Shkruan Sami ARIFI
Selami Elmi Neziri u lind, më 5 korrik 1972, nga prindërit Elmi dhe Sabrije Neziri, në fshatin Sllatinë e Poshtme-Komuna e Vitisë. Selamiu është vëllau më i vogël i dy motrave dhe pesë vëllezërve. Babai Elmiu dhe nëna Sabrije, jetën e tyre e kaluan nën hijen e represionit serbo-sllav në sfidat e një kohe mjaft të trazuar, por, asnjëherë të dorëzuar.
Babai Elmiu mbijetoi Masakrën e Tivarit në fundin e marsit të vitit 1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), e cila ishte një nga ngjarjet më tragjike të organizuar nga formacionet partizano-çetnike jugosllave të ndjekura nga ideologjia e Josip Broz Titos. Ky moment formësoi për babain, Hilmiun, karakterin e qëndrueshëm dhe përkushtimin ndaj mbijetesës dhe dinjitetit të tij.

Poashtu, edhe Nëna Sabrije, me prejardhje nga lagjja e Cakajve e fshatit Terpezë, përjetoi tragjedi po aq të rënda. Ajo përjetoi vrasjen e meshkujve mbi 14 vjeç të familjes së gjerë Cakaj, një akt që goditi rëndë dhe la plagë të pashlyeshme në kujtesën e saj fëmijërore.
Shtëpia e Elmiut dhe Sabrijes, për vite të tëra, u bë shënjestër e organeve të sigurimit jugosllav, duke u bastisur disa herë.
„Bastisja e parë ndodhi më 25 nëntor 1981. Në orët e para të mëngjesit, inspektorë dhe milicë shqiptarë të UDB-së, nën drejtimin e Refik Thaqit nga Kamenica, rrethuan shtëpinë. U arrestuan tre djemtë më të mëdhenj të familjes: Fehmiu, Muhabiu dhe Ganiu. Ky ishte paralajmërimi i parë i një periudhe të gjatë përndjekjesh“.
Bastisja e dytë ndodhi më 26 prill të vitit 1989. „Një ekip i përzier shqiptarësh e serbësh, i drejtuar nga Sadik Hajrullahu-Gërmovë dhe Kadri Fetahu-Vërban, u rikthye për të bastisur shtëpinë. Përsëri u arrestua djali i dytë i Elmiut, Muhabiu, tashmë për herë të tretë. Me që, herën e dytë ishte arrestuar në Ferizaj derisa ishte duke u kthyer nga puna për në shtëpi“.
„Bastisja e tretë ndodhi më 12 gusht 1989. UDB-ja e Ferizajt ndërmori një aksion tjetër, kësaj radhe me pjesëmarrjen, kryesisht të milicëve serbë. Milici shqiptar Naser Fazliu dëshmon se para nisjes, kishte marrë sugjerimin “për përforcime shtesë”, rrëfen Selamiu: me pretendimin se familja mund të posedonte edhe diçka më shumë se “literaturë armiqësore”. Në këtë bastisje u arrestua djali i madh, Fehmiu, i cili u torturua për tri ditë e tri net në Ferizaj dhe Viti“, ndërsa „bastisja e katërt ndodhi më 7 gusht 1993, e cila bastisje ishte më e rënda deri atëherë, nga se rreth 60 milicë dhe 5 inspektorë të UDB-së, të udhëhequr nga Nenad Popoviq, rrethuan shtëpinë, ku në këtë aksion të bastisjes u arrestua djali më i vogël, Selamiu, i akuzuar si pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK)“.
Rrëfen Selamiu: „Bastisja e pestë ndodhi më 15 maj 1999, gjatë luftës së armatosur në Kosovë, ku shtëpia e familjes Neziri u bastis nga forca të shumta ushtarake serbe, të cilat rrethuan dhe mbushën oborrin me ushtarë të armatosur, duke krijuar atmosferën e një zone aktive lufte. Në këtë rast, asnjëri prej djemve të familjes nuk ishte në shtëpi, pasi që ndodheshin në mal, të angazhuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Megjithatë, disa persona që po strehoheshin në shtëpinë e tyre u keqtrajtuan rëndë nga këto forca ushtarake deri atëherë kur u përgaditën t’i arrestojnë dhe e kuptuan se nuk i takonin famijes Neziri. Kjo, duke pasqyruar presionin dhe rrezikun e vazhdueshëm që u kanosej familjeve të lidhura me rezistencën shqiptare“.
