Ahmet Hoxha Hero i Kosovës, veprimtar i madh i kauzës kombëtare dhe i arsimit shqip
Heroi i kombit, Ahmet Hoxha, u lind në fshatin Pleshinë të Epërme-komuna e Ferizajt, më 12 qershor të vitit 1944. Atdhetari, Ahmet Hoxha, shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes me sukses të shkëlqyer, ndërsa klasët e larta të tetëvjeçarës i mbaroi në shkollën «Jeronim Derada» në qytetin e Ferizajt, pastai ai u regjistrua në Shkollën Normale të këtij qyteti. Ahmeti me shokë kishte probleme gjatë mësimit në Shkollën e Normalës në Ferizaj, meqë struktura e trupit arsimor ishte me shumicë nga serbo-malazez, ndër ta ishte mësimëdhënësi serb i muzikës, Dragomir Rexhiq, ky mësimdhënës ishte së tepërmi i shtërnguar, me një urrejtje të skajshme, ndaj nxënësëve shqiptar.
Shkruar nga Sami ARIFI
Atdhetari Ahmet Hoxha, tashmë Hero i Kombit, Shkollën Normale e kreu në Ferizaj, ai gjatë vijimit në Shkollën Normale „Zenel Hajdini“ të Ferizaj, bisedonte me shokë për padrejtësit që iu bëheshin popullit shqiptar, ku, shumica e lëndëve ligjëroheshin në gjuhën serbe, ata mësimdhënës serbë, shovenistë të skajshëm ndaj nxënësëve shqiptar, kishin informata për familjen e Ahmet Hoxhës, por edhe për familjet e ca nxënësve të tjerë, ata profesor serbo-malazez i pengonte egzistenca fizike e nxënësëve shqiptar, prandaj, e urrenin Ahmetin skajshmërisht dhe i bënin pengesa gjatë shkollimit të tij. Ahmet Hoxha së bashku me shokët: Bajram Aliun nga fshati Smirë-komuna e Vitisë, Musli Berishën nga fshati Runjevë-komuna e Kaçanikut, Abdullah Hysenin nga fshati Prelez-komuna e Ferizajt, Hasan Qiraxhiu nga Ferizaj, ia mësyen së bashku kufirit për të shkuar në Shqipëri. Ahmeti me shokë nuk arriti ta kaloj kufirin për në Shqipëri, sepse ata tradhëtohen nga një bari delesh të fshatrave kufitar dhe kapën nga milicia serbe, ata dënohen nga 27 ditë burg dhe pastaj i largojnë edhe nga shkolla… Falë mësimdhënësve shqiptarë, me preferimet e tyre dhe me ndihmën e pakursyer të drejtorit të shkollës, themeluesit të Normalës në Ferizaj, Fejzullah Çerkinit, kthehen prapë në shkollë, Bajramit iu dashtë ta ndërroi mbiemrin nga Avdiu në Aliu.
Atdhetari Ahmet Hoxha, tashmë Hero i Kombit, rrjedh nga një familje atdhetarësh, paknaqësinë ndaj pushtetit okupues serb kryesisht e mori nga babai i tij, Hysen Hoxha i cili gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore (LDB) ishte kundër sllavo-komunistëve me shumë atdhetarë shqiptarë si: Gjon Serreçi, Adem Gllavica, Hysen Terpeza, Mulla Xhemë Sllatina, Ajet Gërguri e shumë e shumë të tjerë… I ati i Ahmet Hoxhës, Hysen Hoxha, ishte pjesëmarrës kundër partizano-çetnikëve, ai mori pjesë edhe në Luftën e Ferizajt, kundër serbo-komunistëve, në dhjetor të vitit 1944. Hysen Hoxha pas tre viteve në ilegalitet në malet e Sharrit, pasi pushteti jugosllav bëri amnistinë për të arratisurit në mal, ai i dorëzohet pushtetit. Pas okupimit të vendit nga serbo-sllavët, atdhetarët u detyruan, një numër nga ta të arratiseshin, pjesa tjetër vendosën mos të lëshojnë vendin e tyre që të paktën eshtërat e tyre të tretën në atdheun e tyre, mos jo eshtërat, shpirti i tyre të qëndroi në qiell mbi tokën e atdheut të tyre…
Ahmeti si i ri shpesh i dëgjonte rrëfimet e babait të tij, Hysen Hoxhës, edhe për shumë atdhetarë tjerë që luftuan për bashkim kombëtar. Heroi i Kombit, Ahmet Hoxha, ishte i frymëzuar edhe nga dajtë e tij në Zaskok, posaçërisht ndeja të shpeshta bënte me dajën e tij, Sylejman Çerkinin, pasi ai (Ahmeti) pas mbarimit të shkollës Normale, ishte i punësuar në shkollën fillore «Naim Frashëri» të fshatit Zaskok, ku me dajën punonin së bashku në këtë shkollë. Atdhetari Ahmet Hoxha, u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë-Dega e Kulturës Fizike, pastaj ai semestrin e pestë e vazhdoi në Sarajevë në Fakultetin e Kulturës Fizike, ndërkohë u shndërrua Shkolla e Lartë në Katedër të Kulturë Fizike në Universitetin e Prishtinës, Ahmeti kishte dëshirë të diplomonte në gjuhën shqipe, prandaj ai kthehet në Kosovë dhe diplomon në Prishtinë.
