Artistja arbëreshe Anna Stratigo, përmes një koncerti mirëpritet në Prishtinë

Gjatë shtegtimeve të mija në ngulimet arbëreshe, kam rastis të takoj personalitete të shquara arbëreshe nga të cilët kam mësuar se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që prej 50 vitesh organizohet në Prishtinë, ka qenë një bazament i fortë për njohjen e ndërsjellë midis arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm kaq, por edhe një mundësi e madhe për njohjen dhe thellimin e gjuhës dhe njohurive të shumta në segmente arti e kulture.

Ndaj edhe koncertin e mbrëmshëm të njërës nga figurat e shquara arbëreshe,këngëtares, kitaristes dhe aktores Anna Stratigo duhet shikuar në këtë kontekst. Këngëtarja Anna Stratigo që është e njohur për përpunimin e këngëve popullore arbëreshe dhe shqiptare me ngjyrime të xhazit, mbrëmë në hollin e Bibliotekës së Kosovës “Pjetër Bogdani” pati një përcjellje të shkëlqyeshme nga violonçelisti Spiro Pano dhe nga kitaristi Massimo Garritano. Koncerti, për fat të mirë u përcoll edhe nga një numër mërgimtarësh që e kanë njohur Annën dhe punën e saj artistike edhe gjatë vizitave të tyre në Kalabri, ndaj edhe me këtë rast i falënderoj zonjën Shukrije Ramadanin, diplomate e Republikës së Kosovës në Bernë dhe aktorin Ramadan Morina , që jeton në Gjermani e të cilët duke qenë pjesë e publikut të këtij koncerti më përcollën ca fotografi. Personalisht ndjeva mungesën e pranisë sime fizike në këtë koncert!

Mbresëlënëse ishte sidomos kënga kushtuar njërës nga figurat më madhore arbëreshe, Dr. Prof.  Antonio Belluscit, këtij misionari e atdhetari, i cili ndërroi jetë pak muaj më parë e në varrimin e të cilit mora pjesë me profesorin nga Vjena Hazir Mehmeti kur edhe ishte momenti më prekës, që Anna nuk mund tu përmbahej lotëve (për çka edhe do të jap edhe një foto me këtë shkrim).

Por cila është figura e artistes së madhe arbëreshe Anna Stratigo?!

Nuk dua të ndalem në koncertin e mbrëmshëm të kësaj figure arbëreshe që tash ka bërë emër jo vetëm në trevat shqiptare e në përmasa ndërkombëtare por për Anna Stratigon si një mikpritëse e jashtëzakonshme si në Ungra ku ajo jeton, në shtëpinë e saj gati 5 shekullore.

Sa herë që kam shkuar në këtë qytezë ku është edhe Eperkia arbëreshe për mbarë Kalabrinë , kemi kaluar nga dy- tri net në shtëpinë e Annës, të trashëguar nga stërgjyshit e saj dhe të kthyer jo vetëm në një bujtinë për turistët, por edhe në një muze etnografik me një bibliotekë të pasur me libra të vjetra disa shekullore por ku mund të hasësh edhe libra të autorësh jashtë Italisë, qoftë nga  Kosova , Shqipëria apo edhe Maqedonia.

Vetë nikoqirja Anna Stratigò ka themeluar edhe një kor të femrave që këndojnë jo vetëm këngë arbëreshe por edhe të tjera nga vendet e prejardhjes së të parëve të tyre. Por edhe një grup muzikor të fëmijëve me të cilët ushtron vazhdimisht këngë dhe muzikë arbëreshe, krejt me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës së të parëve.

Ja edhe një detaj për derën e madhe të Stragëve, paraardhëseve të Anna Stratigos:

16 Korrik 1859, Stratigó Vicenzo, poet dhe revolucionar, i cili mban një fjalim nga shtëpia e tij, duke nxitur mbi 400 ungreas të revoltoheshin kundër Bourbonëve. Fjalimi u pasua me një demonstratë në rrugët e qytezës. Revolta shpejt u shtyp me metoda të ashpra nga xhandarët. Tetë protestues u dërguan në burg, midis tyre edhe  V.Stratigó. ( Nga libri im “ Arbëreshët fotosintezë e shpirtit tim “)