Bardhyl Selimi: Ali Hasani një figurë e shquar mësuesi

Ali Hasani nga fshati Pistë I Malziut të Kukësit, më në fund, mundi të ndiqte shkollën pedagogjike në Shkodër, pasi nuk e lejuan për disa vjet për shkak se ishte me  “biografi jo të mirë” sipas kriterit klasor komunist. U emërua në shkollën e Kalimashit. Aty e kam njohur edhe unë në vitin 1966.

Më kujtohet si tani, kur i pyesja nxënësit se çfarë është portokalli, ata nuk dinin të përgjigjeshin sepse nuk e kishin parë me sy ndonjëherë atë në dyqanin e fshatit!

Shumë shpejt Aliu do ngrinte në atë shkollë një kabinet model zoologjik dhe botanik, do mbillte fidane në shtretërit e nxehtë në kopsht dhe më pas do ndërtonte një serë të vërtetë me sipërfaqe 80 metra katrorë me xhama! Pasi ai kishte bindjen se vetëm fjala e mësuesit nuk mjafton për të shpjeguar temën përkatëse. Duhej konkretizimi që ai e bënte me vizatime në kartona, me kafazë ku rriste deri në 40 lepuj angora, me herbariume dhe parcela me bimë nga më të ndryshmet.

Në Kalimash ai u njoh me një kolege nga Bregu dhe jetoi mbi 20 vjet, aty në mjediset e shkollës! Me zonjën Eleni ka dy djem që janë bërë personalitete në fushën e kulturës dhe diplomacisë.

Në vitin 1969, kur nisi një fushatë për ngritjen e muzeve historikë vendorë, Aliu e realizoi ketë me shumë sukses në Kukësin e vjetër, në katër pavione ku u sollën materiale që gjendeshin në shtëpitë e qytetarëve dhe fshatarëve prej kohësh. Diçka të ngjashme ai bëri edhe për muzeun e Shëmrisë.

Pasi kreu shërbimin ushtarak në brigadë pune në taracat e Bregdetit, Aliun nuk e lejuan të vazhdonte punën si mësues. Kështu ai  u detyrua të punonte në ndërmarrjen pyjore. Pas ca vitesh, mundi të emërohej mësues në Domgjon. Atëhere Domgjoni i Fanit, bënte pjesë në rrethin e Kukësit dhe ishte në skaj të tij. Nuk kishte as rrugë makine. Për shkak të zakoneve konservatore, prindërit nuk i lejonin vajzat të vazhdonin shtatë dhe tetëvjeçaren pas katër viteve të fillores, larg fshatit të tyre. Djemtë vazhdonin në një shkollë, bukur larg.

Atëhere Aliu mori nismën ta hapte shkollën për vajzat në Domgjon vetë duke i bindur fshatarët. E përkrahën edhe kolegët. Njëkohësisht ai ngriti një parcelë perimesh pranë shkollës ku rritej edhe domatja, një mall i rrallë atëkohë edhe për qytetin e Kukësit. Kjo i ra në sy kryepushtetarit të rrethit, i cili pastaj bëri çmos ta transferonin mësuesin plot fantazi më afër Kukësit. Më parë, u dërgua një letër, në emër të vajzave, për në Komitetin Qendror të Partisë për nismën në fjalë, ku ajo u prit mirë. Madje shkroi edhe shtypi. Kooperativës iu dhurua një kamion ZIS. Kjo e detyroi pushtetin vendor të ndërtonte edhe rrugën automobilistike!

Në Kukës Aliu ngriti një serë të madhe me domate dhe perime. Krahas kësaj ai vijoi punën për ngritjen e kabineteve model të biologjisë. Nxënësit e tij morën pjesë dhe fituan në disa olimpiada me karakter rajonal dhe kombëtar.

Në vitet 80, për tre muaj rresht, në shtëpinë e kulturës “Hasan Prishtina të qytetit dhe më pas në Krumë, u ekspozuan rreth 170 herbarë me bimë konifere dhe etero-vajore të rrethit, me vlerë edhe për eksport. Ishte pikërisht Aliu me dy kolegë që i mblodhi ato një për një fushave dhe maleve të zonës.

 Sidoqoftë, vetëm pas 1990 edhe Ali Hasani “mori frymë” më lirisht. U shqua ndër të parët në lëvizjen për demokraci.

Pasi doli në pension, erdhi me banim në Tiranë ku ngriti një librari me mbi 5000 vëllime. Blerësit e shumtë gjenin dhe merrnin atë që kishin nevojë, pasi Aliu ndërmjetësonte te kolegët edhe për titujt që nuk ishin në dyqan. Ajo që më bënte përshtypje, ishte fakti që ai këshillonte, sugjeronte, përshkruante para klientëve vlerat e librit, gjë që s’e kam parë askund deri tani!

Kur gjendja shëndetsore e Aliut dhe e të shoqes nuk e lejonte më, ai e la librarinë, por nuk pushoi të shkruante artikuj, tregime, kritika letrare, sikurse kish filluar në Kukës me gazetën e atjeshme vendore dhe me gazetat kombëtare më pas (Drita, Panorama, Nacional etj) ku evidentonte figura të shquara historike dhe intelektuale të zonës dhe më gjerë. I jam mirënjohës që ai ka shkruar gjatë edhe për tim atë!

Më kanë bërë përshtypje studimet e tij për veprën e Migjenit, për të cilin ka edhe shkrime kontradiktore me disa fakte të jetës. Gjithashtu një studim i tij për “Topin me grykë prej dardhe të egër” në Pistë, ku gjyshi i tij arriti t’i ndalë dy ditë kolonat e ushtrisë serbe që kalonte në Malzi, me sakrificën e jetës së vetë topçinjëve. Serbët menduan se mos këtu kishte bateri të vërteta topash nga koha e otomanëve.

Një ndihmesë të madhe ka dhënë Aliu për ngritjen e shoqatës “Malziu” me qendër në Tiranë ku ka shërbyer vullnetarisht si sekretar. Ndër të tjera, kjo shoqatë organizon çdo vit ngjitjen në malin e Runës, traditë kjo e lashtë pagane, ku marrin pjesë qindra banorë.

Historiku i Malziut mban edhe firmën e Ali Hasanit.

Jeta dhe veprimtaria e tij ka rënë në sy prej kohësh edhe te drejtuesit e Akademisë letrare kulturore shkencore “Mirdita”,  e drejtuar nga zoti Pjetër Kola dhe sekretari Aleksandër Ndoja.

Kjo Akademi e ka dekoruar Aliun, dy vjet më pare, me çmimin “Ndrec Ndue Gjoka”. Ky ishte nga Domgjoni, gjë që e ka lumturuar shumë Aliun, nga që thosh se “edhe mua më dukej vetja kur shërbeja në Domgjon si një Ndrecë Ndue Gjokë i vogël!”.

Më parë ai është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”, klasi i dytë.

Bardhyl Selimi, 15 shtator 2022