Në kohë të rëndë, që nga viti 1981, kur pushteti bënte diferencime, Ahmeti është dallua në kundërshtimin e këtyre metodave shoveniste serbe, dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, të diferencimit të kuadrove të pakta shqiptare. Ahmet Hoxha asnjëherë nuk pushoi së kundërshtuari qëllimet e errëta sllavo-komuniste serbe sidomos në arsim. Kështu kur pushteti i Millosheviqit, deshti të na imponojë planprogramet mësimore serbe, Ahmeti u kacafyt me inspektorët serbë në lokalet e Shkollës së mesme ,,Zenel Hajdini” duke ua rrëmbye ditarët nga duart. Mirëpo nga kjo kacafytje, Ahmeti u dënua me tre muaj burgim ku u torturua dhe keqtrajtua mizorisht. Gjatë kohës sa Ahmeti ishte profesor i edukatës fizike, ishte i dashur dhe i repektuar në çdo mes si nga ana e kolegëve ashtu edhe nga nxënësit e tij. Dëshira e tij gjithmonë ishte që t’i paiste nxënësit me mendje dhe zemër të shëndoshë që ta duan atdheun. Ai në vazhdimësi merrej me trajnimin e nxënësve në sporte të ndryshme. Ishte trainer i klubit të futbollit të fshatit Pleshinë, trajner i hendbollit për femra të Ferizajt për shumë vite me të cilat fitoi në shumë gara. Ishte themelues, lojtar dhe trainer i Klubit të pingpongistëve të Ferizajt, klub i cili për nder të tij, tani e sa vite organizon turnirin ndërkombëtar për pingpong ,,Ahmet Hoxha”,etj. Angazhimi i Ahmetit me të rinj me aktivitete sportive, siç shihet më vonë ishte edhe një lloj kamuflimi i aktivitetit të tij politik. Me fillimin e lëvizjeve demokratike në Kosovë, Ahmet Hoxha u radhit ndër të parët në grupin e parë që shkoi për stërvitje ushtarake në Shqipëri në shtator të vitit 1991. Ahmeti pas kthimit nga Shqipëria, ai do të jetë udhëheqës grupi për organizimin dhe aftësimin edhe të grupeve tjera. Ahmet Hoxha për regjionin e Ferizajt me rrethinë, Salih Çeku për Dukagjin, Adem Jashari për Drenicë dhe Zahir Pajaziti për Llap, ishin këta katër udhëheqësit e parë të organizimit të luftës në Kosovë. Këta katër, tani dëshmorë të Kosovës, ishin në kontakt të përhershëm dhe gjithë këtë veprimtari e bënin në konspiracionin më të thellë. Shpërndarjen e armëve dhe përgatitjet për luftë i kishin bërë me kohë. Mirëpo edhe Ahmeti si edhe shumë të rinj shqipëtarë, zbulohet nga regjimi serbo-sllav, kështu ditën e fundit kur ishte gati të dilte në mal së bashku me shokët, me 25 qershor 1998, ai burgoset nën akuzën se ishte pjesëtar i UÇK-së. U mbajt në paraburgim në burgun e Prishtinës dhe të Gjilanit, ku iu nënshtrua torturave ç’njerëzore, por Ahmeti qëndroi i papërkulur. Atdhetari, Ahmet Hoxha, ishte torturua brutalisht përtej çdo mase, e kishte hetuar familja e tij në një rast të vizitës, kur Ahmeti nuk ka pranua të dalë për vizitë edhe pse familjarët e kanë pritë, meqë ato ditë ndaj tij ishte ushtruar një dhunë shtazarake në çdo pjesë të trupit. Ministri serb i drejtësisë gjatë vizitës në burgun e Gjilanit e kishte pyetur: «Çka të nevojitet arma?!» Ahmeti iu kishte përgjigjur në sy: «Për të luftuar kundër jush», burgimi dhe torturat në hetuesi ndaj trimit Ahmet Hoxhës ishin të pandalshme.. Ahmeti kishte pasur plagë të hapur edhe në kokë, tronditje në tru. Ahmeti është torturuar sistematikisht gjatë gjithë kohës së qëndrimit në paraburgim. Me 5 shkurt të vitit 1999, në Gjykatën serbo-sllave në Prishtinë zhvillohet gjykimi i grupit të Ferizajt. Të akuzuar ishin 26 veta, prej të cilëve të arrestuar ishin 13 veta. Prej këtyre të arrestuarëve, tre