Ky ansambël, që numëron rreth 50 anëtarë, në një koncert shqiptaro-zviceran në Goldach, katër vite më parë u prit me shumë përzemërsi dhe u duartrokit gjatë nga artdashësit vendas.- Po në atë mbrëmje “Drita” defiloi bashkë me grupin vendas folklorik, i përbërë nga grup mosha të ndryshme, ndaj edhe në mungesë të aktiviteteve po jap ca imazhe nga ai manifestim
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Shoqëritë dhe ansamblet tona artistike në Zvicër, pos misionit primar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të trashëgimisë, po kryejnë edhe një mision tjetër tejet të rëndësishëm: krijimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit me popullatën vendase, që ajo të njihet me begatitë tona kulturore kombëtare.
Këtë pohim edhe njëherë e pat dëshmuar një program i përbashkët muzikor shqiptaro- zviceran në qytetin e Goldahut, jo larg St. Galenit, më 5 Nëntor 2016, kur në skenë defiluan së bashku artistët e Ansamblit “Drita” të Kreuzlinhgenit dhe grupi artistik vendas folklorik. Programi qe hap me daljen e përbashkët në skenë të dy ansambleve, në mënyrë që më pastaj secili grup veç e veç të përmbushi pikat e programit prej më se një orësh.
Ishte vërtetë një mbrëmje sa mbresëlënëse aq edhe festive, që pikësynim kishte afrimin dhe njohjen e dy kulturave, gjë që edhe ia arriti në saje të një programi të përzgjedhur nga dy grupet artistike, secila në gjuhën e vet, por që komunikonin shumë mirë përmes lëvizjeve në skenë. Derisa grupi zviceran i përberë prej moshash të ndryshme, këndonte kryesisht këngë të vjetra tradicionale, grupi shqiptar “Drita” , përbëhej kryesisht nga radhët e valltarëve të ri, përplot, kolorit, imagjinatë e kreativitet, gjë që kjo tërhoqi interesimin dhe kureshtjen e publikut vendas.
Sa për njoftimin e opinionit do theksuar se : Ansambli artistik „Drita“ nga qyteti Kreuzlingenit i kantonit të Turgaut, u themelua më 23 mars të vitit 2002). Në nismën e tij „Drita“ funksionoi si grup që tubonte kryesisht të ri me prejardhje nga të gjitha trojet etnike, por me një vullnet të rrallë. Nga koha që përcjelli aktivitetin e këtij ansambli, shihet se ai ka përjetuar një rritje pozitive si në cilësi ashtu edhe në sasi. Ansambli „Drita“ sipas kryetarit të saj Haradin Gashi, një veprimtar i palodhshëm edhe në organizimet tjera shqiptare, tash ansambli numëron rreth 50 anëtarë aktiv, pasi që krahas grupit të valltarëve të ri, ka edhe grupin e valltarëve të vegjël, tejet simpatik dhe grupin e instrumentistëve e këngëtarëve të moshuar.
Karakteristike është se tash edhe vet koreografët janë ish anëtarë të Ansamblit “Drita”, të cilët në saje të ndihmës që dhanë për disa vite disa nga koreografët me përvojë në Zvicër, mësuan shumë, sa sot të bëjnë një punë shumë kreative e me shije artistike.
Me rastin e prezantimit të “Dritës” para zviceranëve me grupin e fëmijëve kishin punuar Patrik Ademi e Valentina Gashi, me më të rriturit punon njëra nga valltaret më të talentuara, Saranda Gashi, tash edhe në rolin e një koreografeje të zellshme e të suksesshme. Pos, Patrikut për kreativitet shquhet edhe motra e tij Donika Ademi. Ndërsa që nga radhët e familjes Gashi, aktualisht janë katër vajzat dhe djali i vetëm i kësaj familje.
Pjesë e këtij ansambli është edhe grupi i instrumentistëve dhe i këngëve folklorike , pjesë e të cilit janë prej vitesh Pal Berisha, Xhevat Misini, Bedri e Xhemile Kryeziu, një çift që me tërë familjen kanë dhënë kontribut të madh në këtë ansambël, por që kësaj radhe para publikut zviceran u paraqitën me program vetëm fëmijët dhe të rinjtë. Dhe vërtetë nuk na zhgënjyen jo vetëm në skenë por edhe në kontaktet e mëtejshme në sallë në bisedë me vendasit, duke u folur për aspekte të ndryshme të traditës dhe kulturës sonë kombëtare. Vërtetë ishte një prezantim, që meriton lami e respekt.
( Me këtë rast po jap disa pamje nga ky program i përbashkët muzikor, në realizim të ansamblit „Drita“ dhe grupit artistik në Goldau) )







































