E mërkurë, 31 mars 1999: Kosova është mbushur me varrnaja

Autori i ditarit, Petrit Palushi i shkruan  shkrimtarit Vath Koreshi, se ç`po ngjet në Kosovë nga makineria shfarosëse serbe: “Një gjimnaziste nga Peja më thoshte dje në mëngjes se e dinte se kish të keqe në këtë botë, por që e keqja të mbërrinte deri aty sa forcat policore dhe ushtarake serbe të vrisnin edhe fëmijët e porsalindur, kurrë s’e kish menduar, siç nuk e kish përfytyruar se mund të lëviznin nga vendbanimet e tyre”.

Petrit PALUSHI, Kukës

Letër shkrimtarit Vath Koreshi

Mik i nderuar,

Mbrëmë biseda jonë telefonike u ndërpre për shkak të ngarkesës së madhe të linjës dhe kjo letër, që po shkruhet në mëngjesin e sotëm, madje fort heret s’është gjë tjetër veçse vazhdim i asaj bisede të ndërprerë.

Një gjimnaziste nga Peja më thoshte dje në mëngjes se e dinte se kish të keqe në këtë botë, por që e keqja të mbërrinte deri aty sa forcat policore dhe ushtarake serbe të vrisnin edhe fëmijët e porsalindur, kurrë s’e kish menduar, siç nuk e kish përfytyruar se mund të lëviznin nga vendbanimet e tyre.

Të shpërngulurit që vijnë në Kukës janë të lodhur, të traumatizuar, të dëshpëruar për çfarë ka ndodhë dhe ç’po ndodh në Kosovë. Ata kallëzojnë se Kosova është mbushur me varrnaja dhe kjo gjë në shumë katunde e qytete të Kosovës, se shpirti i njeriut atje po vritet për kurrgjësend, se shtëpitë dhe pasuria e shqiptarëve të Kosovës po shkon dëmas, se karvani i njerëzve që po futet në Kukës është i gjatë dhe që s’ka të sosur, por po aq e gjatë është edhe dhimbja që ka mbështjellë shpirtrat njerëzore.

Poeti boshnjak Izet Sarajliq pat shkruar:

“Përveç vdekjes gjithçka më ka ndodhur”, por këta njerëz që erdhën këtu, kanë pa shumë gjëra, se e kishin vdekjen pranë, se kanë pa njerëz duke vdekë para syve të tyre, se i kanë pa ushtarët serbë të qëllojnë pa kurrfarë dhimbje, se ushtarët serbë mbasi kanë vra sikur kanë qenë më të qetë. Ata që erdhën në Kukës thonë se duke dalë nga Kosova u ngjan se kanë dalë nga një tunel i errët e ku dritë s’duket kërkund. Ata sikur kanë ikë prej ferri dhe tashmë ndihen si të mpirë, si të këputur krejt.

Megjithatë, njerëzit që erdhën në Kukës po marrin pakëz frymë, anipse askërkujt në botë s’mund t’i shkonte mendja se në këtë qytet dhe përreth tij të ketë vend për këtë mbledhnajë njerëzish. Por këtu vendi i zbrazët sikur bie nga qielli  dhe njerëzit e ardhur vendosen aty. Ata sikur nuk ngrohen vetëm me fjalë, por ngrohen edhe me frymën e banorëve të këtushëm. Prandaj po e rimarrin veten dhe kam përshtypjen se këtu do gjejnë vetëm hapësina ndërmjet tyre. Dhe lidhjet e gjakut ndërmjet njerëzve krijojnë hapësira të çuditshme.

Kësisoj, njerëzit këtu po rreken me shmangë të pashmangshmen.

Nga qyteti i frymës, me fort dashni

***

Letrën po ta nis dorazi me studentin Eritan Shehu; në këtë rrëmujë që është, nëse letrën ta nis me postë nuk dihet se kur vjen ose nuk mund të vijë asnjëherë.