Poezi e rikthimit të ëndrrës në atdhe

POEZI E RIKTHIMIT TË ËNDRRËS NË ATDHE

Ismet Rashiti, Palca e gurit, “Lena-grafik”, Prishtinë, 2024

Palca e gurit? Çka është palca dhe çka është guri, përkatësisht çka paraqet palca e çka paraqet guri, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, në kuptimin e parë dhe në kuptimin e dytë të tyre. Palca – lëndë e butë, guri  -lëndë e fortë, në kuptimin e parë njohës të tyre. Ndërkaq në kuptimin simbolik figurativ: palca është – zemra, mesi, pjesa kryesore pjesa më e mirë, sublimimi i diçkaje; guri është peshë e rëndë, pathyeshmëri, fortësi, sublimimi i qëndresës.

Prof. soc. dr. Merxhan Avdyli, Viti, 10 tetor 2024

Palca e gurit, ashtu siç duket që është konceptuar nga autori paraqet një metaforë, të ndërtuar nga një antinomi primare, në kuptimin e drejtpërdrejtë, përderisa në kuptimin artistik dhe estetik është një metaforë e fortë, e goditur dhe sumblime.

Po kush është palca dhe kush është guri?

Jo vetëm sipas kuptimeve të hapura, por edhe sipas nënkuptimeve të fshehta, palca dhe guri dalin edhe si simbole, me ç’rast palca është shqiptari qëndrestar, ndërkaq guri është Kosova e pathyeshme.

Kjo, që e thamë deri tash, në njëfarë mënyre do të ishte paradhoma poetike për hyrjen në leximin, kuptimin dhe zbërthimin e poezisë së Ismet Rashitit, një poezie që fillimisht mund të themi se lexohet lehtë; se të jep mundësinë e kuptimit për të zbërthyer të gjitha nënkuptimet mbi të cilat ndërtohet ajo; se të plotëson me njohuri për personalitete të ndryshme nga historia më e re e Kosovës, por edhe të mbushë me ndjeshmërinë ndaj atyre personaliteteve të cilat janë pjesë e poezive përkushtuese të autorit. Pavarësisht të gjithave poezia e Ismet Rashitit është poezi e rikthimit të ëndrrave bashkë me autorin në atdhe.

Po kush është autori Ismet Rashiti?

Ismet Rashiti, në agun e viteve „80 të shekullit XX ishte student dhe vinte nga një provincë e Kosovës, e cila jetonte dhe përjetonte vitet e robërisë shekullore. Një djalë, i cili pos kërkesave të tjera jetësore për të bërë jetë të mirë edhe të rehatshme për vete dhe familjen, kishte sublimuar edhe idealin e tij jetësor, duke u angazhuar në çështjen e lirisë së Kosovës. Një student plot zell për të studiuar letërsinë; një njeri i pakapërcyeshëm për t’u admiruar; një njeri mirësjellja e të cilit të lë përshtypje se kemi të bëjmë me një kultivues të edukatës dhe traditës familjare; një njeri i cili shquarjen e tij njerëzore e ka balancuar me angazhimin e tij në veprimtarinë atdhetare; një njeri, cili më shumë sesa për veten e tij ka bërë për të tjerët; një njeri i cili fatin e individit e ka njëjtësuar me fatin e kolektivit; një njeri për të cilin vendi i lindjes së tij Sllatina e Anamoravës është si krejt Kosova, si krejt trojet shqiptare.

Ismet Rashiti është veprimtar i njëmendtë, i përhershëm dhe i palodhshëm i çështjes kombëtare, duke qenë i njohur si gazetar dhe publicist (librat “Rrëfanë lirie”2010, “Lëvizja që lëvizi kohët” 2016, “Liria mbi të gjitha” 2023) por edhe si dramaturg (drama “Pranvera e madhe” 2007), sot para lexuesit shqiptar vjen me librin e tij të parë poetik “Palca e gurit”.

E mira dhe e bukura e gjithë këtij promovimi është një fakt kokëfortë. Meqenëse Ismeti ka bërë edhe ende bënë jetë paralele në kuptimin gjeografik Kosovë-Zvicër-Kosovë, sa herë vjen në vendlindje, sjell diçka të re, sjell diçka të veçantë ose më mirë të themi e rikthen ëndrrën e vet në vendin e vet, në Sllatinë, në Viti, në Kosovë. Dhe ëndrra e tij sot ka ardhur në formën e librit, me poezi; madje me poezi të cilat shpërfaqin, në kuptim metaforik, palcën e gurit e në kuptim e drejtpërdrejt esencën e Kosovës.

