Pjesë nga libri: “JETËSHKRIM I NJERVE TË SHQUAR-SKËNDERBEU ” (shqip , anglisht, gjermanisht), i cili pa dritën e botimit pas 104 viteve në 620 vjetorin e Lindjes të Heroit të Kombit Shqiptarë , Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Nga: Hysen S.Dizdari, Tiranë
Parathënie:
Duke ditur se sa mungojnë librat në Shqipëri, dhe sa të madhe nevojë kemi për dituri në gjuhën amëtare, e quajta të mirë që të përkthej disa nga biografitë e njerëzve të shquar (celebre), të cilët i sollën ato më të mëdha shërbime kombeve të tyre, si edhe mbarë njerëzimit. Se e dimë mirë, se më e madhja pjesë e qytetërimit u detyrohet këtyre njerëzve të shquar. Prandaj neve, Shqiptarëve na lipset t’i marrim si për shembull, dhe t’i këndojmë dendur veprat e tyre, se në jetëshkrimin e tyre gjejmë shumë gjëra të dobishme, qysh njeriu me dashjen e tij mund të bëhet njeri i madh dhe t’i shërbejë atdheut se, sikundër i shohim në jetëshkrimin e tyre, me gjithë vuajtjet që ata kanë duruar, kurrë s’kanë hequr dorë nga veprat që kishin nisur.
Me Nder: Petro Qirias //Constance, 1921
SKËNDERBEU
“Kohën e djalërisë e të burrërisë, në periudhën 1413-1443, Skënderbeu e shkoi në oborrin sulltanor të Turqisë, në Andrianopojë.
Këtu u stërvit e u arsimua duke marrë njohuritë e duhura prej mësuesve shqiptarë, por edhe atyre më të mirë mësues të Turqisë. Këtu u thellua në mësimet e mënyrës së luftimit. U stërvit shumë mirë me kuaj dhe, edhe më mirë për përdorimin e shpatës. Mësimet e gjeografisë, ato të matematikës e të historisë u bënë për të ushqimi mendor i përditshëm dhe, me ndihmën e këtyre, arrin në atë shkallë aq të lartë në artin e luftës, kudo që të ndodhej as që nuk mundej ta mendonte kurrë humbjen, por vetëm fitimin e luftës. Midis mësimeve të tjera, si dhe ai i gjuhës i merrte vëmendjen e një shkallë tepër të lartë. Heroi shqiptar fliste bukur veç gjuhës amëtare, edhe Turqishten, Arabishten, Greqishten, Sllavishten, Italishten dhe Latinishten. Oratoria (të folurit e bukur) ishte mjeti më i fortë për të zbutur dhe për të ndezur zemrën e gjithkujt.
Fjalimi i tij në Kuvendin e përgjithshëm në Lezhë, më 2 Mars 1444 dhe, ai në Romë, më 1465 para Kollegut Kardinal të Papës Palit II, si dhe gjithë të tjerat para fillimit të çdo beteje, janë monumente të pavdekshme të kësaj mjeshtërie e dhurate natyrore të paçmuar. Në fjalimet që u mbante luftëtarëve u shtronte përpara vleftën e lirisë së atdheut, poshtërimin dhe robërinë nën zgjedhën e huaj, popullin e ngratë të shkelur nën këmbët e ndyra të armikut vuajtjet, rënkimet e pësimet e popullit, si dhe burrëritë e prindërve të tyre.
Fjalët e tij ishin si një shkëndijë zjarri që hidhet në barut dhe i ndizte luftëtarët e tij aq sa nuk dëshironin tjetër gjë përveç se luftë, zjarr, gjak e vdekje.
Nuk ishte vetëm oratoria, me të cilën Skënderbeu rrëmbente zemrën e gjithkujt; virtytet e tjera të tij të larta si nderi, zemra e butë e gjerë, urtësia, mëshira, shpirtmadhësia, dashuria si dhe goja e ëmbël, altruizmi e lidhnin cilindo me dashurinë e tij. Egoizmi dhe mendjemadhësia nuk kishin vend në shpirtin e tij.
Me karakterin e tij të pastër e vullnetin e paepur i ktheu kraharorët e shqiptarëve kundër armikut, ashtu si një shkëmb i fortë në buzë të detit që u qëndron i patundur valëve më të rrepta të shtrëngatës më të keqe të ujërave që goditnin mbi të. …”