Manifestim madhështor me program tejet masiv e cilësor

Në këtë manifestim të organizuar në Horgen të Cyrihut nga shoqatat kulturo-artistike dhe LAPSH-i , e  që mbështetej nga Ministria e Diasporës e në prani edhe të vetë ministrit Makolli, ambasadorit Malaj, konsullit Sefaj,  defiluan 16 grupe me mbi 300 pjesëmarrës, duke i dhënë këtij tubim qendror formën e një festivali tradicional

Rexhep Rifati

Ajo që përcollën me 2 mars, mbi 500 spektatorë, në restorantin reprezentativ “ Stella del Centro”në Horgen të Cyrihut, ku morën pjesë 16 grupe artistike me mbi 300 anëtarë të rreshtuar në grupe të ndryshme artistike dhe në mësimin plotësues shqip, ishte më se mbresëlënëse. Bashkatdhetarët dhe kronistët, që prej vitesh i përcjellin organizimet e ndryshme kulturore, vështirë do të kenë pa një manifestim kaq madhështor dhe me një program tejet masiv dhe mjaft cilësor. Një notë e tillë e lartë ndërlidhet edhe me faktin se manifestimi qendror që u organizua nga shoqatat kulturo-artistike dhe LAPSH-i , në mbështetje për herë të parë edhe nga Ministria e Diasporës, doli veçmas i suksesshëm kur kihet parasysh afati i shkurtër i përgatitjes, diku prej vetëm 30-40 ditësh.

Merita për këtë iu përket të gjitha grupeve pjesëmarrëse, të cilat iu përvishen punës me gjithë seriozitetin, por edhe këshillit organizativ, i cili nuk e pat aspak të lehtë që të përzgjedh dhe të konceptojë një program që relativisht përputhej edhe me shijen e një publiku, me një shije gjithnjë e më të stërholluar. Defilimi i gjitha këtyre, grupeve, që përkundër përpjekjeve të organizatorit, nuk mundi e të mos i kaloi mbi 3 orë program , çka ishte pak si shumë, ishte edhe një dëshmi e një masiviteti të grupeve amatore shqiptare në Zvicër, madje edhe në mungesë të 4-5 grupeve artistike, që kanë një traditë prezantimi, por që nuk i janë përgjigj ftesës për shkak të kufizimit prej vetëm dhjetë minuta.

Edhe mysafirët e këtij tubimi qendror kushtuar 6- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ishin më se të kënaqur me këtë pjesëmarrje kaq masive të mërgimtarëve, ndaj edhe vet Ministri i diasporës, Ibrahim Makolli, që kishte mbështet idenë jo vetëm moralisht, që në fillim tha se: Kur jemi kështu bashkë, jo vetëm që jemi më shumë, por edhe jemi më të fortë!, duke kujtuar edhe sakrificat e popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, edhe nga breza më të hershëm, duke përmend edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.  Ndërsa që, ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, i cilësoi grupet pjesëmarrëse, si ambasadorët më të mirë të Kosovës në Zvicër, pasi siç tha: “ Ju jeni ata që për çdo ditë përfaqësoni  shtetin e Kosovës,  duke e vlerësuar punën e tyre si , një detyrë të shenjtë: “meqë ju  edhe përcillni kulturën dhe gjuhën e popullit shqiptar te fëmijët tuaj”. Të pranishmit i përshëndeti  edhe konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefaj.

Para publikut defiluan 16 grupe e ansamble artistike, të cilat kishin përzgjedh pikat e tyre më të suksesshme, secila deri në 10 minuta, siç ishte përcaktuar nga këshilli organizativ. Këto ishin grupet pjesëmarrëse:  “Gëzuar” Gjenevë, “Atdheu” Thun, “Shota” Aargau, “Rinia” Spreitenbach, “Vatra” Bylah, “Dardania” Winterthur, “Aktrimi” Cyrih, “Arbëresha” Sirnach, “Bashkimi” Ushter, “Drita” Kreuzlingen, QSHK “Besa” Kreuzlingen, “Dielli” Amriswill, “Shar” , shoqëri boshnjake, “Pashtriku” St. Gallen, solistja me lahutë, Alshe Muriqi- Fetaj  dhe nxënësit e mësimit plotësues shqip përmes LAPSH-it “Naim Frashëri”, në Zvicër, ndër to  shkolla shqipe e mësimit plotësues shqip në Rüti të Ostermundigenit, me monodramën : “I kujt është ky plis?!” Salla e madhe e restorantit reprezentativ  “Stella del Centro”  e vëllezërve Pren dhe Anton Kqiraj, në Horgen të Cyrihut, ofroi kushte optimale për këtë manifestim vërtetë madhështor.

Në fund të programit, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, me Pllakatin e Pavarësisë së Kosovës shpërbleu të gjitha grupet pjesëmarrëse si dhe pronarët e Restorantit “ Stella del Centro”, duke i shpreh njëherësh mirënjohje edhe Këshillit organizativ për punën tejet të suksesshme, që ka bërë.