Libri poetik “Palca e gurit” është strukturuar duke u ndarë në tetë tufa poetike, me nga një mbititull që në njëfarë mënyre tregojnë prirjen dhe orientimin kulturor, kombëtar, madje edhe politik të autorit. Tetë njësitë e veçanta të librit së bashku, në fakt, përbëjnë një tërësi poetike me një shtrirje të gjatë kohore (më shumë se dyzet vite) dhe me një shtrirje hapësinore (Kosovë, Shqipëri, Zvicër).

Pra, kemi përpara një libër si një mozaik të rrallë poetik, të përbërë kryesisht nga poezitë përkushtuese, qoftë për persona konkretë, në këtë rast historik dhe jo vetëm, qoftë për veprime konkrete, ngjarje të ndodhura, apo edhe vende të caktuara. Një libër, që nganjëherë na duket si një enciklopedi e vogël, nga e cila pos reflektimit të ndjeshmërisë estetike, marrim edhe njohuri, për ngjarje të caktuara, për vende të caktuara, për persona të caktuar nga e kaluara historike dhe nga koha e jonë.

Libri poetik “Palca e gurit” mbase është edhe përmbledhja më karakteristike në poezinë shqipe të shkruar kohëve të fundit, pasi pjesa dërrmuese e poezie janë përkushtime, që në njëfarë mënyre është tip i poezisë e cila parqet vështirësi të mëdha për shumë arsye. Sepse poezia përkushtuese po qe se nuk shpërfaq tiparet kryesore dhe identifikuese të atij të cilit i kushtohet poezia atëherë dalin problemet e realizmit të saj. Por duhet theksuar se te poezia e Ismet Rashitit vihen re shumë pak mangësi të tilla, sepse ai ka ditur të gjej, pavarësisht figuracionit të përdorur veçantitë dhe tipizimet e atyre të cilëve ua ka përkushtuar poezitë ose ka arritur të theksoj dhe tipizojë veçantitë e atyre ngjarjeve të cilat i rrëfyer poetikisht, ose të atyre toposeve të cilëve u ka dhëne shpirt, u ka dhënë jetë.

Do të ishte e nevojshme, me kwtw rast një shëtitje nëpër idetë dhe tematikat e librit poetik të Ismet Rashitit, titullin e të cilit e bartë edhe cikli i parë i tij “Palca e gurit”, brenda të cilit kemi njërën prej poezive më të realizuara të librit, përkatësisht poezinë, me titull edhe pse pak a shumë prozaik, në fakt kemi një poezi lirike me tone të theksuara të baladës, madje edhe elegjiake, përmes vargjeve të së cilës paraqitet çasti i ndarjes së autori nga shtëpia, nga vendlindja, nga Kosova, për të marrë udhë të largët, udhë të gjatë të cilën “vetëm zogjtë e kuptuan” (siç shprehet autori), i cili kishte nisur një udhëtim të “mbushur me dhembje, shpresa, grishje lirie” (thotë autori).

“Heronjtë e mi” është cikli i dytë i poezive, me përkushtime poetike për figurat e shquara kombëtare shqiptare, duke e tipizuar secilin prej tyre, si në vijim: Skënderbeu (heroi i lirisë), Nëna Tereze (zemërmadhja, Nëna e botës), Hasan Prishtina (truri i kombit), Idriz Seferi (i dalë nga palca e gurit), Jusuf e Bardhosh Gërvalla (simbole të frymëzimit), Kadri Zeka (mësuesi im i ilegales), Ukshin Hoti (përherë i gjallë) dhe Adem Demaçi (nderi i kombit dhe vetë palca e gurit).

