Në Paris promovohet libri i Abidin Krasniqit mbi eposin e kreshnikëve tanë

 

Në Ambasadën e Kosovës në Paris u promovua libri “Cantilènes de cycle épique albanais de Muji e Halil” i Abidin Krasniqi, meqë rast u mbajt edhe një ceremoni, ku përshëndeti edhe ambasadori Mehti Halimi, e kryetari LKSHM- Musa Jupolli i ndau një mirënjohje autorit dhe po ashtu u shfaq edhe filmi dokumentar “Lahutari i fundit” i regjisorit Sahit Kokolli.

Tani më emri i autorit dhe përkthyesit të ri Abidin Krasniqit, që jeton dhe vepron në Paris prej vitesh nuk është i panjohur. Pas botimit të librit tij të parë, përkthimit në frëngjisht të kryeveprës së Fishtës “Lahuta e Malësisë, (në vitin 2019) Abedini vjen edhe librin tjetër po ashtu me rëndësi të veçantë për opinion frankofane, libër ky që i kushtohet eposit të kreshnikëve shqiptar.

Ndërsa siç mësojmë nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris, në ceremoninë e promovimit një fjalë përshëndetëse e mbajti ambasadori Mehdi Halimi, ndërsa që i pranishëm ishte edhe ish Ambasadori dhe studiuesi Luan Rama, por edhe përfaqësuesit të Kosovës në Frankofoni dhe profesorit Shemsi Krasniqi. U shfaq edhe filmi dokumentar “Lahutari i fundit” i regjisorit Sahit Kokolli dhe u nda një Mirënjohje nga Kryetari i Lidhjes  së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Diasporë z. Musa Jupolli, për kontributin e z. Abidin Krasniqi në kulturën shqiptare

Ambasada e Kosovës nënvizon se kjo ishte edhe një mundësi e mirë për takim me mërgatën tonë në Francë dhe forcimin e ndërlidhjeve mes nesh.

Me këtë rast po japim edhe një shkrim të autorit të këtij libri Abidin Krasniqi, rreth temës së trajtuar në librin e tij më të ri:

”Ekzistenca e një tradite gojore epike është shpesh në origjinën e zhvillimit të një ndërgjegjeje kombëtare të një populli. Në të vërtetë, një epope apo një cikël epik i transmetuar gojarisht brez pas brezi kristalizon jo vetëm karakterin e heroit ose heronjve të eposit në fjalë, por njëkohësisht edhe shpirtin heroik të publikut dhe të bardëve të shumtë që transmetojnë atë. Prandaj, një traditë e tillë është një faktor i fuqishëm në zhvillimin e ndjenjës së përkatësisë ndaj një komuniteti, e cila në vetvete është një pararendës i ndjenjës së përkatësisë etnike dhe më pas, përfundimisht, kombëtare. Kështu këngët epike shqiptare të cilat ndër breza kanë farkëtuar imazhin e Skënderbeut, figurave historike të Rilindjes dhe të shekullit të 20-të.

Edhe pse nuk është një traditë popullore, por vepër e një poeti vizionar, Lahuta e Malcis (që e kam përkthyer në frëngjisht në vitin 2019) luajti pikërisht të njëjtin rol: e mësuar përmendësh, e transmetuar brez pas brezi, ndonjëherë fshehurazi, kryevepra e Gjergj Fishtës kontribuoi për farkëtimin e një identiteti shqiptar si dhe një tjetërshmërie sllave dhe osmane. Ky është edhe roli që luajnë këngët epike legjendare që përmban kjo antologji dygjuhëshe shqip-frëngjisht. Edhe pse çështja e origjinës së tyre, e gjenezës dhe e rrugëtimit të tyre drejt nesh është më komplekse në krahasim me tekstet epike historike, ato përbëjnë një element thelbësor në përpunimin e ndjenjës të një përkatësie kombëtare shqiptare. Si një traditë ende e gjallë në fillim të shekullit të 21-të, këngët e ciklit të Mujit dhe Halilit meritojnë vëmendje të veçantë nga studiuesit në lëmit e antropologjisë dhe etnomuzikologjisë, të cilët nuk kanë mbaruar studimin e tyre në aspektet e tyre të ndryshme. Kjo traditë gjithashtu meriton vëmendjen e institucioneve shqiptare dhe kosovare të cilat jo gjithmonë e kanë promovuar këtë pjesë thelbësore të trashëgimisë kulturore ashtu siç e meriton. Shpresoj që botimi i kësaj antologjie ta mbushë disi këtë boshllëk, si për publikun më të informuar, ashtu edhe për ata thjesht kureshtarë”, përfundën shkrimin e tij Krasniqi.