Abdixhiku në Zvicër: LDK-ja po rikthehet fuqishëm në diasporë

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së është duke qëndruar për vizitë në Zvicër, së bashku me Anton Qunin, Sokol Halitin, Armend Zemaj dhe Shkumbin Gashi.

Abdixhiku ka njoftuar se është takuar me bashkatdhetar që kanë dhënë kontribut në LDK që moti.

Sonte, së bashku me Ekipin Politik për Mërgatë, me Anton Quni, Sokol Haliti, Armend Zemaj e Shkumbin Gashi, takuam bashkatdhetarët tanë në Grenchen të Zvicrës – në shënim të 32 vjetorit të themelimit të Degës së LDK këtu. Sot, takova njerëz që kanë dhënë kontribut për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe takova njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. Takova burra e gra, të rinj e të reja, që Kosovës i kanë dhënë pasurinë e saj më të madhe – i kanë dhënë mërgatën. Kryetarit të Degës Ahmet Kosumi e anëtarëve të Kryesisë i urova për angazhimin në shtëpinë tonë të përbashkët”, ka shkruar ai në Facebook.

 

Abdixhiku ka thënë se ka parë një entuziazëm të madh të njerëzve atje dhe sipas tij kjo është një shenjë e qartë se LDK-ja është rikthyer në diasporë.

“Entuziazmi i jashtëzakonshëm i njerëzve tanë këtu, ishte rikonfirmim i qartë i rikthimit tonë në diasporë. Për mua, për bashkëpunëtorët e mi, pjesëmarrja këtu ishte nder i veçantë. Takimi me njerëzit punëtorë, të drejtë, atdhetarë, patriotë e kontributdhënës të të gjitha kohërave është detyrim politik i lidhjes sonë”, ka shtuar ai.

Abdixhiku më tej ka thënë se “Lidhja Demokratike në mërgatë është lidhje e vlerave, e ideve, e kontributit kombëtar – është besëlidhje për një Kosovë që e duam të gjithë. Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkëatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi”. /Zëri