Cikli i radhës, i treti, “Heronjtë në këngët e kënduara”, gjithashtu përbëhet nga poezitë përkushtues, por tash për dëshmorët e luftës së fundit për çlirimin e Kosovës, nga Jasharët legjendarë, siç i cilëson autori, për vazhduar me poezitë për dëshmorët, të ciët për auorin janë burim frymëzimi jo për poezinë por edhe për tekst këngësh, sikurse Njazi Rexhepi, Andullah Tahiri apo me poezitë kushtuar veprimtarëve atdhetarë sikurse Halil Alidema, Zijah Shemsiu, Rrustem Mahmutit.

“Yje të lirisë” është cikli tjetër, i katërti me radhë i poezive, të cilat në qendër të vëmendjes kanë veprimtarë të kauzës kombëtare, të cilët me veprat e tyre atdhetare arritën ta ruajnë palcën kombëtare dhe t’i japin peshë gurit.

Nuk njoh ndonjë poet të njohur (nuk është tuatologji), i cili nuk ka shkruar poezi të dashurisë, poezi kushtuar gruas, madje gruas në kuptimin e bashkëshortes, që nga Sylejman Naibi (Mahmudeja e stolisur) e deri më sot. Cikli i pestë “Dedikim” është i përbërë me poezi kushtuar familjarëve, si nënës, babait, nipave dhe mbesave. Por ajo që është më domethënëse te ky cilët me poezi përkushtuese intime, është se tufa e poezive “Dedikim” hapët pikërisht me poezinë “Gruas”, poezi të cilën autori ia kushton së gruas, platonik, metafizik, por gruas konkrete fizike, gruas së vet, lulet të cilat ia dhuron i ka të mbjella në zemrën e tij. Me të cilën e ndan edhe frymën. Një digresion i vogël: po të mos ishin Eva dhe Adami, ne nuk do të sot fare, ose do të ishim krejt diçka tjetër.

Cikli i gjashtë “Kultura” që në që si titull në kuptimin letrar duket si një antipod I ciklit të parë me titull metaforik, sikurse të krejt librit “Palca e gurit”, megjithatë poezitë në vete e ruajnë nivelin e shkrimit poetik të autorit. Te kjo tufë poetike autor ka arritur të portretizojë artistikisht disa nga figurat e kulturës shqiptare, të cilat ai i ka veçuar, qoftë për shkak të arritjeve të tyre, qoftë edhe për të shijes së tij. Në përkushtimet e tij poetike autori ka portretizuar personalitet të ndryshme kulturore dhe letrare shqiptare, të cilat me këtë rast do t’i veçonim Lasgush Poradeci (poeti me vargje të kristalta), Ismail Kadare (emër i lindur nga palca e gurit); Rexhep Qosja (të cilit i ka hije fjala e artë) apo edhe Bekim Fehmiu (mbledhësi i puplave që nuk donte varr).

Cikli i shtatë librit mban titullin “Zjarri që djeg dhe diellin” ku janë të përfshira poezi tri poezi, që duken të jenë frymëzime intime. Ndërkaq cikli i fundit “Revoltë” përfshinë poezi të ndryshme, refleksive, qofshin ato edhe frymëzime çasti, nga ndonjë rast apo nga ndonjë ngjarje apo qoftë shprehje e ndonjë revolte, zhgënjimi por edhe malli, shprese…

Për fund, një digresion i patejkalueshëm: aspekti personal i njohjes me Ismet Rashitin do të vijë edhe në formën e përsëritur të mendimit të shrehut më parë.

Njohja me personalitete të ndryshme të krijon edhe perceptime të ndryshme. Janë rrethanat e njohjes, mbase ato që mund të ndikojnë edhe në vetë perceptimet, janë sidomos përshtypjet e para të cilat të mbesin në kujtesë përgjithmonë. Por, ta njohësh një njeri me edukatë, me kulturë e dije, një veprimtar të gatshëm për të sakrifikuar individin brenda vetes për çështje kolektive; një veprimtar të pandalshëm; një idealist të pashembullt dhe një intelektual të drejtpeshuar – nuk ka dilemë se dimensioni i njohjes bëhet bindës dhe i palëkundshëm.

Edhe njohja, sikurse rinjohja ime me Ismet Rashitin, e cila e ka një histori të vogël, si rrjedhojë e largimit të tij nga atdheu, si e tillë, duke e sforcuar dimensionin e njohjes e ka sublimuar bindjen time për një njeri, për një veprimtar dhe një për intelektual të njëmendtë. Edhe poet, natyrisht.