Që nga 12 shtatori i vitit 1997, nata kur guerili i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Bislimi, gjeti strehim në shtëpinë e familjes Neziri pas tërheqjes së tij nga aksioni i armatosur kundër forcave serbe në Gerlicë, e deri në qershorin e vitit 1999, shtëpia e kësaj familjeje u shndërrua në bazën kryesore të UÇKsë për komunën e Vitisë dhe më gjerë.
Gjatë kësaj periudhe, shtëpia e tyre u bë një qendër e rëndësishme organizative e strukturave të rezistencës së armatosur, duke luajtur rol vendimtar në koordinimin e aktivitetit të UÇKsë në këtë rajon.
Po në këtë shtëpi të babë Elmiut dhe nënë Sabrijes u themeluan: njësiti i parë i UÇKsë për komunën e Vitisë, më pas Shtabi Operativ i UÇKsë, dhe, disa muaj më vonë, Shtabi i Brigadës 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”. Kësaj radhe Protagonist kryesor i këtyre tri ngjarjeve të rëndësishme ishte vet djali i tyre më i vogël, Selamiu-Agroni, me këtë pseudonim të luftës.
Selamiu nuk i kishte mbushur ende 17 vite kur në pranverën e vitit 1989 po bëheshin demonstrata për demokraci në të gjitha qytetet në Kosovë. Të gjitha rrugët magjistrale ishin të mbushura me kolona makinash të milicisë serbe, të cilat qarkullonin sa në një qytet sa në një tjetër, për të shtypur demonstruesit paqësor shqiptarë. Kështu, një ditë erdhi lajmi se magjistralja ishte mbyllur në fshatin Ramjan dhe kolonat e makinave të milicisë mund të kalojnë edhe nëpër fshatin Sllatinë. Selamiu pa hezituar merrë biçikletën dhe me shpejtësi mbërrin në fund të fshatit, në rrugën për Pozheran, pikërisht te “Arat e Fushës” siç i quan fshati. Aty bllokon rrugën me gurë. Por, pak para se të përfundonte punën vëren nga larg një kolonë makinash të milicisë serbe që vinin në drejtimin e tij. Ai lë biçikletën dhe futet arave andej nga nuk mund të hynin makineritë e milicisë.
Milicia, në shenjë hakmarrje, shkelin biçikletën e tij me pizgauer-kamion, duke e shkatërruar të tërën. Ky ishte aksioni i parë i Selamiut kundër forcave serbe.
Një natë të vonë shtatori të vitit 1991, merr pjesë në aksionin për fshirjen e numrave të shtëpive të fshatit së bashku me Selim Frangun dhe vëllain e tij Muhabiun. Fshirja e numrave të shtëpive kishte për qëllim t’u krijojë vështirësi organeve të milicisë serbe në identifikimin e shtëpive shqiptare. Ky aksion bëri që Selamiu të trimërohet dhe të mendoj e të bindet se mund të bëjë edhe aksione të tjera.
Në muajin nëntor të vitit 1992 në shtëpinë e Nexhmedin Hajdinit në Trestenik themelohet „Grupi i të Rinjve“: Nexhmedin Hajdini nga Tresteniku, Avni Zejnullahu nga Ramjani, Avni Azizi nga Terpeza dhe Selamiu. Më vonë, këtij grupi i bashkohen edhe: Emin Maliqi nga Terpeza dhe Ramush Demelezi e Faredin Frangu nga Sllatina e Poshtme. Aksioni i parë i këtij „Grupi“ ishte shkrimi i dy trakteve dhe shpërndarja e tyre. Njëri trakt u drejtohet nxënësve dhe rinisë dhe e vendosin nëpër dyert e shkollave, ndërsa tjetrin ua drejtojnë pronarëve të bilardove dhe i vendosin nëpër dyert e lokaleve të bilardos.
Me themelimin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), në mars të vitit 1993, ky „Grup“ pa hezitim i bashkohet kësaj organizate.
Në fillim të muajit prill të vitit 1993, Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKCK) themelon Këshillin e Rrethit për komunën e Vitisë me një grup studentësh vitias në Universitetin e Prishtinës, anëtar i të cilit ishte edhe Selamiu. Kryetar i Këshillit ishte Nexhmedin Hajdini nga Tresteniku, pastaj, anëtarët e Këshillit ishin Avni Zejnullahu nga Ramjani, Emin Maliqi nga Terpeza dhe Selami Neziri nga Sllatina e Poshtme. Ndërsa Selamiu kishte formuar Këshillin Popullor në Sllatinë të Poshtme me: Ramush (Isa) Demelezin dhe Fahredin (Halil) Frangun.
