Blerim Rrecaj: PAMJE QË (S’)FLASIN VETË

Fragment nga kryeqyteti

Këta drunj gjethezhveshur
Dhe një rriskë qielli e kaltër
Duket që e mbajnë gjithë peshën
Tjetër të qiellit të hirtë mbi Prishtinë

Nëpër faqe malesh

Zogjë fluturojnë
Hera-herës nga këto degë
Hidhen në faqen tjetër të malit
Që me mall po i pret

Flutura në degë

Një flutur në këtë ditë të ftohtë
Papritur derisa është duke ec mendueshëm
Hap krahët e fluturon
Këmbët nga toka i vë në një degë
Si gjethe e vetme tash këtu ka mbet’

Dy helikopterë

Dy helikopterë
Në qiellin e Gërmisë
Njëri viti që shkoi
Tjetri që u nis

Lule drejt përqafimit

Një lule e bardhë
Dhe një lule e verdhë
U afruan ndoshta për përqafim
Pastaj për puthje
Të tjerat përreth
U skuqën
E kokat ulën

Pyetje e papërcaktuar

E pyeta një lule
Edhe për sa mund të mbërri
Më tha se varet se për ku
Je nisur o njeri

Lule në mes hekurudhe

Dy lule këmbëgjata si basketbolliste
Flokëverdha
Në mes të binarëve të hekururdhës
Kë presin këtu
Mbirë mes gurësh

Vrima

Në një shtëpi që rrëzohet
Me një vrimë në mes të saj
Poshtë së cilës duket
Një kanal pas heqjes së ca kabllove elektrike
Hyjnë e dalin trumcakë
Si në një vrimë miu
Kushedi se ç’duan në këtë shtëpi
Diç të harruar
A ndonjë kujtim njeriu

Pupla

Bisedonim në verandë
Ndonëse ditë e freskët dimri
Fjalë të zakonshme
Që prej nesh priteshin
Ndërkohë një pupël e bardhë zogu
Luhatej andej-këtej
Në këmbë i kishte hyrë
Një gjembtrëndafil
Më pas filloi shiu
Dhe ne brenda hyjmë

Yjet e ditës

Diell i një dite dimri
Ndezi një fitil xixëllonje
Në duar të fëmijës
Sa bukur të shohësh
Yj të ndezur në pikë të ditës

Yjet e kafenesë

Natë
Në xhamat e kafenesë
Kanë zbritur këta yje
Sekush e do një kafe
Një gotë qumësht me çokolatë
Sekush një tjetër pije