1 Maji Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

Sot është 1Maji dita ndërkombëtare e punëtorëve, ditë për të cilën në shumë në vende të botës rrugët, sheshet, punishtet janë gjakosur, janë vrarë e burgosur në kërkim dhe respektim të të drejtave të tyre. Fal këtyre sakrificave është arritur që në shumë vende të botës punëtorët të realizojnë shumë qëllime të tyre. Por edhe më tutje në botë ka diskriminim, padrejtësi e mohim të të drejtave të punëtorëve. Për këtë arsye në shumë vende të botës në vend se të festohet edhe më tutje protestohet.

Po punëtorët në shtetin tonë ku janë? Ata u diskriminuan në radhë të parë nga pushtuesi deri sa u përzunë kolektivisht nga vendet e tyre të punës në vitet ’90-ta, atyre iu morën fondet pensionale po nga këta pushtues.

Po shteti ynë a është duke përmbushur detyrën e tij (punëtorit) në raport me punëtorët të cilët u zhveshën nga të drejtat e tyre, në kthimin e fondeve të tyre të vjedhura nga Serbia, për kursimet e tyre? Pse nuk u ndërkombëtarizua ky problem? Pse edhe kjo çështje nuk u shtrua si kusht për bisedime me Serbinë? Janë pyetje këto që vështirë mund të gjejnë një përgjigje të kthjellët as sot, 20 vjet pas  luftës.

Shumë nga punëtorët edhe sot e kanë humbur të drejtën e të qenit “punëtorë,” sepse punët për ta nuk ka. Është kjo një kauzë kryesore që s’po përmbushet për një pjesë të madhe të njerëzve të përgatitur, të aftë e të kualifikuar. Prandaj njerëzit po marrin botën në sy.

Edhe për ata që punojnë  edhe më tutje s’ka sigurime shëndetësore, ka mungesë të mbrojtjes në punë, s’ka kompensim për dëmtimet që pësojnë në punë, s’ka shtesa e pagesa për fëmijët e tyre.

Ligjet për punëtorët sa do që me mangësi edhe ato nuk po zbatohen. Kontrata kolektive nuk zbatohet. Ka përpjekje që edhe e drejta e grevës të cenohet.

Në shkelje të drejtave të karakterit të përgjithshëm të punëtorëve ka edhe në komunën tonë. Konkurse të porositura, anulim të konkurseve, diskriminim në përzgjedhje, punësime me bazë familjare, shkelje të ligjit të punës.

“Një mal i madh” punësh të pakryera nga shteti e komuna, prandaj punëtorë është në zgjedhjen tuaj të festoni a protestoni. Cilëndo që keni zgjedhur, urime dita ndërkombëtare e punëtorëve 1 Maji!