“Der Standard”: Më 29 prill varroset idea e korrigjimit të kufinjve

Njejtë sikurse revista “Economist” edhe e përditshmja austriake “Der Standard”, shkruan rreth takimit që pritet të mbahet më 29 prill në Berlin, nikoqire e së cilit është Gjermania me kancelaren Angela Merkel.

“Der Standard” ka shkruar se kriter I këtij takimi do të jenë diskutimet rreth ndryshimeve të kufinjve, ide kjo e cila pritet të varroset si e tillë pikërisht në këtë takim të liderëve ballkanas.

Ideja ishte që të “shkëmbejnë” zonat në veri të Kosovës dhe Serbinë jugore, sipas kritereve etnike.

Koncepti u mbështet nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, këshilltari i Sigurisë i SHBA-së, John Bolton, Austria dhe Hungaria – një koncept që është diametralisht i kundërt me politikën e Ballkanit Perëndimor deri më sot.

Por, siç shkruan mediumi austriak, kancelarja në Berlin tani dëshiron të sugjerojë se veriu i Kosovës do të ketë një lloj statusi të veçantë – që është ankoruar edhe në idenë e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilën ishte rënë dakord nga të dyja palët në Bruksel në vitin 2013, por akoma nuk është implementuar.

Madje, edhe një mbështetës i hapur shkëmbimit të territoreve si këshilltari politik Ivan Krastev tani thotë: “Përshtypja ime është se negociatat kanë humbur vrullin. Në këtë kuptim nuk do të ketë shkëmbim të territorit”.