Me qëllim të informimit të popullit për qëllimin e LKÇK-së, më 5 maj të këtij viti si në shumë fshatra të komunave të Kosovës ashtu edhe në disa fshatra të komunës Vitisë bëhet shpërndarja e Projekt-Programit nga ky grup.
Në valën e arrestimeve të anëtarëve të grupeve ilegale LPK dhe LKÇK, anë e këndë Kosovës, në korrikun dhe gushtin e vitit 1993, sigurimi sekret serb do të arrestojë edhe anëtarët e LKÇK-së në komunën e Vitisë: më 6 gusht arrestohen Nexhmedin Hajdinin dhe Avni Zejnullahun dhe të nesërmen më 7 gusht arrestohen Selami Neziri, Emin Maliqi dhe Hazbi Hyseni. Pas dy muaj qëndrimi në burgun hetues në Gjilan, ky grup do të dal para Gjykatës së Qarkut. Më 30 shtator 1993 dënohen të pesë vitiasit si anëtarë të LKÇK-së. Nexhmedin Hajdini, Avni Zejnullahu dhe Hazbi Hyseni me nga 4 vite burgim, ndërsa Emin Maliqi dhe Selamiu me nga një vit e dy muaj burg, të cilët, lirohen për mbrojtje në liri.
Një muaj më vonë Gjykata Supreme në Beograd ndryshon vendimin e Gjykatës së Qarkut të Gjilanit dhe fuqizon vendimin për të pestët me nga dy vite burg. Ndërkohë që, para se të konfirmohet vendimi, Selamiu arratiset ilegalisht nga Kosova dhe vendoset në Zvicër.
Gjatë gjithë kohës sa qëndron në Zvicër (nëntor 1993 deri shkurt 1998) Selamiu mbanë lidhjet me shokët e LKÇK-së brenda në Kosovë, dhe merret aktivisht me organizimin e LKÇK-së atje. Ai ishte anëtar i Këshillit Qendror të LKÇK-së për Zvicër.
Në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së në Kosovë, që më 2 mars 1998, i është komunikuar degës së LKÇK-së në Zvicër, u mjaftuan vetëm katër ditë, që Selamiu bashkë me një grup shokësh të niseshin më 6 mars 1998 për Kosovë me qëllim të organizimit të njësiteve guerile për rezistencë kundër ushtrisë pushtuese serbe: Blerim Zhabari nga fshati Novolan i komunës së Vushtërrisë, Besim Beqiri nga Radivojci i komunës së Vitisë dhe Mehmet Isufi nga Vushtërria. Më 8 mars 1998, në Tiranë, ata bashkohen me anëtarë tjerë të LKÇK-së nga Gjermania dhe Shqipëria (Jashar Jashari, tani dëshmor, nga Strofci i Vushtrrisë, Blerim Dervishaj nga Prishtina, Ali Jonuzi nga Vushtrria dhe Murat Ajeti nga Podujeva) dhe nisen për në Kosovë nën drejtimin e Fatmir Humollit, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së.
Gjatë rrugës, në afërsi të Krumës, i gjithë grupi arrestohet nga Shërbimi Informativ Shqiptar. Pas ndërhyrjes së Sabit Gashit (anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së) nga Prishtina, grupi lirohet. Vonesa e krijuar nga SHISH-i bëri që grupi të mos ndihej më i sigurt dhe u detyrua të kthehej në bazën e LKÇK-së në Durrës.
Nga 9 marsi deri më 9 prill 1998, Selamiu qëndron në njërën nga bazat e LKÇK-së në Durrës, ku trajnohet teorikisht, fizikisht dhe ushtarakisht, me qëllim që të marrë përgjegjësi në zgjerimin e luftës së armatosur në Kosovë.
Në mesnatën e 10 dhe 11 Prillit 1998, Selamiu së bashku me një grup prej 23 luftëtarësh kalon kufirin Shqipëri-Kosovë përmes bjeshkëve të Pashtrikut dhe vendoset në lagjen Balaj në Doberdelan.
