Përshkrime, emocione dhe mbresa në dasmën e Mikelit dhe Besës
Nga Isuf Ismaili
Pra tri vitesh kam qenë i ftuar në dasmën e arbëreshit të dashur Michel Greko e të mjekës së shquar Besa Zenelaj.
Michel Greco është arbëresh nga Frasnita, ndërsa Besa Zenelaj është një mjeke e shquar në Gjenevë, ajo është nga Peja.Michele dhe Besa u njohën së bashku në Gjenevë, pas një koncerti të mrekullueshëm që e mbajtën vëllezërit e motrat arbëreshe dhe disa artistë nga Shqipëria, siç është Mimoza Nazarko etj., në San Julian në Francë, fare afër me Gjenevën, diku në vitin 2019.
Michele Greco është profesor dhe ka dhënë mësim në shkollat e rrethit të Kalabrisë. Atë e karakterizon një shpirt i dëlirë njerëzor, një humanizëm i thellë, një përkushtim i pashoq për kulturën e traditat arbëreshe, një dashamirësi e dashuri e madhe për të gjitha trevat shqiptare e për popullin shqiptar. Ai këndon me pasion e përkushtim këngën arbëreshe, evokon traditat dhe ka dhënë kontributin e tij duke qenë edhe mësimdhënës edhe veprimtar i madh, por edhe këngëtar i shquar.
Shumë herë e kam dëgjuar duke kënduar, atë e rrëmben kënga, ndjenja e fuqishme atdhetare, tekstet e këngëve edhe me motive të përmallshme, familjare, të dashurisë etj. Kështu atij melodia shpirtërore i buron natyrshëm dhe tekstet e këngëve i përcjell në një përmbledhje të gjithanshme vlerash që ai ka, duke i harmonizuar në krijimtarinë muzikore – artistike. Të kënduarit e tij natyrshëm e me zemër të çiltër nuk është aspak vështirë ta vëmë re. Të gjitha këto vlera i ka vënë re edhe Besa, ndaj edhe i kanë harmonizuar vlerat e tyre i kanë përbashkuar dhe janë bërë të plotë edhe djalin e tyre të mrekullueshëm Pietro Dardanin.
Me Mikelin, sa herë ai është ndodhur në Kalabri, kur unë kam shkuar në katundet arbëreshe, jemi takuar dhe sa herë jam takuar me të kam pasur një hare të madhe, sepse ai di të krijojë rrethana të përshtatshme me një ngrohtësi vëllazërore.
Në mbrëmjen që na ftuan Mikeli e Besa, para tri vitesh në dasmën e tyre, ky çift i lumtur shkëlqente siç janë ahtu bashkëshortë të mrekullueshëm. Atë natë pati shumë miq e njerëz që i kisha njohur edhe më parë, si Naim Malaj, nip i Heroit Rexhep Malaj, nusja e tij Albana, bija e shkrimtarit të shquar Sulejman Krasniqi, arbëreshë e familjarë të Mikelit e Besës, por aty njoha edhe njerëz të rinj, si çiftin e mrekullueshëm Andi Gjonej e Bendisen, me të cilët pata kënaqësinë të flisja e të rrija dhe njëkohësisht e bëmë një fotografi së bashku: Mikeli, Besa, Bendisa, Andi dhe unë.
Atë natë u këndua dhe u hodh vallja deri në mesnatë. Këngë të ndryshme u kënduan si arbëreshe e dhe këngë nga trevat shqiptare, këngë dasmash të shoqëruara me urime e dashuri të çiltër për çiftin që po martohej, por si zakonisht në traditën tonë është edhe një motiv tjetër, ai i trimërisë e lavdisë, sepse krahas dashurisë e konsolidimit të familjeve shqiptare, i përkulemi edhe heronjve e dëshmorëve që ia falën jetën Atdheut për të qenë ne e brezat që vijnë të lumtur. Më bëri përshtypje edhe shumëçka, por edhe vajzat e Naimit dhe Albanës, të cilat këndonin me pasion e dashuri të madhe, së bashku kuptohet edhe me të tjerët, për Heroin Adem Jashari.
Kjo qe një mbrëmje e mrekullueshme për Mikelin, Besën dhe për të gjithë ne, mbrëmje e cila më la mbresa të pashlyera, emocione dhe na dhuroi hare të madhe.
Mikelit, Besës dhe Dardanit të mrekullishëm, birit të tyre, iu uroj të kenë, shëndet, lumturi, ta kenë në krah njëri – tjetrin, të kenë suksese e vetëm të mira në jetë!






















