Ansambli „Mërgimi“ Neuchatelit, afro dy dekada në skenën zvicerane

 

Në kuadër të prezantimit të ansambleve shqiptare, kësaj të shtune portali ynë prointegra.ch, ju njeh me ansamblin e këngëve dhe valleve “Mërgimi” nga Nojshateli (Neuchatel), që vitin e ardhshëm kremton njëzetvjetorin e themelimit (2002), duke shfaq një sërë programesh si para komunitetit shqiptar ashtu edhe atij zviceran.- Me këtë rast shkëputa tekstin dhe fotot kushtuar “Mërgimit” nga libri im “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje”, si dhe disa foto të ansamblit me të madhe Vaçe Zela  

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Ansambli i këngëve dhe valleve “Mërgimi” nga Nojshateli (Neuchatel), u themelua në vitin  2002 dhe përbëhet kryesisht nga nxënës  të mësimit plotësues shqip, e nuk ndërpreu aktivitetin e vet për afro dy dekade, me përjashtim të periudhës pandemike.

Ansambli „Mërgimi“ në rajonin ku vepron e më gjerë, u prezantua me programe që u pëlqyen edhe në saje të moshës së anëtarëve, kryesisht fëmijë e të rinj. Që të qëndrojë kaq gjatë në skenë ky grup, merita i përket treshit të përbërë nga Behlul Bajrami, kryetar i grupit dhe bashkësisë shqiptare dhe koreografëve, Enver Pajaziti e Burim Hasani. Por shumë meritorë janë edhe vetë prindërit, të

cilët, me përkrahjen morale e materiale, e mbajtën gjallë deri më tash këtë grup që numëron rreth 30 anëtarë të rregullt. Këtë grup artistik, së fundi e kemi parë më 13 maj 2012 në Neuchatel, në një olimpiadë të madhe baleti, me ç’rast edhe hapi programin. Atë e kemi parë edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe në “Darkën e Lamës” në Cyrih, dhe në një program kushtuar promovimit të librit të shkrimtarit Bedri Dedja, kur edhe realizuam

një foto të tyre në përqafim të së madhes Vaçe Zela. Meqenëse anëtarët e “Mërgimit” janë kryesisht nxënës, ata zakonisht paraqiten edhe me valle dhe recitime poezish.

Mësojmë se në Nojshatel (Neuchatel) me rrethinë jeton një komunitet prej 3 mijë shqiptarësh, por që ka vetëm dy pika shkollore në: Neuchatel dhe Le-Locle si dhe tri klube sportive, në mesin e të cilëve edhe ekipi i futbollit “Kosova”. Ndaj, edhe “Mërgimi” e plotëson një vakuum të krijuar në lëmin e kulturës, me shpresë se do të gjejë një përkrahje edhe më të madhe nga radhët e komunitetit tonë.

Koreografi Enver Pajaziti është mjaft i angazhuar, si në radhët e komunitetit, ashtu edhe në përfaqësimin e shqiptarëve, bashkë me Behlul Bajramin, edhe në strukturat vendore zvicerane. Ai përkujton se “Mërgimi” ka filluar punën para dhjetë vitesh dhe se ai ishte fryt i shkollës shqipe dhe koreografit Burim Hasani nga Ferizaj. Tash e pesë vjet, Enveri, së bashku me Burimin, funksionojnë si një duet i pandashëm, duke u angazhuar me kryesinë dhe prindërit që “Mërgimi” të masivizohet dhe kompletohet sa më mirë edhe me kostume e edhe me instrumente e lokal të përshtatshëm për ushtrime. Kryesuesit e “Mërgimit” thonë se në këtë shoqëri dyert janë të hapura, sidomos për nxënësit e mësimit plotësues shqip, në mënyrë që atyre, pos mësimit, t’u ofrohet edhe këndimi e vallëzimi shqip.

Mësojmë se në Neuchatel në Nëntor të vitit 2015 u mbajt edhe një manifestim ku u ndanë çmime për arritje për artistët dhe sportistët, ku u vlerësuan arritjet e sportistëve e klubit të Kick-Boxit Neuchatel të cilin e udhëheq Belul Bajrami dhe anëtarët e Ansamblit Kulturo Artistik “Mërgimi”, të cilën e udhëheq koreografi Burim Hasani.