,Templarët.

Vargjet e saj janë të zhytura në  toponime të cilat  frymojnë rapsodi; bjeshkët e Namuna, Albulena,Dukagjini,Kisha e Deçanit, pjesë e atij arkipelag iliro pellazgjik, oaze të mbushura me fronin arbëror e me spasëm dhimbjeje.

Vjeshta, ne poezinë e Shqipes janë grimcëza jete në mes të ngricës, ku frymon cikli i jetës.

Në atë cikël ka Agoni e pritje. Intervale  që nuk kanë aspak lidhje me mendimet e  Senekës apo Paskal, ku ofrohen ato doza optimizmi për jetën që të shijohet e sotmja, ajo që është prezente. “Pritje” janë sinfoni telash me gjemba, ku notat “gjenocid” pikojnë jetë njerëzish në pentagramin e flakëve. Një populli i pafajshëm e kufijë që akoma mbajnë nyjet e ekuacioneve! Në detin e saj gjenden “kapitan” të cilët lanë barkat në det të hapur. Në dallgët e tij  ai mban aksiomën më të egër:Kush shpëton kap bregun, përndryshe  një anforë “anonim”.

Apel

Në fund të detit, Të pafajshmit.

Pjesëza jetë, klithmë që del prej palces së shpirtit:

  • I lini ashtu të padakmosur, mos i ngacmoni me duart tuaja të përlyera!

Ju përgjëroj!

Pranverat,në vargjet e saj janë gjethet e shpirtit, që betime sythojnë:

Pash tokë e qiell! Besa jonë që kur kemi le në këto troje e lindi njerëzimi.

Mërgimi i saj, “valixhja e vogël”, si hije,

E, shpresat e mekura lotojnë me mallin flakë.

Vargje, që shëndërrohen në kronika, ngjarje, gjak, ulurima;

Konvikti nr 5.

Një “diez” ku mbështjellë një reportazh:

studentët, kërbaçi, ankthet, ulurima, heqje lirie, por edhe krenari për atë mars 1989 në Prishtinë.

Strofat në vëllimin e saj  janë si një telenovelë. Hyjnë personazhe, dhe  skenari pasurohet.Disi më tutje  “vdekja i flet serbisht” por emrat janë arbëror. Dalina, Diona, Marigona, Vjosa, Flaka. Ah Flaka!  E tëra në flakë, 13 fëmijë

Ndalojmë

Është Tringa mëmë,  me  vogëlushen  dy vjece, së bashku me 50 plisat e bardh u prehen. Mbi to një mermer i bardhë ashtu të bardha siç ishin vitet e vogëlushes.

Rrëfimet kodifikohen, shkruhen vargje, dhe shëndërrohen si një teatër “ narrativ”, e mbeten histori, epikë, lajm, viktima, të vrarë, dhe nuk fshihen pas një leksiku të zgjedhur e përkthyer në formulën e famshme metaforike makiaveliste të dhelprës dhe luanit por hedhin frymën reale,se kushdo që shkruan  gjurmët e luftës me vërtetësi  e ka parë në fytyrë, prandaj nuk i fsheh dot plagët, krimet, dënimet, dhunën. E Shqipja këtë  luftë e ka përjetuar.

Kur shpallet luftë viktima e parë është e Vërteta, e lufta ndaj  popullit shqiptar   është një luftë gjenocidi, absurde e bërë në shekuj, dhe sot ende zgjohen “komandantët” në emër të një patriotizmi  kotësie të “baltës dhe konjakut”

Shoqëria moderne tek Shqipja merr ngjyrime “mjerimi”, por ky mjerim nuk është si ajo Migjeniane: Mjerim  me zhele!

Nuk përmban as shprehjen “Zonjë a më fal diçka”, por e gjithë filozofia e konsumizmit modern  mbërthehet në normën: Zonjë,a do me ble?

Një shoqëri që rreshket, nuk është solide, ku mbisotëron “ Perëndia e Parasë”.

Poetja heton në këtë sferë.

Vargu i saj  arrin si një fshikull në vorbullën ku të korruptuarit dhe të pa korruptuar i ndan vetëm një kufij i hollë. Në formën më natyrale, ajo hedh në retorikë aksiomën e virtytit më suprem:

A shitet Atdheu ?

Nuk jep koordinata, shtron pyetjen dhe rrit reflektimin.

Ky libër është një vëllim poetik mbështjellë në metaforë, jo vetëm karakterin historik e fatkeq  të trojeve shqiptare, por poezia eksploron ndjenjën e nostalgjisë, emigrimin, stinët e shpirtit të poeteshës.

Në aspektin stilistikës nuk  po futem në meritë,  për arsye se nuk është  e nevojshme, i janë bërë këtij teksti  parathënie shumë të bukura nga njerëz kompetent, por do të prek vetëm  një element të strukturës; Renditjen.

Kapitullin i fundit autorja e ka titulluar  “Ringjallja” ndërsa  kopertina\ Ballina është  skicuar Feniksi në flakë( metafora ringjalljes, duke u  bazuar në hirin i tij që shërben si humus).

Pikërisht kjo vijueshmëri është paralelizëm edhe rrafshin e përmbajtjes: Shpresa në ringjallje duke u mbështetur në forcat tona si individ dhe si komb!

I uroj poeteshës Shqipe Bytyqi vazhdimësi në krijimtarinë e saj të fuqishme, dhe me sa mendoj unë është një poete që meriton  më tepër vëmendje, për stilin e saj si edhe për tematikat që trajton.

Përgatiti Ornela Radovicka, Qendra Albanologjike “Gjergj  Kastrioti Skënderbe”, kërkime mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga At Bellusci