A do të ketë njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi!

Pas përfundimit të Samitit të Berlinit, ku u diskutua kryesisht rreth situatës në Ballkanin Perëndimor, me theks të vecantë raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, kanë nisur diskutime të shumta se cfarë do të ndodhë në vijim. Pjesa e dytë e samitit pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, ndërkaq është thënë se ka dështuar plani për ndarje të Kosovës. Mëgjithatë, sipas një deklarate të nxjerrë së fundi nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, është thënë se e mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Është bërë pra e ditur se SHBA-ja është interesuar që të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve, duke kërkuar njohje të ndërsjellë nga të dyja palët.

Përfshirjen e SHBA-së në dialogun e Kosovës me Serbinë, e ka kërkuar presidenti i vendit Hashim Thaci, i cili në deklaratën e tij pas përfundimit të Samitit të Berlinit, tha që është i zhgënjyer nga Bashkimi Evropian, duke i quajtur ata të dobët, ndërsa i bëri thirrje SHBA-së që të përfshihet në proces. Megjithatë, SHBA ka bërë të ditur se e mbështetë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Ndërkaq, analistët kanë bërë të ditur që thirrja e Thacit për SHBA-në ka ardhur sepse një pjesë e Departamentit të Shteti e mbështetë idenë për shkëmbim territoresh.

Megjithatë, ata kanë vlerësuar se ndërmjetësues i këtij procesi do të vazhdojë të mbetet Bashkimi Evropian.