Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih nderon veprimtarin Fitim Fitimi (Nysret Hajdari) në 91-vjetorin e lindjes

Respekt shtetëror ndaj brezit të rezistencës dhe sakrificës

Në kuadër të vlerësimit institucional të figurave që kanë kontribuar në mënyrë të qëndrueshme për çështjen kombëtare shqiptare, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka nderuar veprimtarin e shquar Fitim Fitimi (Nysret Hajdari), me rastin e 91-vjetorit të lindjes së tij, duke riafirmuar respektin shtetëror ndaj brezit të rezistencës dhe sakrificës.

Në një atmosferë mirënjohjeje dhe respekti të ndërsjellë, Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, realizoi një vizitë institucionale te veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Fitm Fitimi (Nysret Hajdari).

Me këtë rast, Konsulli Berisha i ndau z. Fitimi një mirënjohje simbolike me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, si shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tij jetësor në shërbim të idealeve të lirisë, dinjitetit dhe shtetndërtimit.

Nga ana e tij, Fitim Fitimi (Nysret Hajdari) i dhuroi Konsullit librin e tij autobiografik “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”, një dëshmi e gjallë e përjetimeve, sakrificës dhe qëndresës së brezit të veprimtarëve të rezistencës kombëtare.

Në këtë takim mori pjesë edhe Zëvendëskonsulli Avni Zejnullahu, për të cilin Konsulli Berisha shprehu fjalë të veçanta miradie dhe falënderime personale, duke vlerësuar angazhimin e tij profesional dhe kontributin e shkëlqyer në realizimin e detyrave institucionale dhe shtetërore të misionit diplomatik.

Një theks i veçantë iu kushtua gjithashtu rolit të Zvicrës si shtet mikpritës, veçanërisht për strehimin dhe përkujdesjen ndaj familjes së Fitim Fitimit (Nysret Hajdarit), si dhe ndaj mijëra familjeve shqiptare para luftës, gjatë luftës së fundit dhe në periudhën e pasluftës. U shprehën falënderime të posaçme për mbështetjen institucionale të shtetit zviceran ndaj Kosovës, për njohjen e pavarësisë dhe për udhëheqjen e projekteve të rëndësishme shtetërore në Kosovën e pasluftës.

Figura e Fitim Fitimit (Nysret Hajdarit), edhe si bashkëluftarë i orëve të para krahas Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gëvallës mbetet një referencë frymëzuese për brezat e rinj, si dëshmi se përkushtimi ndaj vlerave kombëtare dhe lirisë mbetet një mision i përhershëm.

Edhe Alb’swiss TV, së bashku me portale të tjera dhe miq të shumtë të Fitim Fitimit (Nysret Hajdarit), iu bashkuan urimeve institucionale, duke i dëshiruar shëndet të mirë dhe jetë të gjatë.

Në përmbyllje të takimit, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih riafirmon përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mbetet në shërbim të interesave qytetare dhe shtetërore.