Shpërqëndrimi
Shikonte pikat e shiut që kishin mbuluar dy dritaret e dhomës që kishte përballë. Derisa kish nga to që zbrisnin teposhtë si përrenj bjeshke të tejdukshëm, ca pika të tjera përplaseshin pas vërvishtjes që u jepte era, që sikurse mbrëmë edhe sot ishte çuar peshë, e donte të barte me teshë e koteshë. Pas perdeve të bardha, xhamave t’pikosur me shi, që herë i krahasonte me rrëshirë pishash a qirinjsh, dukeshin varg këto fragmente shumëkatëshesh matanë, sikurse pjesë trupash nga stomaku e lart, e si poza portretesh për të dalur në fotografi për dokumente identifikimi, që mbi kokë mbanin copën e qiellit të hirtësuar që anonte kah e bardha, e mund të quhej edhe bardhëlloshe, e dukej si copë muri e sapogëlqerosur, që donte kohë për t’u tharë. Po kalonte gjysmë ore nga ora tre e pasditës, e përpos rrapëllimës së shiut që siç duket po pashitej, e po i ndalej zëri, zërat e automjeteve që kalonin, ishin pothuajse të pandryshueshme, e herë-herë ndonjëri prej tyre seç fishkëllonte, kushedi se pse. Dëgjohej edhe ndonjë sirenë policie a autoambulance derisa lundronin në rrugët e lagura, të bëra qull, që ndoshta nuk do të shndrroheshin në lumenj, për të dal nga shtrati pastaj. Në pjesën tjetër të krahut të dhomës, herë-herë vinin zhurma të ngjitjes nëpër shkallë, ndonjë hapje dere e banesës a e liftit, ndonjë e trokitur vinte edhe nga tavani lart, dikush kushedi seç mjeshtëronte, a rregullonte diç. Me së të merrej, derisa rrinte ulur në fotelen e hirtë, në qoshkun e dhomës, ngjitur pas njërit prej shtretërve. Pas foteles vinte tambureja, mbi të cilën mrizonin ca gazeta, gajtanë me kokë, pra mbushësa telefonash, dhe një parë dëgjonjëse për vesh. Krejt në qosh, si në këndin e stadiumit vinte vazoja ku rrinte lulja, me fletët prej palmeje mbështetur për muri, e kokën gjer në tavan. Më tej komodina që dukej që mbante televizorin krahëqafe, ose kaligjok siç thuhej andej kah fëmijëria, ca elemente tjera mbi të, pastaj vinte dera, elementet e kuzhinës me gjithë tavolinë, dera e xhamtë e ballkonit, për të ardhë te treulësja, me shpinë mbështetur për dy dritaret që i përmendi në fillim, pas së cilave, në një shtyllë të bardhë antike rrinte lulja tjetër, me fletë të mëdha si fletë misri, e pas saj treulësja tjetër. Në mes tyre qëndronte tavolina e bardhë, jo aq e madhe, që rrinte mbi tepihun e bardhëllimtë me një reliev që ngjante sa me një hartë, sa me një qiell mbuluar me re. S’dinte çfarë të bënte kështu që duke ndejtë i ra dhomës së ndejës rrethepërqark. Kujtoi historikun edhe të kësaj dhome ku qëndronte por edhe historikun e gjësendeve të saj. Seç e mbërtheu një lodhje e përbërë nga një varg përbërësish si plogështi, molisje, ftohtësi, vetmi, e një varg ndjenjash të tilla që endeshin një labirinthi të ngatërruar. Vuri buzën në gaz e iu duk se ndodhej në një gjellëtore, qebaptore a një lokali për ngrënie dhe kërkonte një hamburger komplet. Deshi të merrej me diç. Po nuk po koncentrohej dot. Iu bënë katër libra që kishte filluar, dhe nga të cilat kishte lexuar vetëm dy-tri faqet e para. Të vazhdonte të shkruante diç nga ajo që kishte nisur, nisi por e la, la dhe ca rreshta që mund të zgjeroheshin e të bëheshin tregime. Disi iu përzien kabllot. S’po mund të përqëndrohej, koka i dhimbte, e nuk e dinte pse këmbëngulte të merrej me diçka. Kishte lexuar dy artikuj të një romani dhe e kishte lënë, pastaj hyrjen e dy librave të dhuruar pas një takimi, librin me poezi që kishte blerë, dhe së fundmi një libër që i kushtohej një regjisori të ndjerë. Ndjehej i lodhur e këtë lodhje ia ushqenin dhe gjendja e përgjithshme e rënduar. Nga lodhja në lodhje po çoroditeshim çdo ditë e më shumë. Po mpiheshim. Një varg i madh çështjesh tashmë jo vetëm që nuk po gjenin zgjidhje por dukej se po parakalonin duke marrë trajta të përçudme që po lënin gjurmë të veta të pakëndshme, që të rrëqethnin kur veç mendja shkonte se ndoshta tashmë kanë sjellur e mund të sjellnin pasoja afatgjata.
























