Analizë e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën

Raporti i Komisionit Evropian e ngel PANQeverinë e Haradinajt në Politikat Ekonomike

– Analizë nga prof. Besnik Bislimi

Sado i pritshëm, raporti i KE që adreson përparimet në fushën e ekonomisë duket shumë dëshpërues dhe mbase rezulton të jetë edhe më i ashpër se vetë kritikat e përsëritura në vazhdimësi nga Lëvizja VETËVENDOSJE.

Sipas raportit, Kosova ende nuk po arrin të kalojë fazën fillestare apo të hershme të ndërtimit të një ekonomie private funksionale. Pothuajse secili indikator i zhvillimit ekonomik apo i kualitetit të politikave fiskale shënon regres në raport me vitet paraprake. Raporti liston me të zezë në të bardhë këto “të arritura” të PANQeverisë për vitin që kemi lënë pas:

1. Një zvogëlim prej 3.4% të nivelit të punësimit, statistikë shumë zhgënjyese për vendin me papunësinë më të madhe në Evropë. Paralelisht me këtë konstatohet ulje e ndjeshme e shkallës së aktivitetit të fuqisë punëtore, nga 42.8 në 40.9%, ku sidomos vërehet ulja e shkallës së aktivitetit tek gratë. Në përgjithësi del se shkalla e punësimit ka rënë nga 29.8% sa ishte në vitin 2018 në vetëm 28.8%.

2. Rritje e mëtejme e borxhit publik, duke bërë Kosovën vendin me ritmin më të lartë të akumulimit të borxhit publik në Evropë.

3. Ulje të investimeve të huaja direkte në nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit në masën e vetëm 3.3% të BPV, që nënkupton rënie prej 16% në raport me vitin 2018. Kjo përforcohet edhe më tej me degradimin e vendit në krijimin e një ambienti të përshtatshëm të të bërit biznes, ku Kosova shënon rënie në rankingun ndërkombëtar nga vendi i 40 në atë të 44.

4. Rritja e deficitit buxhetor në masën e 2.8% që është niveli më i lartë në 4 vitet e fundit, duke konstatuar se kjo shifër do kishte qenë shumë më e lartë sikur qeveria të mos ishte treguar e ngathët në ekzekutimin e projekteve kapitale.

Raporti dëshmon për kualitetin zhgënjyes të politikave fiskale e sidomos të skemave pseudosociale, të cilat jo vetëm që nuk targetojnë dhe luftojnë varfërinë, por bëhen barrierë për zhvillimin e sektorit privat.

Rreziqet fiskale që dalin nga politikat e dobëta të qeverisë jo vetëm që e rrezikojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, por e minojnë njëkohësisht edhe aftësinë konkurruese të bizneseve vendore në rrafshin ndërkombëtar.

Sektori privat poashtu ka nevojë, sipas raportit, për përmirësim të mëtejmë të qasjes në financa, duke mos harruar këtu edhe natyrën e bizneseve vendore ku dominimi i mikrondërmarrjeve pamundëson përfitimet nga ekonomia e shkallës.

Raporti shpërfaq edhe një paradoks të PANQeverisë duke nënvizuar se Kosova përkundër faktit që ka të ardhurat kombëtare më të ulta në rajon, ka deformuar sistemin e pagave duke e ngritur nivelin e pagës mesatare në vendin e dytë në rajon, menjëherë pas Malit të Zi, dhe duke potencuar poashtu ndikimin negativ që ka kjo në dobësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore. Andaj edhe me të drejtë raporti konstaton se Kosova është ende në fazë të hershme kur flasim për kapacitetin e saj për të përballuar konkurrencën dhe fuqinë e tregut të Bashkimit Evropian.

Shumë zhgënjyese dalin edhe statistikat e tregtisë së jashtme ku deficiti në bilancin rrjedhës është rritur për mbi 10% vetëm brenda një viti. Kjo ka ardhë si pasojë e paaftësisë së qeverisë për të krijuar politika që promovojnë eksportin e mallrave, i cili ka rënë për 7% në raport me vitin paraprak, kundrejt rritjes së fuqishmë të importeve në të njejtën periudhë.

Padyshim se vlerësimi më i ashpër i bëhet politikave buxhetore të PANQeverisë, për të cilat dokumentohet se e nuk e mbështesin objektivin e rritjes ekonomike të vendit. Kjo vlen sidomos për projektligjin për pagat në sektorin publik dhe për skemat pseudosociale që ngarkojnë buxhetin në dëm të programeve me ndikim në zhvillimin ekonomik, por edhe në vetë tregun e punës dhe konkurrueshmërinë e bizneseve private.

Goditje tjetër tregu i punës merr edhe nga sistemi i edukimit, për të cilin konstatohet se nuk përkon me nevojat e tregut të punës. Dy elemente shtesë që bien në sy tek sistemi i edukimit janë fakti që shumica absolute e buxhetit të alokuar për arsim shkon vetëm për paga të mësimdhënësve si dhe injorimi komplet i shpenzimeve për kërkime shkencore, ku nuk alokohen as 0.1% e BPV.

Paradoksi tjetër që shpërfaqet në këtë raport është diskrepanca e madhe mes performancës ekonomike dhe asaj të tregut financiar të vendit. Sektori bankar dhe ai i mikrofinancave duket se vazhdojnë të lulëzojnë falë nivelit të lartë të normave të interesit dhe paaftësisë komplete të Bankës Qendrore që të vendosë rregull në caktimin e tarifave për shërbime ndaj klientëve, duke mbajtur nivelin e fitimeve në mbi 18% në baza vjetore.

Natyrisht se lista e dështimeve nuk përfundon me këto dhe poashtu është e ndërlidhur ngushtë edhe me dështimet në sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit. Lëvizja VETËVENDOSJE në vazhdimësi ka alarmuar qytetarët për degradimin e përshpejtuar të ekonomisë nën këtë keqqeverisje dhe ka nënvizuar urgjencën për ndërprerjen sa më të shpejtë të saj përmes rrëzimit të qeverisë. Ne poashtu kemi nënvizuar rrezikun që do na përsëritet edhe këtë vit me miratimin e buxhetit për vitin 2019 dhe kemi shpërfaqë pozicionet kundërthënëse të gjithë atyre subjekteve politike që e kanë mbështetur dhe mundësuar kalimin e tij në parlament.