Viti i Skënderbeut ktheu shumë ansamble arbëreshe në tokat e të parëve bashkë me këngën e lashtë shqipe dhe jo vetëm në trojet tona etnike, por edhe në mërgatën e madhe shqiptare në Evropë dhe së fundi edhe në Francë, ku bashkë me artistë eminent nga Gjeneva shfaqen një koncert që do të mbahet gjatë në mend në kujtesën e qindra artdashësve shqiptarë e francez.
Teksti dhe fotot Rexhep Rifati
Mbrëmja e së shtunës, më 29 Shtator 2018, do të mbahet gjatë në mendjen e gjithë atyre spektatorëve që ishin prezent në koncertin e shkëlqyeshëm në lokalitetin në Sant Julian en Genevois të Francës ( jo larg Gjenevës), ngjarje kjo kulturore që kishte bërë bashkë dy grupe artistësh që me paraqitjen e tyre brilante, ngjallën jo vetëm emocione e dashuri të paparë ndërvëllazërore, por edhe ngritën publikun e pranishëm në këmbë për tu duartrokit gjatë.
Ishte merita e Shoqatës Shqiptare “Iliria” në Sant Julian en Genevois, që drejtohet nga një grup entuziast në krye me zonjën, Luljeta Hoxha e cila edhe prezantoi programin e dy grupeve artistike.
Ishte ky një model i zgjedhur dhe i qëlluar i dy grupeve artistike: “Vëllezërit Arbëresh” nga Frasnita e Kalabrisë dhe Trio muzikore nga Gjeneva në përbërje nga Mimoza Nazarko- Canto, Ermira Lefort- Piano dhe Volfi Haxhiaj- violinë. Programin i gërshetuar nga këto grupe, filluar nga kostumet dhe këngët më të vjetra, ato arbëreshe, që datojnë me shekuj dhe këngëve e ditëve të sotme të përcjella me muzikën e artistëve të një kalibri siç ishin Ermira Lefort- Piano dhe Volfi Haxhiaj- violinë. Ishte e madhja Mimoza Nazarko, që në fillim me disa këngë të përzgjedhura me një interpretim bravuroz ajo që i dha tonalitet të veçantë kësaj mbrëmje. Fill pas kësaj grupi i Shoqatës Kulturore dhe Folklorike “Vëllezërit Arbëreshë” nga Frasnita, në krye me profesorin dhe artistin e spikatur Michele Greco, që e vunë sallën në lëvizje, që i tërë një publik të bëhet sy e vesh dhe ku emocionet vinin duke e ngrit temperaturën.
Nuk munguan as përshëndetjet e autoriteteve franceze, filluar nga ai i bashkisë së qytetit dhe deri te konsulli i ri i Shqipërisë në Bernë, z. Marin Meksi, i cili çmoi lart kontributin e vëllezërve arbëresh për ruajtjen e identitetit dhe kulturës së lashtë kombëtare. Po aty nuk munguan as shumë figura të artit e të kulturës sonë, ndër të cilat edhe profesor Astrit Leka, i cili ndonëse ka shkel të 94- tat bashkë me të shoqen e tij kishte ardhur për të përjetuar këtë ngjarje me rëndësi sa kulturore aq edhe kombëtare.
Më se mbresëlënëse ishte fjala e kryetarit të Shoqatës Kulturore dhe Folklorike “Vëllezërit Arbëreshë” nga Frasnita, artistit të spikatur Michele Greco. I cili përkujtoi se bazament i të gjithave që është gjuha, të cilin me fanatizëm të paparë e ruajtën dhe trashëguan ndër shekuj arbëreshet, përkundër dallgëve përmbytëse të kohës, ndaj edhe apeloi që edhe në kushtet e sotme të zhvillimit, ruajtjes së gjuhës shqipe në mërgatë ti kushtohet një kujdes i veçantë.
Ishte ky program i dytë këtyre de grupeve nga Kalabria dhe Zvicra, pas të parit të mbajtur në Wil me rastin e zbulimit të bustit të Nënës Terezë dhe në kuadër të 550 vjetorit të kalimit në pavdekësi të kryetrimit tonë , Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Programet e tilla do të ishin më se të mirëseardhura edhe në lokalitete të tjera të shteteve evropiane, për të pa se si ndërlidhen dy epokat e kulturës shqiptare përmes këngës e traditës, qoftë edhe kur ndahen me kufi e shtete.
Uroj që këso koncertesh e programesh të shohim sa më shpesh në trojet tona etnike e mërgatë, bashkë me një falënderim për organizimin e mirë të vet Shoqatës “Iliria” nga Sant Julian që na bëri bashkë me artistët arbëresh ne mërgimtarëve që jetojmë në shtete të ndryshme të Evropës. Ndonëse bëra me tren në dy drejtimet mbi 600 kilometra (Cyrih- Gjenevë- Sant Julian) mbeta më se i impresionuar me programin por edhe me përqafimin e mërgimtarëve tanë me vëllezërit arbëresh ndonëse shiheshin për herë të parë mes veti.
























































