Personaliteti i shquar arbëresh, Antonio Belushi, përballoi me sukses një operacion spitalor

Pasi një bisedë telefonike me At Antonio Belushin, këtë figurë madhore: prift, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kalabrisë, në bisedën e sotme mësova lajmin e gëzueshëm se ai kishte përballuar me sukses operacionin dhe ishte kthyer në shtëpinë e tij që posedon një bibliotekë unike me mbi 6 mijë libra, ekzemplarë të rrallë.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati 

Ky ishte një lajm i mirë për të gjithë ata që kanë njohur këtë personalitet të rrallë dhe veprimtarinë e shumanshme kulturore, fetare e kombëtare , të regjistruar në librat dhe revistat e tij të shumta sa letrare aq edhe me peshë të veçantë shkencore.

Në këtë kohë pandemie të gjithë ne jemi me sy e vesh në drejtim të motrave dhe vëllezërve arbëresh, që ta kalojnë me sa më pak dhembje, aq më parë që në kushtet ku jetojnë ata ka një mangësi të madhe në zhvillimin ekonomik. Por ana tjetër e dobishme është, nga ajo që kam pa gjatë vizitave të mija atje, se katundet janë të vendosura në thellësi të qendrave urbane dhe paraqesin një izolim natyror, që me një kujdes të veçantë të popullatës gjendja mund të përballohet më lehtë.

Po ashtu sot një bisedë me At Antonio Bellushin (Belluscin) e pati edhe poeti Faruk Tasholli, një mik i vjetër, që e shoqëroi priftin arbëresh gjatë vizitave të tija të para në Kosovë. Përndryshe, At Antoinio edhe gjatë vizitave të mia tek ai më ka pyet për Farukun.

Do theksua se At Antonio ishte në Kosovë edhe me motrën e tij Rinën, ndaj edhe gëzojnë një dashuri të jashtëzakonshme për Kosovën, të cilën At Antonio e mbrojti edhe para Stejtdepartmentit Amerikan, duke nxjerr në dritë fytyrat e palara të tr priftërinjve serbë që akuzonin shqiptarët në mënyrë të turpshme gjoja për keqtrajtimin e serbëve në Kosovë, në periudhën e paraluftës së fundit.

Me këtë rast po postoj një nga fotot e mija më të dashura që i bëra At Antonios me një fëmijë arbëresh në ditën e Pashkëve vitin e kaluar dhe këtë foto e vura në kornizë, me shpresë që më 14 Prill 2020 të ia dhuroi  At Anatonios, po shkaku i koronavirusit edhe manifestimet e edhe fluturimet u anuluan. Të shpresojmë se vitin e ardhshëm, ose në vjeshtën e sivjetme sërish do të gjendemi në Kalabri për ti dhuruar At Antonios këtë fotografi.

Me kënaqësinë e madhe për shërimin e tij shpresoj që bashkë me shumë të tjerë të kemi raste për vizita të tjera ku At Antonio me motrën e  tij Rinën që ka kaluar të 74-tatë të na pres sërish te dera e shtëpisë, sipas një tradite të vjetër arbëreshe që ardhja e mikut të pritet me këngë e hare!