Grupi udhëhiqej nga Abedin Balaj-Rama nga Doberdelani i Suharekës:
- Blerim Zhabari – Dritani nga Novolani i Vushtrrisë. Anëtar i LKÇK-së
- Ejup Maqedonci – Agroni nga Prishtina. Anëtar i LKÇK-së
- Blerim Dervishi – Lumi nga Prishtina. Anëtar i LKÇK-së
- Agron Xhemajli – Agimi nga Shkabajt e Prishtinës. Anëtar i LKÇK-së
- Beton Retkoceri nga Prishtina. Anëtar i LKÇK-së
- Jashar Jashari – Strofci nga Strovci i Vushtrrisë. Anëtar i LKÇK-së(Dëshmor)
- Mehmet Jusufi – Isa nga Vushtrria. Anëtar i LKÇK-së
- Selami Neziri – Agroni nga Sllatina e Poshtme e Vitisë. Anëtar i LKÇK-së
Dhe vullnetarë të tjerë.
Pas Doberdelanit, Selamiu do të qëndrojë edhe disa ditë në fshatin Strofc, rrëzë maleve të Qyqavicës, deri sa njësitet e armatosura të LKÇK-së të konsolidoheshin.
Më 11 maj 1998, bëhet marrëveshja UÇK-LKÇK, po atë ditë Selamiu gjendet në radhët e njësiteve guerile të LKÇK-së në Prishtinë. Fatmir Humolli informon se UÇK-ja nuk kishte as edhe një anëtar të organizuar në Anamoravë, prandaj, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ngarkon Selamiun me detyrë të organizimit të UÇK-së në komunën e Vitisë dhe mundësisht të krijoj kontakte me ndokënd edhe në komunën e Gjilanit.
Në mëngjesin e hershëm të 10 qershorit të vitit 1998, pas shumë vështirësive, i shoqëruar nga dy pjesëtarë të gueriles së kryeqytetit të Kosovës-Prishtinës, Mejdi Asllani dhe Fatmir Ajeti, Selamiu arrinë në familjen e tij në Sllatinë të Poshtme. Është e rëndësishme të përmendet se gjatë rrugëtimit për në shtëpi, kam darkuar në shtëpinë e Fatmir Karalitit në Zllatar, ku ai morri përsipër të organizoj fshatrat Zllatar, Dardani dhe Sllakofcë.
Që në pasditen e 10 qershorit të vitit 1998 në shtëpinë e tij themelojnë njësitin e parë të UÇK-së për Komunën e Vitisë me: vëllain-Ganiun dhe shokët e tij Ramush Demelezin dhe Faredin Frangun. Selamiu në mbrëmje takohet me Abdyl Bajramin nga Verbani dhe pas tij me Nazim Azemin nga Sllatina e Epërme, të cilët marrin përgjegjësi për organizimin UÇK-së në komunën tonë. Pastaj, ditët në vijim vë kontakte edhe me të përmendurit sipas radhës, të cilët do të marrin gjithashtu përgjegjësi për organizim të UÇK-së: Ekrem Qerimi nga Pozherani, Remzi Salihu nga Remniku, Sejdi Ahmeti nga Dardania, Qerim Lipovica nga Sllakoci, Gezim Jahiri nga Verbani, Fatmir Bajrami nga Verbani, Daut Xhemajli nga Begunca, Avni Azizi nga Terpeza, Skenderbe Hebibi nga Lubishta, Emrush Azizi nga Smira. Pas një aktiviteti të mundimshëm, brenda tre muajve shtrirja organizative e UÇK-së kishte marrë formë edhe në komunën tonë.
Në bazë të porosisë nga Komandanti i Gueriles së UÇK-së në Prishtinë Sali Mustafa-Cali, në gusht 1998 themelohet Shtabi Operativ Komunal i UÇK-së për komunën e Vitisë.
Emërimet bëhen me sa vijon:
- Komandant Selami Neziri – Agron Hoxha
- Zv. Komandant Abdyl Bajrami – Petriti (Rremi)
- Shef i sektorit Politiko-Organizativ Nazim Azemi – Shitësi
- Shef i shërbimit informativo-ushtarak Gani Neziri – Filo (Agimi)
- Shef i sektorit për furnizim Ekrem Qerimi – Mentor Vitia
- Shef i sektorit operativo-ushtarak Remzi Salihu – Skenderi
- Shef i sektorit të-mjekësisë. Nuk kishte mjek të gatshëm për këtë detyrë
- Ndihmëse për mjekësi-sanitet Kefsere Demelezi, Drita Azemi dhe Drita Xheladini
Pas një shtrirje të kënaqshme organizative të UÇK-së në Anamoravë, me ndërmjetësimin e Fatmir Humollit nga Nënzona Operative e Llapit, më 7 nëntor 1998 në Zllashë të malësisë Gollakut organizohet një takim i rëndësishëm i përfaqësuesve të UÇK-së nga Gjilani, Dardana dhe Vitia.
