Mërgimtarët në Cyrih me dhembje e lot nderojnë Astrit Deharin

Ishte kjo një iniciative qytetare e të riut, Fatmir Haziri, së cilës iu përgjigjen një numër i konsiderueshëm mërgimtarësh, ndër të cilët edhe shokë e miq të veprimtarit Avni Dehari, i cili menjëherë pas lufte u kthye nga Zvicra bashkë me familje në Kosovë, dhe fatkeqësisht në rrethana shumë të rënda humbi që të dy djemtë e tij.

Ndaj edhe me këtë rast, nga pjesëmarrësit në këtë homazh, u shpreh një dhembje e pikëllim i thellë për vdekjen e hershme të Astritit, ish- aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithashtu nuk munguan as të qarat e lotët. Pos të rriturve, pati edhe fëmijë që ndezën qirinj para fotos së studentit të shkëlqyeshëm të mjekësisë.

Me këtë rast u shpreh edhe mjaft revolta e mllef kundrejt institucioneve të Kosovës, që edhe më tej burgosin të ri thjeshtë për bindje politike, ndaj edhe u kërkua dorëheqja e ministrit të drejtësisë apo të punëve të brendshme e të tjerë.

Ishte vërtetë një mbrëmje e përshkuar me dhembje e pikëllim jo vetëm e këtyre pjesëmarrësve, por edhe më gjerë, sa kjo vdekje tragjike ka shkaktuar dhembje e të pa parë në mbarë mërgatën shqiptare në Zvicër e më gjerë.