Bedri Tahiri: MËRGATA- KRENARIA JONË

Sa herë vjen vera, vendi ynë gjallërohet. Rimëkëmbje emocionale dhe ekonomike. Mbase më shumë, përtëritje kulturore. Kjo u dëshmua edhe më 9 gusht 2021, kur amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ishte i vogël për krijuesit nga Mërgata dhe për dashamirët e fjalës së bukur shqipe. Musa Jupolli, Kryetar i Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve në Mërgatë e Hazir Mehmeti, kryetar i Krijuesve në Austri në krye të vendit. Para tyre një mal me libra, të autorëve tanë mërgimtarë.

Sa bukur! Mrekullia vetë! Një letërsi e pasur: Letërsi e mërgatës Shqiptare! Kreanaria jonë! Edhe pse vapë e madhe, askush nuk ndjente lodhje…Përqafime, ritakime pas dy vitesh…vlerësime, lexime, diskutime, çmallje, fotografime, dhurim librash…

Edhe unë po ndjehem pjesë e pandarë e Tyre! Edhe Ata vetë më kanë pranuar në gjirmë të Tyre që vlon nga atdhedashuria. Unë referova për librin e veçantë, kushtuar një ngjarje të veçantë, për librin e autorit me përmasa kombëtare, z. Hazir Mehmeti, librin e çmuar kushtuar helmimit të nxënësve dhe rinisë sonë, me një titull simbolik “PRANVERË E HELMUAR”.

Pasdrekja edhe më e këndshme! Në ambientin e bukur të fshatit etnografik KUKAJ u mbajt orë e begatë letrare me karakter garues. Juria: Prend Buzhala (kryetar), Angjelina Marku e Bedri Tahiri (anëtarë), pasi dëgjoi leximet e tyre, nën tingujt e lehtë të kitarës dhe i lexoi edhe dorëshkrimet, nuk e pati të lehtë të caktoi emrat e fituesve:. Çmimi I: Nora Lokaj; Çmimi II: Gani Bytyçi dhe Çmimi III: Ilaz Hysaj, Demir Reshiti dhe Hasije Lusha.

Gjatë kësaj atmosfere madhështore u dhanë edhe shumë Mirënjohje e Dekorata…

Dreka tradicionale shënoi fundin e një ditë të larmishme përmbajtjesore etno-kulturore…

Fjala ime:

NGJARJE TË PËRJETUARA

I nderuari autor i librit që sot po e përurojmë, z. Hazir Mehmeti!

Organizatorë, mysafirë, artdashës e dashamirës të fjalës së bukur shqipe!

Tё nderuar mёrgimtarё!

Ju, bijtё dhe bijat mё tё devotshёm tё kombit, që pёrherё qёndruat afёr trungut kombёtar. Dje, mbajtët gjallё familjet tuaja, ndihmuat skamnorёt dhe shkollat shqipe nё Kosovё, ndihmuat UҪK-nё dhe luftёn e saj tё drejtё e ҫlirimtare, ndёrkaq sot, jeni potencial i pazёvendёsueshёm ekonomik, politik e intelektual

Hazir Mehmeti, tashmë ka bërë emër në letrat shqipe. Një jetë të tërë në shërbim të çështjes kombëtare. Disa vite mësimdhënës shembullor e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues e pedagog i zellshëm në Vjenë, hartues tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në mërgatë; publicist, tregimtar, poet, përcjellës besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore.

Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë qëndruan këmbëkryq ngjarjet më të rënda të historisë tonë, ato të përjetuara drejtpërdrejt, që lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë historike, helmimet e fëmijëve tanë.

Cerberët e përtej Tunës, që kur zbritën nga malet dhe vërshuan trojeve tona stërgjyshore, me vete morën egërsinë, ligësinë, gënjeshtrën, pabesinë. Iliria zu të tkurret nga barbaria e kësaj fare të mallkuar. Dhuna qe e paparë. Vrasje, masakrime, dëbime, djegie, plaçkitje, shfarosje. Në vitet e ’90-ta, edhe një krim i panjohur për botën e civilizuar: Helmimi i fëmijëve!

Të gjitha këto i përjetoi, me trup e me shpirt, edhe mësimdhënësi i biologjisë në QAMO-në “Muharrem Bekteshi” të Vushtrrisë, Hazir Mehmeti, madje duke mbajtur edhe shënime në ditarin e tij personal. Ato, i barti në gjirmë të zemrës për më shumë se tri dekada, derisa e nxori në dritë librin “PRANVERË E HELMUAR”, në të cilin, në mënyrë analitike e përmbajtjesore, shtjellon këtë të keqe të madhe, që nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Materialet e shumta: Dëshmi, foto, faksimile gazetash, mendime, kujtime, vlerësime, përjetime e ritregime, të mbledhura lule me lule, si bleta nektarin, për të qenë me të kapshme për lexuesit, autori i ka konceptuar dhe sistemuar kryesisht në gjashtë kapituj e në disa nënkapituj.

Nisur nga të gjitha këto, edhe helmimet filluan pikërisht këtu, duke sjellë pasoja të rënda për nxënësit e saj dhe personelin arsimor. Në këtë shkollë pati disa herë helmime, por ato kulmuan më 23, gjegjësisht më 26 mars 1990, kur u helmuan 264 nxënës, kurse në qytet dhe rrethinën e tij ishin 353 nxënës e studentë të helmuar.

Pjesa më interesante e librit “PRANVERË E HEMUAR”, padyshim, mbetet DITARI, i cili, siç e shpjegon vetë autori, ka një histori të veçantë, dhe, ka përbiruar për vesh gjilpëre, duke i shpëtuar asgjësimit.

Hulumtimi i pandërprerë, nëpër biblioteka të ndryshme, brenda e jashtë vendit, konsultimi i dëshmitarëve të atyre ngjarjeve, i mjekëve heronj, që përkundër rreziqeve, dhanë ndihmën e tyre, i njerëzve që kontribuuan në forma të ndryshme, shfletimi i një mori gazetash e revistash, në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaja, tregojnë peshën e seriozitetit të kësaj vepre. Aparatura e duhur shkencore, fusnotat sipas standardeve të reja studimore dhe literatura e bollshme, mbi 120 burime, ia shtojnë vlerën librit “PRANVERË E HELMUAR”, duke e radhitur ndër studimet më të plota të kësaj fushe.

Dhe, fare në fund, pa mëtuar të shkoqisim librin më në imtësi, ngase ai do të përjetohet vetëm kur të lexohet, autorit i dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë, ndërkaq librit përhapje nëpër bibliotekat tona e lexim të merituar!