janë mbytur nga torturat mizore gjatë hetuesisë. Për të përcjellur gjykimin në Prishtinë, me 5 shkurt kishin shkuar edhe familjarët e të burgosurëve. Ndër ata ishin bashkëshortja e Sylejman Bytyqit- nga Ferizaj, babai i Ylber Topallit, familjarët e Ahmet Hoxhës (Hysen Hoxha –babai i Ahmetit, Sylejman Çerkini-daja i Ahmetit, vëllau i madh i Ahmetit-Zejnullah Hoxha, Gafurr Tasholli dhe Fatmir Çerkini. Aty ishin edhe familjarët e të burgosurëve tjerë. Ishte dimër, rrëfen djali i dajsë së Ahmet Hoxhës, Fatmir Çerkini: të gjithë ne pritnim aty diku pak përtej ndërtesës së Bankës (tani Qeveria), pak përtej hotelit Union. Filluam të lëvizim teposhtë për të shkuar te Gjykata Komunale, mirëpo forcat policore kishin marrë masat dhe nuk na lejuan, për më tepër kërkuan që të kthehemi prapa deri te banka. Në këtë situatë kur ishim pa zgjidhje, gruaja e Sylejman Bytyqit, Hanifja veproi. Aty pari kaloi me një automobil të UNESKOS apo OSBE (nuk jam i sigurtë) veprimtarja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, e cila e njihte Hanifen, sigurisht nga vizitat nëpër burgje të ndryshme që ka qenë Sylejmani edhe më herët. Meqenëse ajo shoqërohej nga veprimtarë tjerë të UNESKOS, pas bisedës me Hanifen, intervenoi te strukturat policore dhe na e mundësoi pjesëmarrjen, me numër të kufizuar. Kështu për Ahmetin, Hysen Hoxha, Sylejman Çerkini, Zejnullah Hoxha dhe Unë (Fatmir Çerkini), pasi më dhanë përparësi, isha falënderues për profesorin tim Gafurr Tashollin, vëlla i Fevzijes gruas së Ahmetit, që më dha mua përparësinë.
Atdhetari Ahmet Hoxha u dënua me 5-së vite burg të rëndë, të cilin burgë, vazhdoi ta vuante në burgun e Gjilanit. Menjëherë pas fillimit të bombardimit të NATOS mbi caçet e makinerisë vrastare serbe, policia serbe shumicën e të burgosurëve shqiptarë i barti në burgun e Dubravës, afër Istogut, ndër ta ishte edhe Ahmet Hoxha i cili ndërroi jetë në Masakrën e Dubravës, më 21 maj 1999.
Heroi i Kosovës, Ahmet Hoxha, la pas vetes pesë trashëgimtarë: tri vajza dhe dy djemë: Luljeta, mbaroi me sukses të lartë Fakultetin e Edukimik dhe me sukses të shkëlqyer vazhdon edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj…
Astriti, mbaroi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Besa, ishte inkuadruar në UÇK, pasi ajo kishte mbaruar Shkollën e Mesme të Mjekësisë.
Besa shërbeu me zemër në ndihmë për t’iu shëruar plagët luftëtarëve të lirisë.
Shqipja mbaroi Fakultetin e Edukimit-Drejtimi i Mësuesisë, ajo është mësuese e dalluar në punën e saj.
Albani, më i vogli në moshë në familje, ai mbaroi Fakultetin e Kulturës Fizike, gjithashtu edhe specializimin për sportet. Familja e Heroit të Kosovës, Ahmet Hoxhës, me ndërgjegjje të lartë u bënë vazhdues të mbrojtjes së idealeve që ishin porosi të babait të tyre, ata u bënë misionarë të shkëlqyer në përmbushjen e idealeve të babait të tyre, për cilat ideale, luftoi me trimëri dhe urtësi të rrallë tashmë Heroi i Kosovës Ahmet Hoxha.
Atdhetari mbetet në histori i paharruar në kujtesën e popullit. Mungesa e prof. Ahmet Hoxhës gjithmonë do të jetë zbraztësi e veprimit shumëdimensional në rrafshin kombëtar dhe në fushën e edukimit dhe arsimit shqip… Qoftë i paharruar kujtimi për atdhetarin prof. Ahmet Hoxhën Heroin e Kosovës, Perëndia e shpërbleft me Parajsë, pushoftë i qetë në dritën e pashterrshme në amshim…
Lavdi e përjetëshme, Heroit të Kosovës Ahmet Hoxhës, dhe gjithë të rënëve për lirinë e Atdheut!…