Përfaqësuesit nga Gjilani ishin: Ahmet Isufi-Rexha dhe Shemsi Syla-Shaqa.
Përfaqësuesit nga Vitia ishin: Selami Neziri-Agroni dhe Abdyl Bajrami-Rremi.
Përfaqësuesit nga Kamenica ishin: Lulzim Leci-Enveri dhe Milaim Limoni-Xhaxhi.
Nga ky takim rezulton themelimi i Shtabit të Nënzonës Operative të Karadakut me këtë përbërje:
- Komandant i Shtabit – Ahmet Isufi-Rexha
- Zëvendëskomandant vend i rezervuar për Kravatën (Basri Musmurati),i cili nuk erdhi kurrë.
- Shef i sektorit për Moral dhe Politikë – Lulëzim Leci-Enveri
- Shef i sektorit të Informimit dhe Policisë Ushtarake – Abdyl Bajrami-Rremi dhe ndihmës Milaim Limoni-Xhaxhi
- Shef i sektorit për Furnizim – Shemsi Syla-Shaqa
- Shef i sektorit për Financa – Selami Neziri-Agroni
Pas riorganizimit të UÇK-së, Nën zonat Operative bëhen Zona Operative, ndërsa shtabet Komunale shndërrohen në Shtabe Brigadash. Komandant i Brigadës 171 ishte emëruar Salih Mustafa-Iliri nga Malisheva e Gjilanit. Komandant i Brigadës 172 ishte emëruar Shefik Beqiri-Dardani nga Kamenica dhe Komandant i Brigadës 173 ishte emëruar Selami Neziri-Agroni nga Sllatina. Më 25 shkurt 1999, Shtabi Operativ Komunal për komunën e Vitisë transformohet në Shtab të Brigadës 173″Gursel dhe Bajram Sylejmani“ me këtë përbërje:
Selami Neziri – Agroni – Komandant i Brigadës
Daut Xhemajli – Plaku – Zëvendëskomandant
Abdyl Bajrami – Rremi – Shef i Sektorit të Personelit.
Gani Neziri – Agimi – Shef i Sektorit për ZKZ.
Ekrem Qerimi – Mentori – Shef i Sektorit për Logjistik e Financa.
(Prisnin ndonjë epror ushtarak) – Shef i Sektorit të Operativës.
Avni Azizi – Korabi – Shef i Sektorit për Informim.
Feriz Ahmeti – Daja – Shef i Sektorit për Moral.
Esat Avyli – Mësuesi – Shef i Sektorit të Mbrojtjes Civile.
Ramadan Arifi – Burimi – Shef i Sektorit të Ndërlidhjes.
Komandanët e togjeve pranë Shtabit të Brigadës Besim Beqiri – Beqa – Komandant i Policisë Ushtarake.
Bekim Pira – Skorpioni – Komandant i Togut të Vëzhgimit.
Komandantët e Batalioneve:
Skenderbe Hebibi-Rama – Komandant i Batalionit të pare.
Milaim Sylejmani-Bashkimi – Komandant i Batalionit të dytë.
Njësitë e Brigadës 173″Gursel dhe Bajram Sylejmani“ operonin nga fshatrat Sllakofc, Zllatar, Dardani(ish Tankosiqi) e deri në Tanushë në kufirin me Maqedoninë.
Selamiu ishte pjesëmarrës i Betejës së Marecit, nga 18-21 prill 1999. Në këtë betejë thuhej se kanë marrë pjesë mbi 5.000 ushtarë dhe milicë serbë, me një artileri të rëndë topash, minahedhësish, tankesh, pragash e çka jo tjetër. Ndërsa, Zona Operative e Karadakut numëronte afërsisht 300 luftëtarë të armatosur kryesisht me armë të lehta: kallashnikovë, mitraloza të lehtë, ndonjë snajper dhe një Osë me një predhë.
Përpjekjet e këmbësorisë serbe për tu ngjitur tek pozicionet e UÇK-së për katër ditë ishin të kota. Luftëtarët e ZOK-ut nuk tundeshin nga istikamet.
Në këtë betejë, përveç se kishte qëndruar Selamiu vazhdimisht nëpër pika të ndryshme të istikameve, kishte kryer edhe tri aksione vetëmohuese:
Aksioni i parë: Më 18 prill 1999, tërheqja e barërave nga ambulanta e Vitisë së Marecit, së bashku me Belin-Skënder Azemi nga Malisheva komuna e Gjilanit.
