Këtë fundjavë “prointegra”, prezanton Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, themeluar më 30 shtator 1950, i cili përkundër shumë sfidave e pengesave nga regjimi i kohës, arriti që këngën e vallen shqipe ta bartë nga festivali në festival, sa të fitoi edhe Gjerdanin e Argjendtë në Dijon-France (1986), kurse Vendin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Bursa-Turqi (2013). – Disa nga prezantimet reprezentative të këtij ansambli pata rastin ti përcjelli nga afër qoftë në Kosovë, Malësi të Madhe apo Zvicër, ndaj edhe me këtë rast portali ynë u ofro 40 e sa fotove autoriale
Teksti e fotot nga Rexhep Rifati
Tash kur kemi hy në 70 vjetorin e themelimit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, me seli në Prishtinë, mund të flitet për një trup të konsoliduar artistike që prej dekadash prezanton këngën dhe vallen shqiptare e të gjitha trojeve tona në shumë manifestime dhe festivale kombëtare e ndërkombëtare, duke ngrit imazhin e Kosovës edhe në qendra të
njohura të kulturës dhe artit në anë të ndryshme të globit.
Nga afër pata rastin të përcjelli paraqitjet e ansamblit tonë kombëtar të Kosovës, qoftë në 50 vjetorin e themelimit, për dy ditë me radhë( nga 26 – 27 shtator 2014), apo edhe gjatë pjesëmarrjes së “Shotës” në festivalin e Malësisë së Madhe afër Tuzit, në organizim të ansamblit simotër “Rapsha”, por edhe në Zvicër në dy koncerte të njëpasnjëshme në qytetet e Winterthurit dhe të Cyrihut, kur anëtarët e kësaj trupe entuziazmuan publikun artdashës me nivelin e lartë të interpretimit të këngëve dhe valleve, programe këto që kulmuan me emocione në mesin e mërgimtarëve, të cilët me adhurim pritën paraqitjen para publikut të veteranëve të këngës së mirëfilltë qytetare siç ishin këngëtarët Ismet Bogujevci, Rizah Bytyqi e tjerë.
Së fundmi “Shota” ishte edhe mysafire e denjë në 50 vjetorin e themelimit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” të Ferizajt. Vlen të theksohet se me këtë të fundit “Shota” pati një bashkëpunim të ngushtë ndër vite, madje edhe duke e ndihmuar e plotësuar njëri tjetrin edhe me këngëtarë e valltarë e sidomos me orkestronte, gjë që pjesa më vitale e orkestrës së Ansamblit kombëtar të “Shotës” përbëhet nga ish- anëtarë të orkestrës së “Kastriotëve” ferizajas. Por edhe gjatë turneve të rëndësishme të “Kastriotëve”, disa nga veteranët e “Shotës” ishin pjesë e grupit të këngëtarëve, gjë që është për tu lakmuar e përshëndet ky bashkëpunim i ndërsjellë.
Se cili është rrugëtimi historik i Ansamblit “Shota”, për këtë më gjerësisht e huazova pjesën tekstit nga Ueb- faqja e këtij ansambli kombëtar që përherë me paraqitjet e tija na bën krenar:
Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “SHOTA” u themelua më 30 shtator 1950, si Ansambël Profesional, me vendim të Kuvendit të ish-Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, sikur edhe tri ansamblet tjera, në ish Jugosllavi: “Llado” – Zagreb, “Kollo” Beograd dhe “Tanec” – Shkup. Ky vendim e bëri këtë Ansambël të jetë njëri nga institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë. Në arsyetimin e aktit të themelimit thuhej: Ky Ansambël ka për detyrë të ruaj dhe zhvillojë folklorin (këngët dhe vallet popullore) të popujve që jetonin në këtë regjion.
Megjithatë, më 18 mars 1954, me një vendim të çuditshëm të te njëjtit organ, pa asnjë justifikim, ansamblit i ndërpritet veprimtaria. Pas një ndërprerjeje dhjetëvjeçare, në Mars të vitit 1964 u ri- aktivizua Ansambli profesional i Këngëve dhe Valleve, i cili u quajt Ansambli Shtetëror “Shota”. Përderisa periudha 1950- 1954 kryesisht kishte shërbyer në ndërtimin e trupës artistike, në periudhën pas vitit 1964, Ansambli “Shota” luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore të Kosovës, në veçanti këngëve dhe valleve shqiptare, meqenëse shqiptarët përbënin rreth 90 % të popullsisë së Krahinës.
Ky Ansambël ka afirmuar vlerat e vërteta kulturore kombëtare, të tilla si origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet ekzotike, me të cilat “Shota” është paraqitur në mbi 50 vende të botës, në të gjitha kontinentet. Sipas dëshmive, gjatë kësaj periudhe më shumë se 60-vjeçare, Ansambli “Shota” ka shfaqur mbi 7500 koncerte në Kosovë, ish -Jugosllavi, Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi dhe Australi. Në shumë prej tyre, “Shota” mori mirënjohje dhe çmime nderi, si: Gjerdani i Argjendtë në Dijon-France (1986), Vendi i parë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Bursa-Turqi (2013), Vendi i Dytë në Festivalin e Buyukcekmece (2013) dhe në Festivalin Botëror në Cheonan të Koresë (2011), 4 çmime në “Vitosha International Folklore Festival 2018”, përfshirë çmimin për Ansamblin më të mirë, muzikën më të mirë, kostume më të mira, dhe valltaren më të mirë të Festivalit (2018), vendin e parë për valle, në Agrigento- Sicili (2014), 4 çmime në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Folklorit në Trabzon – Turqi (2017) dhe qindra çmime, kupa dhe mirënjohje në aktivitete të ndryshme në nivel lokal dhe rajonal.
* Që nga viti 1994, Ansambli vepron me titullin e ri: Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, thuhet në këtë faqe, të këtij ansambli kombëtar.