Aksioni i dytë: më 19 prill 1999, sulmi ndaj një grupi prej 20-30 ushtarësh serbë të vendosur në malësinë e Marecit, së bashku me Shaqën-Shemsi Sylën.
Aksioni i tretë: po në të njëjtën ditë, më 19 prill 1999, tërheqja e bashkëluftëtarit të plagosur, Shaip Pacolli nga zona e kontrolluar nga snajperistët serbë, së bashku me Llofcën-Xhezair Haziri nga Gjilani, Arsim Hotlani nga Kamenica, Hysni Vllasaliu-Matiqani nga Matiqani
Për shkak të volumit të aktiviteteve dhe detyrave të shumta që po na prisnin, më 19 maj 1999 do të bëhet ristrukturimi i Shtabit të Brigadës 173″Gursel dhe Bajram Sylejmani“ me këtë përbërje:
Për shkak të intensitetit të lartë të veprimtarive, përgjegjësive të shumta dhe detyrave strategjike që na prisnin në terren, më 19 maj 1999, u pa e domosdoshme të ndërmerrej një riorganizim i pjesshëm i strukturës komanduese dhe operative të Shtabit të Brigadës 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”:
Abdyl Bajrami – Rremi u emërua Zëvendëskomandant i Brigadës.
Daut Xhemajli – Plaku, pasi që një muaj më parë e kishim dërguar me detyrë në Maqedoni, u emërua Koordinator për logjistikë dhe mobilizim në Maqedoni dhe Diasporë.
Remzi Salihu – Profi u emërua Shef i Sektorit të Personelit.
Milaim Sylejmani – Bashkimi u emërua Ushtrues detyre i Shefit të Sektorit të Operativës.
Florim Ramaj – Shpendi u emërua Komandant i Batalionit të dytë.
Pas 14 qershori të vitit 1999, me urdhër të Komandantit të Brigadës 173, Selami Neziri-Agroni, hynë një njësit i UÇK-së në qytetin e Vitisë. Ku, sot e kësaj ditë shënohet kjo ditë, si “Dita e Çlirimit” të komunës sonë nga okupatori serb.
Pak ditë më vonë, Komandanti i Brigadës 173, Selami Neziri-Agroni, emëron administratorët e përkohshme të fshatrave, administratorët e të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore dhe shoqërore si dhe anëtarët e Qeverisë së Përkohshme Komunale dhe përgjegjësit e Organeve të Drejtësisë në nivel komunal.
Qeverisë së Përkohshme Komunale:
Kryetar – Daut Xhemajli.
Zv.kryetar – Selami Neziri.
Sekretar – Mustafë Haxhiu.
- Drejtor i drejtorisë së Administratës – Hasan Aliu.
- Drejtor i drejtorisë së Arsimit – Adem Murati.
- Drejtor i drejtorisë së Urbanizmit – Smajl Baftijari.
- Drejtor i drejtorisë së Kulturës – Xhavit Bajrami.
- Drejtor i drejtorisë së Rendit – Remzi Salihu.
- Drejtor i drejtorisë së Mbrojtjes civile – Besim Beqiri.
- Drejtor i drejtorisë së Kadastrit – Hysen Beqiri.
- Drejtor i drejtorisë së Ekonomisë dhe financave – Elmaz Zeqiri.
- Drejtor i drejtorisë së Planifikimit e rindërtimit – Milaim Sylejmanin.
- Drejtor per shendetesi e politika sociale – Ekrem Qerimi.
Përgjegjës për ngritjen e Gjykatës dhe Prokurorisë komunale:
Sherif Sherifi, Hysen Ymeri, Alush Sinani.
Me pëfundimin e luftës, pas dy viteve, Selamiu sërish kthehet në Zvicër ku jeton edhe sot së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë, Rrezonin dhe Bleronin. Me përkushtim profesional dhe eksperiencë të gjatë në fushën e teknologjisë së informacionit, ai punon si Senior IT Supporter. Në jetën personale, ai gjen motivimin dhe forcën tek familja e tij, duke ruajtur një ekuilibër të shëndetshëm mes punës dhe jetës familjare.
Intervistë shterruese e realizuar me shkrim, më 17/ 01/ 2026, me Selami Nezirin (1972)-Komandat Agroni i UÇK-së, nga Sllatina e Poshtme



















